Korça u shfaq e relaksuar, shëtitje te kodrat e qytetit
Nga Vepror Hasani
Mëngjesin e sotëm banorët e qytetit të Korçës dolën herët nga shtëpia. Pati edhe nga ata që mezi e kishin pritur mbërritjen e orës 5.00. Pas tyre, të tjerë njerëz iu drejtuan dyqaneve ushqimore, të bukës, fruta-perimeve, farmacive, bankave etj. Disa prej adhuruesve të kodrave të qytetit u nisën drejt tyre. Ishte një mëngjes i freskët prilli me lëndina të mbushura nga lulet. Kjo pjesë e qytetarëve është e pasionuar pas vrapimeve, gjimnastikës dhe shëtitjeve deri në krye të malit Morava. Gjithkush prej tyre mbante distancën nga tjetri. Kishte shumë rregull dhe shumë kujdes për respektimin e masave për mospërhapjen e virusit corona. Në fakt rregulli dhe kujdesi u shkon për shtat qytetarëve të Korçës, tek ata merr kuptim edhe një thënie e Aristofanit: “Njerëzit e mençur, edhe sikur të gjitha ligjet të shfuqizoheshin, do të vazhdonin ta bënin jetën e njëjtë.”
Qytetarë të relaksuar
Gjithkush prej tyre ndihej i realaksuar. Ditët e fundit për qytetin e Korçës rrodhën ndryshe nga të mëparshmet. Vetëm dy ditë më parë morën lajmin se 14 bashkëqytetarë që gjendeshin në Spitalin Infektiv të Tiranës ishin shëruar, kishin dalë fitues mbi virusin corona. Lajmi u dha nga drejtori i Spitalit Rajonal të Korçës, Litian Broka, mes tyre ishte edhe mjekja që ishte infektuar gjatë punës së saj me personat e prekur nga virusi. Një ditë më pas përsëri mbëriti një lajm i gëzueshëm: Nga spitali Infektiv kishte dalë edhe personi i 15-të. Tashmë nga 18 veta që rezulonin të prekur nga virusi që rrëmbën jetë njerëzish, (17 të Korçës dhe 1 i Devollit), në spitalin infektiv kanë mbetur vetëm 2. Pritet që së shpejti edhe ata të kthehen pranë familjeve të tyre. Të ardhurve nga spitali infektiv u duhet të qëndrojnë për 14 ditë në banesat e veta, dhe më pas, nëse duan të dalin, mund të aplikojnë për të bërë pazarin e shtëpisë. Por edhe pse nga banorët e Korçës po respektoheshin rregullat e përcaktura, sërish policia ishte e pranishme në çdo cep të qytetit. Ndërkohë në rrethin e Pogradecit dhe të Kolonjës deri më sot nuk ka patur asnjë rast të prekur nga virusi në fjalë. Gjithashu prej disa ditësh nuk ka patur të shtruar në spital me Covid-19.
Patrulla policie
Megjithatë, patrullat e policisë nuk kanë munguar, ato kanë qenë të pranishme edhe te parku “Rinia”, ku mendohej se mund të grumbulloheshin qytetarë të moshave të ndryshme, ashtu siç kishte ndodhur edhe më parë, pasi parku në fjalë mbetet një nga parqet me të frekuentuara. Gjithashtu, policia ka qenë në kontrolle të vazhdueshme, nëse qytetarët ishin të pajisur me autorizim ose jo. Mësohet gjithashtu se gjatë kësaj dite ka patur persona të gjobitur ose të shoqëruar në Komisariat për shkak të shkeljes së masave të parandalimit të përhapjes së virusit Korona. Kontrollet do të vijojne të jenë prezente edhe në ditët në vijim.
Bizneset në vështirësi
Në të njëjtën kohë gjatë ditës së sotme ra në sy edhe hapja e bizneseve të tilla si serviset, të cilët vijojnë të kenë probleme të shumta për shkak të mungesëssë klientëve, sepse prej një muaji nuk kanë patur punë, për shkak të qarkullimit të reduktuar të mjeteve, ndërsa e vështirë për ta mbetet edhe blerja e pjesëve të këmbimit dhe materilaet e tjera të nevojshme, pasi nuk lejohet nga policia që të qarkullojnë lirshëm, por vetëm në dy orare dhe me destinacion të përcaktuar. Në këtë gjendje janë edhe bizneset e tjera të ngjashmë me serviset. Megjithatë shpresohet që ky problem të zgjidhet sa më shpejt të jetë e munduar, pasi aktiviteti i tyre është në kolaps.




















