Shtyrja e qirave “dëshpëron” qiradhënësit, “kënaq” qiramarrësit, por shkel të drejtën private

551
Sigal

Përgjatë ditëve të fundit ka pasur një sërë deklaratash të kryeministrit Rama që nxitën një reagim social që ishte në skajet e qëndrimeve pro dhe kundër, aq sa bëri që vetë kryeministri të tërhiqej nga ajo që tha në fillim dhe të modifikonte vendimin. Bëhet fjalë për shtyrjen e qirave.

Të enjten në mesditë kryeministri shkroi në Facebook se “me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës! Kjo masë mbështetëse vlen edhe për studentët që jetojnë me qira! Qiradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qerasë përkatëse!”. Por më vonë gjatë po të njëjtës ditë vendimi ndryshoi me shtyrje për dy muaj të pagesës së qerasë nga e cila përfitojnë tre kategori, bizneset e vogla, punonjësit që për shkak të masave aktualisht kanë ndalur punën, si dhe studentët. Kryeministri sqaroi se pagesat e qirasë nuk do paguhen gjatë muajit mars dhe prill por këto pagesa do të shlyhen më vonë me këste deri në përfundim të kontratës që kanë qiramarrësit me qiradhënësit. Ky ndryshim qëndrimi duket se erdhi për shkak të vërshimit të një lumi mesazhesh nga ana e qytetarëve në profilin zyrtar të kryeministrit në Facebook, të cilët e cilësonin të padrejtë këtë vendim.

Shtyrja e qirave dëshpëron qiradhënësit

Referuar këtij vendimi Porta Vendore mori opinionin e disa personave që preken, si qiramarrës ashtu dhe qiradhënës. Vendimi i parë për ndalimin e pagesave të qirave solli entuziazëm tek qiramarrësit, por më pas kur ky vendim u kthye në shtyrje afati dhe entuziazmi u shua, por gjithsesi është mirëpritur kryesisht nga studentët që kanë lënë banesat me qira në Tiranë, pasi janë kthyer në qytetet e tyre për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Delina nga Librazhdi thotë se ndihet disa e lehtësuar që i është shtyrë pagesa e qirasë, por gjithsesi do të ishte më mirë që të mos e paguante fare përsa kohë nuk qëndron në shtëpi, ose të paktën shteti t’i paguajë 50% të vlerës mujore. “Kur dëgjova lajmin që s’do paguajmë qiranë u gëzova shumë me thënë të drejtën se unë studente jam dhe paratë e qirasë ua marr prindërve. Këta tani po rrinë në shtëpi për shkak të masave dhe s’e di a do marrin a s’do marrin rrogë. Pra me pak fjalë jemi të gjithë ngushtë nga lekët. Edhe pronari i shtëpisë lart në Qytet Studenti ku rri unë, sapo nisi prilli i ra telefonit dhe kërkon lekët e qirasë. Tani s’e di çfarë do bëjmë. Mirë do ishte të na i paguante shteti, në mos të gjithën, të paktën gjysmën e qirasë”, thotë Delina , e cila prej 3 javësh tashmë është kthyer në shtëpinë e prindërve, ndërsa rrobat i ka ende në shtëpinë me qira në Tiranë. Edhe Anxhi nga Kavaja, e cila studion në një universitet privat në Tiranë ku përveç shkollës i duhet të paguajë edhe qiranë e banesës thotë se në situatën e krijuar e ka shumë të vështirë të sigurojë paratë. “Deri dje punoja part-time në një call center, por isha ndër të parët që u pezullova për shkak të situatës dhe tani kam ardhur të jetoj me prindërit, por e kam akoma shtëpinë me qira në Tiranë që ndaj së bashku me shoqet. Unë s’kam para të paguaj qiranë se më duhet të paguaj shkollën, provimet etj. Nuk e di, mirë do ishte që shteti të paktën për studentët të mendojë ndryshe. Jo vetëm me shtyrje qiraje për dy muaj, por të na i japë ai lekët. Me të vërtetë është situatë e rëndë për të gjithë, po ne jemi më të prekurit. Tregu është mbyllur, puna jonë është mbyllur gjithashtu. Nuk jam askund e siguruar. Edhe të tjerët gjenden në një situatë të vështirë. Edhe të ardhurat e prindërve janë ndërprerë, sepse nuk kanë punë se janë mbyllur”, thotë me dëshpërim Anxhi.

Endri është student i arkitekturës në Universitetin Politeknik të Tiranës, ai tregon se megjithëse prej 3 javësh është kthyer në familjen e tij sërish e ka paguar dhe do vijojë që ta paguajë qiranë e shtëpisë. Ai jeton në zonën e ish parkut të autobusëve në Tiranë dhe mendon se është e vështirë që të gjesh një shtëpi në zona të urbanizuara me çmime të leverdishme sidomos në këto kohë.

“Unë jam student dhe jam kthyer në qytetin tim në Lushnje, por përveç marsit kam paguar edhe muajin prill, sepse ne ecim në avancë me pagesat. Megjithatë nuk më duket etike si marrëdhënie nëse unë i them të zotit të shtëpisë që të mos e paguaj se kështu ka thënë kryeministri. Ai direkt do të më thotë po mirë largohu. Dhe në gjithë këtë situatë kur ne jemi nën karantinë të gjithë ku do ta gjeja unë një shtëpi tjetër bashkë më shokët e mi”, thotë me të drejtë Endri.

Në këtë situatë të vështirë ekonomike ka me mijëra studentë, persona që kanë humbur punën e të tjerë që kanë mbyllur bizneset si pasojë e masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes nga Covid 19. Por qiramarrësit dhe qiradhënësit e shtëpive dhe dyqaneve janë në një marrëdhënie komplekse, ku njëra palë nuk toleron për pagesën e qirasë e nuk merr në konsideratë vendimin e qeverisë, pavarësisht penalizimin me 5-fishin e pagesës gjobë dhe pala tjetër përballet me pamundësitë financiare në këtë periudhë krize. Por ky vendim vlen vetëm për ata që kanë një kontratë qiraje mes qiradhënësit e qiramarrësit, teksa shumë të tjerë janë në informalitet të plotë për sa i përket kësaj marrëdhënieje.

Por më të trishtuar nga e gjithë kjo situatë duket se janë qiradhënësit, të cilëve po i ikin nga duart një grusht parash mujore. Bale Shaba është pensioniste dhe së bashku me bashkëshortin jetojnë me djalin, ndërsa shtëpinë e tyre e kanë dhënë me qira në zonën e Ali Demit për të pasur një grusht parash më tepër. “Pikërisht për ato dy lekë më shumë jemi ngushtuar dhe kemi ardhur të jetojmë me djalin, se ndryshe rrinim vetëm në shtëpinë tonë”, thotë ajo për Portën Vendore. “Kryeministri duhet ta shikojë këtë vendimin. Mua shtëpinë s’ma ka falur shteti. Unë me ato para paguaj ilaçet, ujin, dritat. Tani unë këto do i paguaj, kurse qiraxhiu të rri falas te shtëpia ime. Sikur s’shkon kështu. Jemi në ekonomi tregu, po ky vendim duket si vendim i qoftëlargut”, thotë Balja. Ajo thotë se gjithmonë qiraxhiu ka vonesë në dhënien e qirasë. “Aman se s’janë të rregullt qiraxhinjtë. Njëqind herë e marrim në telefon për atë qira dhe prapëseprapë me dy javë vonesë na e jep. Tani me këtë shtyrje rrezik s’na e jep fare”, shton ajo.

Ndërsa Xhemilja ka një dyqan me qira, i cili është mbyllur prej 3 javësh për shkak të situatës së koronavirusit. Ajo thotë se kishte menduar vetë që për sa kohë të qëndronte mbyllur qiraxhiut do t’i merrte vetëm gjysmën e qirasë që të mos i hynte në hak. Ajo thotë se nuk është aspak dakord me vendimin e qeverisë, pasi ka menduar vetëm për qiraxhinjtë dhe jo për pronarët e dyqaneve.

“Unë e kisha bërë vetë plan që qiraxhiut t’i merrja vetëm gjysmën e qirasë, por jo t’ia fal siç do Rama sepse unë s’jam milionere. Nuk i pres lekët më gërshërë. Më atë qira jetojmë. Burri im ka punuar me djersë në kurbet gjithë jetën, nuk i pa fëmijët të rriten vetëm për të blerë një shtëpi dhe atë dyqan që na mban me bukë. Tani Rama thotë që të ndihmojmë qiraxhinjtë. Po unë? Kush do më ndihmojë mua? Se qiraxhiu ka biznes të vogël dhe mesa di unë ata do marrin lekë nga shteti për këtë periudhë që s’po punojnë, por mua kush do më japë lekë? Dmth mirë lekë që s’më jep, por edhe më merr atë që e kam siguruar vetë. Kjo nuk është aspak e drejtë”, thotë Xhemilja.

Xhemilja nuk beson te shtyrja e qirasë, pasi shtyrje do të thotë lekë i falur në këtë situatë, ndaj shfaqet kritike ndaj qeverisë për këtë vendim.

Edhe Irma, e cila zotëron një apartament në një pallat të para viteve 90, në zonën e 21-dhjetorit ka bërë një lëshim për qiramarrësit e saj. Ajo tregon për Portën Vendore se i ka bërë një tolerim të vogël qiraxhinjve për muajin mars e prill.

“Unë me atë qira që marr nga shtëpia paguaj kredinë. Qiraja është 300 mijë lekë por për këto dy muaj qiraxhinjtë do paguajnë pak më pak. E di që është e vështirë por s’mund të bëj asnjë tolerim më shumë, pasi edhe vetë kam mbetur pa punë për shkak të karantinës dhe nuk mund ta përballoj dot nga financat e mia atë pjesë të kredisë. Qiramarrësit e shtëpisë time janë studentë dhe ato kanë rënë dakord për ta paguar, pavarësisht se kanë ikur në qytetet nga vinin për shkak të situatës së krijuar dhe ndërprerjes së punë në call center nga frika e ndonjë infektimi”, tha Irma, qiradhënëse e një apartamenti prej 75 metra katrorë ndërsa e komenton si non sens vendimin e kryeministrit.

Ela është dentiste dhe ka një ambient të vogël me qira në zonën e Shkozës prej 5 vitesh. Ajo tregon se biznesi i saj është mbyllur prej datës 10 mars, dhe tani pret “pagën e luftës” mundësuar nga qeveria shqiptare për të paguar qiranë.

“Paga që do të na japë qeveria më vlen shumë, të paktën nuk do ta fus dorën në xhep ato muaj që s’do jem e autorizuar të punoj për ta paguar qiranë e klinikës dentare. Aktualisht kam edhe një kredi, e cila është marrë për blerjen e pajisjeve të klinikës dentare dhe për të krijuar gjithashtu kushtet modeste për të gjithë pacientët që vijnë në klinikë. Jemi në vështirësi të mëdha, por sërish jemi optimistë duke menduar se e gjitha kjo do të marrë fund shumë shpejt”, tha Ela për Portën Vendore.

Ditën e enjte kur Kryeministri Rama publikoi disa masa të tjera që do të përfshiheshin në aktet normative e që përfshinin edhe mospagesën e qirasë nga biznesi i vogël i mbyllur për shkak të masave të marra për parandalimin e Covid 19, pronari i ambientit më komunikoi direkt për të më kërkuar qiranë e muajit. “Në fakt çdokush po ta vendosë veten në rolin e qiradhënësit nuk do të ndjente solidaritet dhe sigurisht s’do ta përqafonte këtë vendim shtrëngues të qeverisë dhe as shtyrjen e qirasë që u tha më vonë. Pronari më tha që s’donte t’ia dinte se çfarë vendimi nxirrte qeveria, dyqani ishte i tij, ndaj ajo duhet të vendoste, ose të paguante, ose të largohej nga prona”, tregon Ela për Portën Vendore.

Por kur vjen puna te financat, të gjithë shprehin pakënaqësitë e tyre, sidomos në këtë situatë që kalon Shqipëria. Megjithatë ka edhe nga ata që kanë ndërmarrë një hap solidariteti pa qenë të detyruar nga shteti për shtyrjen e qirasë.

“Unë kam folur me pronarin e dyqanit dhe ai më bëri një tolerim, duke më shtyrë qiranë me 2 muaj, për këto kohë që s’më lejohet hapja e biznesit. Por edhe unë po të isha në vendin e tij nuk do të solidarizohesha kaq shumë, pasi secili ka menaxhimin e tij financiar. Pronari i dyqanit më tha që edhe kaq, edhe po bënte shumë. Në fakt ia di për nder gjithsesi, sepse dyqanet e shitjes së rrobave janë mbyllur dhe nuk kam se si të kem shitje këto kohë, që të likuidoj qiranë”, tha Linda, e cila administron një dyqan të linjës H&M në zonën e Unazës së Re. Ajo tregon gjithashtu se meqë karantina po zgjatet ca si tepër, të mund të ofrojë shitje online nga Instagrami, në mënyrë që të ketë të paktën disa të ardhura për të jetuar.

Selami Xhepa: Vendimi i qeverisë për shtyrjen e qirave, në shkelje të së drejtës private

Vendimi qeverisë për shtyrjen e pagesave të qirave për bizneset e vogla, familjarët që kanë pezulluar punën dhe studentët, cilësohet i padrejtë dhe në shkelje të së drejtës private nga pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa. Në një prononcim për Portën Vendore, Selami Xhepa thotë se qeveria nuk ka të drejtë të ndërhyjë në një marrëdhënie kontraktore që kanë individët më njeri- tjetrin, por qeveria mund të marrë masa dhe të ofrojë subvencione në një situatë të tillë.

“Absolutisht nuk mund të quhet e drejtë një masë që ndërhyn në të drejtën private. Qeveria nëse mund të falë, mund të falë detyrime që kanë bizneset ose qoftë edhe individët në raport me shtetin. Por nuk mund të ndërhyjë me privatët për të vendosur marrëdhëniet kontraktuale midis individëve që kryhet me vullnetin e lirë të palëve. Më duket e padrejtë dhe kjo padyshim është një problem. Qeveria mund të vendosë subvencionet për masën e qirave por nuk mund të detyrojë qytetarët të ndryshojnë një marrëdhënie që rregullohet përmes dispozitave të Kodit Civil. S’mund të rregullohet as me urdhër kryeministri dhe as me ligje të nxjerra në kohë lufte”, thekson zoti Xhepa.

Nisur edhe nga qëndrimet e fundit se ky vendim mund të sjellë përçarje dhe rrëmujë civile, Xhepa thotë se nuk beson se kjo do e agravojë situatën aq shumë, por e sheh si një gjest të paprecedentë nga ana e qeverisë që shkel rëndë të drejtën e individit.

“Nuk e gjykoj në atë kontekst. Unë e gjykoj në kontekstin e së drejtës. Pastaj në një kontekst tjetër unë nuk mendoj se kjo do të çojë në një përplasje civile dhe nuk ka pse të shkojë deri atje, se në një analizë të fundit një individ në mënyrën e tij private mund ta prishë marrëdhënien në mënyrë të njëanshme dhe ta nxjerrë qiramarrësin dhe asgjë s’ndodh sepse askush nuk mund të rrijë me forcë në pronën e tjetrit. Unë nuk mendoj që është ky rasti. Sepse nuk mendoj se as qiramarrësi dhe as qiradhënësi të kenë një marrëdhënie të tillë që të ‘divorcohen’ në këtë mënyrë. Por unë e quaj një gjest të paprecedentë vendimin e qeverisë dhe që shkel rëndë të drejtën e individit”, shprehet Xhepa për Portën Vendore.