Sherr në Kamzë, pronari i lokalit plagos me armë klientin

361
Sigal

Panik pas mesnate, në një lokal në Kamzë. Një sherr nisur për motive të dobëta ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.

Pronari i lokalit ka qëlluar me armë një klient, dhe pasi e ka plagosur ka tentuar ta qëllojë serish, këtë radhe jashtë ambienteve të lokalit.

Por sinjalizimi në kohë dhe ndërhyrja e policisë kanë shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Bashkëpronari i lokalit, shtetasi F. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, në brendësi të lokalit është përfshirë në një konflikt fizik e verbal për motive të dobëta, me shtetasin R. C. (klient lokali) dhe më pas konflikti ka vijuar në ambientet e jashtme të lokalit.

Si pasojë e konfliktit shtetasi F. K. ka plagosur me armë zjarri në dorë, shtetasi R. C., 39 vjeç., i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”– njofton policia.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me armë zjarri, që mund të përfundonte në vrasje.

Plagosi me armë zjarri një klient, pas një konflikti të çastit, dhe në vijim të konfliktit e ka qëlluar përsëri për ta vrarë, falë ndërhyrjes në kohë, Policia i bllokoi armën pronarit të lokalit duke parandaluar vrasjen e klientit.

Sekuestrohet arma e zjarrit me të cilën autori kreu plagosjen.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, pas njoftimit të marrë rreth orës 02:20, se në Kodër Kamzë, në një lokal, kishte një konflikt verbal e fizik mes pronarit të lokalit dhe një klienti, kanë shkuar menjëherë në drejtim të adresës së dhënë.

Bashkëpronari i lokalit, shtetasi F. K., 35 vjeç, banues në Tiranë, në brendësi të lokalit është përfshirë në një konflikt fizik e verbal për motive të dobëta, me shtetasin R. C.

(klient lokali) dhe më pas konflikti ka vijuar në ambientet e jashtme të lokalit. Si pasojë e konfliktit shtetasi F. K. ka plagosur me armë zjarri në dorë, shtetasi R. C., 39 vjeç., i cili u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin që shtetasi F. K. po qëllonte përsëri në drejtim të shtetasit të plagosur, ndërhyrja në kohë e me profesionalizëm e punonjësve të Policisë ka bërë të mundur parandalimin e vrasjes, duke i hequr armën nga dora shtetasit F. K. dhe duke e prangosur atë.

Materialet hetimore në lidhje me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.