Naftëtarët protestë para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë: Kemi 20 paga pa marrë, jemi vjedhur e tallur

62

Ashtu sikundër paralajmëruan një ditë më parë, naftëtarët e Ballshit janë mbledhur sot për të protestuar para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ata deklarojnë se kanë 20 paga të pamarra dhe 11 muaj pa punë, ndërsa gjendja e tyre ekonomike është e vështirë. Naftëtarët deklarojnë se protestat dhe manifestimet kanë rënë në vesh të shurdhër dhe se situata tashmë është bërë e padurueshme.

Por ndërsa naftëtarët janë mbledhur për të protestuar, forca të policisë kanë ndërhyrë për të mos lejuar mbajtjen e protestës, për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Prej shumë vitesh ne, naftëtarët e Ballshit, jemi vjedhur, tallur e nëpërkëmbur nga pronarët dhe pushtetarët. Kemi thuajse 20 paga pa marrë, edhe pse i kemi fituar me gjyq. Jemi të papunë këta 11 muaj të fundit, pa bukë për fëmijët dhe familjet tona!

Ju bëjmë thirrje gjithë naftëtarëve që të bashkohen ditën e nesërme, 17 SHTATOR, ORA 11:00, PARA MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË!

Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen dhe t’na mbështesin në kërkesat tona.

BASHKOHEMI PËR TË DREJTAT TONA, PËR DJERSËN E BALLIT DHE BUKËN E FËMIJËVE!

PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” – thuhej në njoftimin e naftëtarëve ku njoftohej për mbajtjen e protestës ditën e sotme.