Shkëlqimi dhe rënia e qytetit të Kuçovës

2944
Sigal

REPORTAZH/ Ndërtimi si qendre urbane, zbulimi i naftës dhe historia e emrit. Flasin të moshuarit dhe ish- drejtuesit e uzinave

Kuçova është një qytet industrial i ndërtuar mbi një tokë naftëmbajtëse. Ajo shtrihet midis zonës naftëmbajtëse dhe kodrave të qytetit. Kuçova quhet dhe ndryshe “Qyteti i Gjelbër”, për shkak të pemëve, siç janë pishat, palmat dhe shumë të tjera, të cilët janë mbjellë me qëllimin që të filtrojnë ajrin e ndotur nga përpunimi i naftës. Qyteti i Kuçovës nuk njihet vetëm për naftën, por edhe për vlerat muzeale që ai ka patur në kohën e ilirëve. Sipas të moshuarve, mësohet se, ndërtimin si qytet urban, Kuçova e ka nisur në vitet 1948, ku brigada e ndërtimit “Perlat Rexhepi”, filloi të ndërtonte pallatet për punëtorët e naftës. Ndërsa Sitoraq Diamanti, 77 vjeç, tregon se Kuçova njihej edhe jashtë kufijve për prodhimin e naftës.

Fiset e para

Sipas historianëve mësohet se qyteti i Kuçovës ka qenë dhe vendbanimi i hershëm i fiseve Ilire dhe Desarët. Këtë fakt e tregojnë dhe gërmimet që janë bërë në periferi të qytetit të Kuçovës, ku ndodhet sot kisha e vjetër Shën Nikollë, që tregon, se kjo trevë ka qenë një vendbanim i lashtë me një kulturë të zhvilluar, gjë që tregohet qartë nga mënyra e ndërtimit të shtëpive dhe shëtitores për banorët e saj. Kjo shëtitore ka përmasat e një bulevardi të vërtetë me 10 metra gjerësi të shtruar me kalldrëm dhe 100 metra gjatësi, kjo gjatësi është e shtruar me gurë të gdhendur. Po kështu dhe në kodrën e Omurit, në verilindje të qytetit, janë gjendur punime mbrojtëse të ilirëve. Në vitet 1700 – 1800 këtu janë strehuar fiset Beqollari, Skurot dhe Kurtët dhe më pas Bullarët, të cilët kishin ngritur banesat e tyre në kodrat e qytetit. Këto fise fillimisht janë marrë me blegtori dhe më pas ata kanë zbuluar disa pellgje me ngjyrë të zezë. Me zbulimin e tyre ata filluan tregtinë. Ata ja kanë shitur myzeqarëve për graso, për të grasatuar rrotat e qerreve, si vajë grasatues për bucelat e qerreve dhe me pas për djegie. Kuçova njihet dhe si qyteti i parë i grevës së punëtorëve.

Kultura

Por ky qytet njihet dhe për kulturën e tij. Kori i qytetit është ngritur që në vitet 1938 dhe vazhdoi ndër vite. Qyteti Kuçovës kishte dy kinema dhe Pallatin e Kulturës ndër më të vjetrit në shkallë vendi, të cilat ishin ndërtuar nga shoqëria AIPA. Ka pasur një bibliotekë të larmishme. Ndërsa muzikanti i njohur Nito Lala, tregon se kultura dhe nafta kanë qenë të lidhur njëra me tjetrën. “Në qytet, pas krijimit të korit u ndërtua edhe ansambli dhe në vazhdim pati një rritje të madhe të kulturës”, tha Lala.

Zhvillimi më i madh i Kuçovës

Zhvillimin më të madh Kuçova e ka njohur pas Luftës së Dytë Botërore, sidomos në vitet 1975–1990. Popullsia e rrethit në fund të viteve 1980 arriti 32 000 nga 6 400 banorë që ishte në vitin 1938. Në vitin 1944, për stabilizimin e gjendjes shumë të rënduar në Kuçovë si pasojë e djegieve dhe shkatërrimeve të bëra nga pushtuesi, Qeveria e Përkohshme e Beratit urdhëroi ngritjen e një Komisariati të Jashtëzakonshëm për naftën. Ky komisariat do të kishte atributet e një drejtorie të përgjithshme, e cila do të vinte në punë të tërë sistemin e shfrytëzimit të vendburimeve. Në vitin 1951, me vendim të veçantë të Qeverisë Shqiptare, në Kuçovë u krijuan 11 ndërmarrje ekonomike, ndërsa në vitin 1970 radhitej ndër qendrat më të zhvilluara në shkallë vendi. Në këtë periudhë në Kuçovë shtrinë veprimtarinë e tyre 15 ndërmarrje, ku më të rëndësishmet ishin Uzina e Përpunimit të Naftës, Uzina Mekanike e Naftës, Shpim Shfrytëzimi, Ndërmarrja e Nxjerrjes së Naftës, TECI, Transporti, Ndërtim Montimi, Laboratori Shkencor i Naftës, Fabrika e Pluhurave Larës, Fabrika e Tullave (ndër të paktat në Shqipëri që prodhojnë tulla me përqindje të lartë argjile), Shkolla e Mesme Politeknike (kjo shkollë ka arsimuar nxënës të ardhur nga të gjithë rrethet, shumë prej të cilëve në ditët e sotme janë funksionarë dhe pedagogë të rëndësishëm dhe me emër në universitetin e Gjeologji-Miniera) etj..  Gjithashtu ka pasur edhe Gjimnazin për shkollën e Mesme të Përgjithshme. Pa llogaritur edhe Aviacionin Ushtarak, të pajisur me një aerodrom modern për kohën. Edhe pse Kuçova ka patur një zhvillim industrial shumë të vrullshëm, deri në vitin 1991 ka qenë e përfshirë në rrethin e Beratit. Nga ai vit funksionon si rreth më vete, brenda Qarkut të Beratit.

Qyteti sot

Kuçova ende vazhdon të ruajë fizionominë e dikurshme, si një qytet i parë industrial edhe pse 80 për qind e ndërmarrjeve u mbyllën e ndërsa një pjesë tjetër u shkatërruan dhe u vodhën. Në këtë qytet, në ditët e sotme mbizotëron qetësia. Zhurma e industrisë ka vdekur. Nga ndërmarrjet e dikurshme vetëm  sekuencat filmike mund të shohësh. Ish-Kuadri i parë i Uzinës së Përpunimit të Naftës ka qenë Hekuran Rroko, si cili shprehet për “Telegraf”, se nga përpunimi i naftës nxirreshin edhe nënproduktet të tjera si benzina, graso, solar, vajguri etj.. Benzina dhe vajguri që prodhoheshin nga kjo ish-uzinë ishin në një cilësi shumë të lartë. Ato përdoreshin për avionët, ndërsa një pjesë tjerë ngarkohej me bote dhe eksportohej jashtë vendit. Në vitet kur uzina ishte në eficiencë të plotë në ditë ngarkoheshin jo më pak se 10 bote me karburant, të cilin më pas niseshin për në shtetet e Europës, sipas kontratës. Sot pas shkatërrimit, punëtorët e kësaj uzine enden rrugëve. Uzina Mekanike e Naftës “Heroina e Punës Socialiste”, ishte perla e industrisë mekanike dhe asaj të naftës. Aty ishin të punësuar 1200 punëtorë. Kjo uzinë i shërbente industrisë së naftës dhe minierave, ku prodhoheshin pajisje me cilësi të lartë europiane. Drejtori saj ka qenë shoku, Pilo Peristeri. Tashmë kjo uzinë është katandisur në 140 punëtorë. Ndërmarrja e Shpim Kërkimit, e vetmja në shkallë vendi, që shërbente për shpimin e pikave të reja të puseve të naftës sot nuk ekziston më. Ndërmarrja e Prodhimit të Naftës, një nga më të mëdha na shkallë vendi, sot është reduktuar aq shumë, ku nga 800 punëtorë punojnë çereku. Shumë ndërmarrje të tjera janë mbyllur. Sot në këtë qytet ka një popullsi prej 34 mijë banorë, ku 12 mijë janë të papunë.

Si u zbulua nafta nga të huajt

Në Luftën e Parë Botërore në Kuçovë kanë mbërritur ushtritë e huaja. Një nga këto ushtri ka qenë dhe ajo austriake. Reparti ushtarak është vendosur në përroin e Polovinës. Në vitin 1916, një inxhinier -gjeolog pjesëtar i këtij reparti ushtarak gjatë një stërvitjeje që po kryenin në afërsi të përroit, ka vënë re se uji i përroit që rridhte nga kodra vinte me naftë. Pasi e shëtiti me këmbë vendin, ai arriti në përfundimin se Kuçova ishte një vend me pasuri të madhe nafte. Këtë fakt ai e bëri publik në vitin 1918. Që nga viti 1918 deri në vitin 1924, në Kuçovë erdhën shumë shoqëri kërkuese të naftës si AIPA, një shoqëri Anglo – Persiane, Shoqëria Amerikane e Naftës si dhe shoqëritë franceze etj.. Pusi i parë është shpuar në vitin 1928 në vendin e quajtur “Dikatër”. Deri në vitin 1943 vendburimi i naftës u shfrytëzua nga shoqëritë italiane.

Qyteti me dy emra  

Sipas të moshuarve bëhet e ditur se, qyteti në vitin 1951 i është ndërruar emri nga “Kuçovë” në “Qyteti Stalin”. Kjo u bë pasi Shqipëria kishte marrëdhënie me ish-Bashkimin Sovjetike dhe me Stalinin. Për këtë Qeveria Komuniste i vendosi emrin “Qyteti Stalin”, pasi Stalin, po e ndihmonte Shqipërinë si në industrinë e naftës, por dhe në ushtri. Këtë emër ky qytet e ka mbajtur deri në vitet 1991. Në këtë vit ka qenë një vendim tjetër i Presidiumit Popullor që shkruante: “Qyteti Stalin” të emërohet me emrin e mëparshëm, Kuçovë. Ky vendim i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me numër 349, i përket datës 5 janar 1991 dhe mban firmën e Ramiz Alisë e Sihat Tozës. Me përjashtim të pjesës hyrëse me rrethanat kushtëzuese të aktit, ku renditet kërkesa e Këshillit të “Qytetit Stalin”, mendimi i banorëve, neni 78 i Kushtetutës, propozimi i Këshillit të Ministrave për ndryshim e emërtimit dhe dispozitës fundore “ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, dekreti nuk përmban asnjë fjalë tjetër.