Shkaktoi shpërthimin e madh në Lushnjë me dy të vdekur dhe 7 të plagosur, vinçi ishte i ngarkuar me bombola oksigjeni

19
Sigal

Kontakti aksidental i një vinçi me linjën e tensionit të lartë shkaktoi një shpërthim katastrofal në një kapanon në Lushnjë. Ngjarja me pasojë vdekjen e dy personave, babë e bir dhe plagosjen e 7 të tjerëve, përfshi edhe deputetin e Partisë Socialiste, Bujar Çela ndodhi  gjatë punës për ndërtimin e një kapanoni, ku 55-vjeçari Landi Hoxha duke drejtuar një vinç aksidentalisht preku linjën e tensionit të lartë.

Paraprakisht dyshohet se vinçi ka qenë duke ngritur bombola me oksigjen, të cilat do të përdoreshin për saldimin e pjesëve metalike të kapanonit dhe nga kontakti me linjën e tensionit të lartë u shkaktua shpërthimi i fuqishëm.

Si pasojë e shpërthimit humbi jetën drejtuesi i vinçit, 55-vjeçari Landi Hoxha dhe djali i tij 24-vjeçar Elidon Hoxha, i cili ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital. Mësohet se babe  e bir kishin vetëm një muaj që ishin kthyer nga emigracioni, ndërsa kjo e premte ishte dita e parë e punës në këtë kapanon qe rezultoi fatale për jetën e të dyve.

7 të plagosurit janë dërguar në spital, ku 3 prej tyre, përfshi edhe deputetin Bujar Çela janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar, ndërsa 4 të tjerët po mjekohen në Spitalin e Lushnjës. Sipas informacioneve nga spitali, gjendja e të plagosurve është e qëndrueshme, ndërsa deputeti Bujar Çela ka pësuar politraumë dhe është jokoshient.

Në vendngjarje, përpos efektivëve të policisë mbërritën edhe ekspertët e Njësisë Antieksploziv, pasi në ambientet e kapanonit gjenden disa bombola, të cilat fatmirësisht nuk kanë shpërthyer. Shpërthimi i shkaktuar nga bombolat me oksigjen, të cilat ranë kontakt me rrymën elektrike gjatë transportimit me vinç ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, jo vetëm në ambientet e kapanoni, por edhe në bizneset përreth, pronarët e së cilëve shprehen se janë tronditur nga ngjarja.