Durrësi me romët e varfër të qytezës së ndërtuar me plastmas

827
Sigal

Fati i foshnjës që vdiq në Tiranë i ndjek edhe fëmijët e këtij komuniteti. Shumica e tyre janë të sëmurë dhe s’kanë ushqim

Pikërisht në pikën më të bukur kur vjen në Durrës nga lartësitë e Kodrës së Rrashbullit tashmë në vend të një panorame të bukur që të prezantonte dikur Durrësin, ajo që të tërheq vëmendjen është një qytezë romësh e tëra prej plastmasi. Është mbase qyteza më e re në vend, pa emër, pa kanalizime, pa ndriçim, pa ngrohje, me shumë halle dhe probleme ekonomike sociale. Është një vend, i cili mund të ketë shumë zona të tjera në të njëjtin nivel, por që kur e viziton kujtohesh se Hygoi në librin “Të mjerët” me gjithë mizerabilitetin që përshkruan në disa kapituj të tij, nuk ka një përshkrim të ngjashëm me varfërinë e këtushme.

Jetesa

Në hyrje të këtij vend banimi, të presin një tufë fëmijësh, të veshur dhe të zhveshur. Janë të shumtë dhe të uritur. Ndërsa oborri i hapur mes dherave të hedhura është i sistemuar me kasolle të reja. Janë të gjitha kasollet e plastmasit. Me plastmas të mbuluara, me plastmas të shtruara, paretet anësore krejtësisht prej plastmasi. Dhe varfëria e shtruar këmbëkryq në mes të këtyre mureve plastike. Janë rreth 70 banore gjithsej në këtë qytezë. Edhe me të rriturit janë të sëmurë. Një grua Bedrie Kalla me mbi të 50 vitet e jetës së saj thotë se është e sëmurë me astmë dhe kushtet, ku jeton vetëm se ja shtojnë pasojat e sëmundjes. Ajo tregon një traste plastmasi, në të cilën ka një sasi ilaçesh të blera dhe një sasi tjetër siç thotë ajo vetë të falura. Ndërsa për drekë thotë se nuk ka asnjë kafshatë buke për t’u dhënë fëmijëve. Është duke pritur që të çojnë për të shitur disa kanaçe dhe bidonë plastikë me shpresë për të blerë diçka për drekë. Pasi dhe ky është biznesi i tyre i përditshëm. Biznes i varfër pasi siç thotë ajo “edhe koshat e plehrave janë varfëruar”. Dhe mes kësaj varfërie fjala e saj: “Qafsha kalamajtë jemi pa bukë”, bëhet veçanërisht e rëndë kur ke përreth aq shumë fytyra fëmijësh të sëmurë dhe të uritur. Përballë banesës së saj, ndodhet edhe një tjetër kasolle më e vogël, edhe ajo e ambalazhuar me plastmas. Në të, tregon Bedrija, jeton së bashku me 5 fëmijë vajza e saj. E quajnë Zamira Sula. Janë burrë e grua dhe kanë 5 fëmijë. Brenda banesave natën, qahen fëmijët bën shumë ftohtë. Nuk mund të ndizen as zjarr dhe jemi pa drita. Fëmijët janë të shumtë, por për fatin e keq të tyre, janë të gjithë analfabetë. Të vegjlit nuk komunikojnë as në gjuhën shqipe. Kur ju flet heshtin dhe më të mëdhenjtë të thonë se ata nuk ju kuptojnë, sepse  komunikojnë vetëm në gjuhën e tyre rome… Realisht jemi në një qytezë thuajse tërësisht analfabete… ku askush nuk di shkrim e këndim. Dhe një lloj si analfabetizmi këtu është masive edhe varfëria dhe sëmundjet. “Nuk shkojmë dot as në shkollë të thonë dhe as tek mjekët. Duhet të përpiqemi që të sigurojmë jetesën. Nuk kemi lekë për sëmundje dhe gjera të tjera. Thuajse të gjithë jemi të sëmurë, por s’kemi çtë bëjmë”. Këto janë disa shprehje që i dëgjon ngado që flet me ta. Ne jetojmë me kanaçet thonë dhe shishet e plastikës. Nuk lëmë kazanë dhe kanale me ujëra të zeza pa hyrë për t’i gjetur. Është jetesë e rëndë po çfarë të bëjmë tjetër. S’kemi asnjë mundësi punësimi. Ndërkohë që thonë se të ardhurat që sigurojnë janë minimale. Qëllon që kapin rreth 1500 lekë të vjetra deri në 5000. Po më kaq nuk jetohet, ankohen ata.

Romët dikur ishin… ndryshe 

Dhe ndërkohë duke bërë një krahasim të një fotoje me banore të të njëjtit komunitet që i përket vitit 1918 vëren se atëherë jeta nuk ka qenë kaq dramatike për ta. Madje, në foton e vjetër të bërë nga turistet e huaj të asaj periudhe ose dhe Marubi, vërehet se ka shumë gëzim dhe shumë diell. Është një familje me gardh, fëmijë që festojnë. Me dajre dhe një person tjetër është duke i rënë violinës. Ndërsa në qytezën më të re të Durrësit, ky lloj gëzimi nuk ka vend mes varfërisë së egër dhe astmatike që të trishton.

 Fati i keq i fëmijëve të vegjël

Këto ditë është folur shumë në opinion mbi vdekjen e një fëmije rome nga i ftohti në Tiranë. Pasi nuk kishin kushte dhe as ngrohje. Por në të njëjtat parametra jetojnë edhe romët në qytezën në afërsi të Kodrës së Rrashbullit dhe lagjes “Nish Tulla”. Aty kanë lindur 7 muajsh dy binjakë, në fillim të nëntorit dhe desh vdiqën. Tashmë janë në Tiranë me gjithë nënën e tyre, por kur të dalin nga spitali do të vinë përsëri këtu, por do Zoti kujtohen dhe i dërgojnë në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë thonë banorët romë, se këtu s’ka asgjë, as ujë për t’u larë e për të pirë.