Sa herë vjen 5 Maji

784
Ilir Balili 
Trokiti përsëri muaj Maji, kur dehen dhe gurët. U bënë dekada që hyn ky muaj, simbol i stinës së begatë, me plot hire, ngjyra, shpresa. E mendja pa dashur na shpie nëpër djep e sheshe lufte, atje ku u përkund fillimisht foshnja e lirisë, atje ku zë rrënjë ulliri i epopesë më të fundit, por që mori një datë simbol në historinë e Shqipërisë. Ishte kohë dramatike, ku lënda e tragjedive ishte jo vetëm ide. Ishte atëherë kur po projektohej edhe një herë copëtimi i vendit tim, në gadishullin shesh lufte problematike. Ishte koha kur Atdheu ynë i mjeruar e i pushtuar, ishte në udhëkryq dhe dy herë i fyer në sedrën kombëtare. Ishte pikërisht koha, kur Shqipëria jonë e popuj të tjerë liridashës, e ndien, kuptuan kohën dhe bënë gjestin e lartë patriotik, duke ngritur krye për të dëbuar murtajën nazifashiste. Ishin retë e zeza të luftës që dukeshin e krijonin përshtypjen se koha kishte ndalur. Por jo, koha ecte, ajo nuk mund të ndalej. E në këtë kohë lufte të gjatë, të vështirë e me kosto të shtrenjtë, me privacione e sakrifica sublime të pakrahasimta, populli ynë si rrallë herë në histori, mori përsipër të heqë qafe robërinë e re. Në krye e në ballë të saj, ishte ajka e bijve më të shquar atdhetarë të kohës. I thirri ndërgjegjja kombëtare. Ishte zëri i Atdheut të drobitur, të djegur e shkretuar. Dhe erdhi liria e ëndërruar, ajo kryedëshira e çdo populli me tradita kryengritëse. Asgjë nuk u kursye për atë kryegjënë, që e kishte në gjak çdo shqiptarë pa dallim. Me bukë e pa bukë shumë herë, por me zjarrmi patriotike, me gjithë hezitimet, kapriçiot, inatet e ndërsyera nga fqinjët grabitqarë rreth e rrotull e plot faktor të tjerë brenda e jashtë që kishin ndikim e prezencë aktive atëherë, vendi u çlirua. Mundi nuk shkoi dëm. E kështu erdhi liria, aspirata më e arrirë në rrethanat gjeopolitike të asaj kohe. Po gjërat nuk do të shkonin siç kishim dëshirat. Procesi i lirisë s’mund të ishte krejt i sigurt dhe ajo do të ishte gjithnjë e kërcënuar, ndaj duheshin aleanca e traktate, por koha dëftoi se edhe këto nuk qëndruan besnike. Por epopeja e luftës nacionalçlirimtare mbetet një faqe e lavdishme për specifikat e veçanta të saj, pse pjesëmarrja e Shqipërisë në koalicionin më të madh antifashist me në krye B.S. SHBA dhe Anglinë, përbën një kapitull lavdie në fitoren e popujve kundër bishave naziste e fashiste në Luftën e II-të Botërore. Ky gjest i lartë patriotik ka lënë gjurmë të thella në histori, ku për 3-4 vite lufte me mote të ashpra e armik të egër, u derdh pa kursim gjak i pastër shqiptari për çlirimin e Atdheut, që nga Konispoli deri në Dibër, Mat, Kukës,Tropojë, Shkodër e më tej në trojet tona natyrore, në ish- Jugosllavi. Në të tëra këto vende, ranë me emrin e atdhedashurisë, më shumë se 28.000 dëshmor e viktima. Rrëketë e gjakut të derdhur nga dëshmorët shqiptarë, shkuan e ndodhen në detet e lavdisë me ngjyrë të kuqe, janë aty bashkë me 32 milionë të vrarë dhe 26 milionë të tjerë të shfarosur në luftë, gati aq njerëz sikur te shuhej e zhdukej e gjithë popullsia e gadishullit të Ballkanit. Këta martirë antifashist nga e tërë bota, ranë për idealin e lirisë, në kasaphanën e Luftës së II-të Botërore, nga më të përgjakshmet në historinë e njerëzimit. E kështu ndodhi që Shqipëria e vogël, të jetë ndër vendet më të rralla që e pagoi kaq shtrenjtë lirinë. Këta bij e bija, vëllezërit e motrat tona nga më të mirët, janë martirë e “dëshmitarët” më të gjallë në qiellin e lirisë. Ata nuk do ta njohin asnjëherë pleqërinë, ndaj kujtohen e do të kujtohen çdo 5 Maj. Koha ecën dhe historia mban shënim e reflekton. Është shenjë e mirë dhe kuptim i thellë patriotik, pse gjaku i derdhur për lirinë, çmohet e nderohet çdo fillim maji, ditën simbol, nga të tërë, pa dallime duke respektuar idealin kombëtar. Kjo ditë e veçantë tani e kthyer në traditë tregon kulturën qytetare, mirëkuptimin e humanizmin edhe në botën e sotme globale. Ajo dëfton gjurmët historike të një populli relativisht të vonuar në raport me të tjerë e me fat të sakatosur. Por ky vlerësim tregon gjithashtu se, krismat, gjëmimet, ulërimat e kujet e luftës, asnjëherë s’duhen harruar, ndryshe do të na zërë rënkimi i të rënëve, dëshmorëve të kombit. Në të njëjtën kohë, kjo ditë përkujtimore, gjithnjë do të na krenojë përpara botës së kulturuar e përparimtare dhe do t’ia hijeshojë fytyrën Shqipërisë, duke e radhitur ndër vendet me vetëdije të qartë kombëtare. Pa dëshmorë heronj e, fatkeqësisht dhe viktima, s’ka histori e aq më tepër krenari atdhetare. Ndoshta do të vijë një ditë, që 5 Maji i pranishëm gjithherë, do të marrë një trajtë më të gjerë si ditë e bekuar, për të gjithë dëshmorët e luftërave ndër shekuj për liri, e prosperitet, pse kush bie për vatanin e lirinë e popullit të tij e më tej në çdo rrethanë, mbetet i pavdekshëm përjetë në panteonin e lavdisë. 
Sigal