Sandër Kovaçi: Duan t’a lënë Shqipërinë pa rini

115
Sigal

Asnjë hap në drejtim të përmbushjes së kërkesave të pedagogëve. U desh të shuheshin zërat e tyre që ministria përgjegjëse të lërë në harresë gjithë çfarë u tha e u kërkua me insistim për disa javë rresht. Nga shtesa reale e pagave, paga për vjetërsinë, njohja dhe kompensimi për dëmshmërinë në punë, rivlerësimi i orëve mësimore e deri te gradat shkencore e implementimi i kapitujve të ligjit të arsimit të lartë që penalizojnë arsimin publik. Të gjitha këto, MAS i ka lënë në harresë, por profesorati jo. Ata rindezën dje protestat për një universitet më cilësor dhe paralajmëruan një tubim pas një jave përpara Universitetit Politeknik të Tiranës. Sindikata duket se ka hequr dorë nga bojkoti i sezonit të provimeve, duke kërkuar rrugë paqësore për përmbushjen e kërkesave dhe jo ato drastike. Me organizimin e protestave disajavore, sindikata thotë se qeveria ka shembur të gjitha urat e komunikimit me ta, duke treguar një kryeneçësi, prepotencë dhe ndërhyrë në punët universitare. Në fjalën e tij për mediat, Kovaçi tha se universitetet po kthehen në pronë private, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk do që studentët të jenë të suksesshëm në rrugën e tyre. Kreu i kësaj sindikate tha se baza e protestës janë kërkesat e peticionit të firmosur nga pedagogët. “Kjo VKM sjell asgjësimin e themeleve, mbi të cilat ngrihen universitetet publike dhe i kthen ata në pronë private. Kjo do të sjellë mbylljen e universiteteve në rrethe që do të sjellë shpopullimin. Përqendrimi i programeve në Tiranë është një tjetër shqetësim, përfaqësues të qeverisë apo të kuvendit secili prej kolegëve nënshkrues të peticionit e dimë që ekziston gjithmonë një zgjidhje për problemet. Nëse do të kishte një vullnet të mirë kërkesat do të ishin miratuar. Qëllimi është që studentët tanë të bëhen të suksesshëm në rrugët e jetës. Qeveria po dëshmon se nuk i do studentët e me sa po duket, e do këtë vend dhe pa fare rini”. Nisur nga kjo, kreu i sindikatës bëri thirrje për zhvillimin e një tubimi kombëtar universitar, të mërkurën e javës që vjen, në 22 shkurt, ora 12:00 pranë universitetit Politeknik. Si çdo herë tjetër, Kovaçi kërkoI mbështetjen e profesoratit, stafit ndihmës akademik dhe ndihmës administrativ, studentëve e më gjerë.