Partizani, ushtaraku dhe kirurgu “duar artë” Ismail Feta

804
Dok. Arqile Veshi
Gjatë karrierës time si kuadër i lartë në Ushtrinë Shqiptare, pata nderin që të bashkëpunoja edhe me të nderuarin Ismail Feta. Në shenjë nderimi për shokun dhe bashkëpunëtorin e talentuar në të gjitha fushat, si ato profesionale dhe shoqërore, dëshiroj të lë të shkruara vlerësimet dhe konsideratat e mia personale, por mendoj edhe të opinionit të gjerë, për kirurgun dhe njeriun që të shëronte sa me mjekim aq edhe me fjalën e ëmbël e dashamirëse.
1. Fëmijëria dhe “Shkolla e parë” e jetës si partizan.
Ismail Feta lindi, më 20 tetor 1927, në një familje me shumë fëmijë, me të ardhura të pakta në fshatin Zagrad, Komuna Bellovë e rrethit Dibër ku dhe mbaroi shkollën 7-vjeçare. Duke qenë kjo përbërje familjare ai kaloi një fëmijëri të vështirë, pasi i duhej që në moshë fare të re të bëhej mbështetje për të atin duke kryer punë të vështira e të rënda për të siguruar të ardhura për shtëpinë, por pa lenë pas dore vazhdimin e shkollës në Bellovë disa kilometra larg vendlindjes. Hallet e familjes e detyruan që në moshën 13-vjeçare të largohej nga vendlindja dhe të shkonte në Tiranë për të punuar në punë të ndryshme, herë si shërbëtor tek disa tregtar dibranë dhe herë-herë të shiste gështenja nëpër rrugët e Tiranës.

Kjo periudhë përkon me fillimet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare ku djaloshi dibran lidhet me lëvizjen Antifashiste, duke ndihmuar njësitet guerile në aksionet e tyre luftarake në qytetin e Tiranës. Kur brigadat partizane me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kaluan në Veri, në ndjekje të pushtuesve nazistë, ndonëse i ri në moshë u rreshtua në përbërje të Brigadës së 18-ë Sulmuese si partizan i thjeshtë dhe pasi bëri një kurs të shkurtër organizuar nga mjeku i brigadës për infermier, shërbeu si i tillë në kompani, batalion dhe në brigadë deri në çlirimin e plotë të vendit. Për kontributin e dhënë gjatë LANÇ-it, modestia e tij e tepruar dhe neglizhenca e organeve përkatëse, bënë që ai të mos merrte statusin e veteranit të LANÇ-it, të cilin për kontributin e dhenë e meritonte plotësisht.

2. Arsimimi dhe kontributi si kuadër ushtarak.
Pas çlirimit të vendit nga pushtuesit nazi-fashist, Ismail Feta për shkak të rrethanave familjare dhe kontributit që dha gjatë LANÇ-it, fillimisht u dërgua për t’u arsimuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, të porsa hapur, ndërsa në vitet 1947-1951 u dërgua në shkollën e mesme mjekësore në Lubjanë të Sllovenisë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, dërgohet në Akademinë Ushtarake në Kiev të Ukrainës dhe përfundoi studimet e mesme për ndihmës mjek. Pasi punoi gati një vit mjek në Shqipëri në vitin 1952-1959 kreu studimet për mjekësi në Akademinë Ushtarake Mjekësore “Kirov” në Shën-Petërsburg me rezultate të shkëlqyera. Sipas tij, periudha e studimeve 1952-1958 ishte për organizimin dhe drejtimin e shërbimit shëndetësor në raste lufte në të gjitha strukturat ushtarake të ushtrisë. Pikërisht këto njohuri që Ismail Feta kishte marrë në Akademinë Ushtarake Mjekësore në ish-Bashkimin Sovjetik për të cilat kishte dokumente dhe literaturë të mjaftueshme për këtë qëllim. Me këtë literaturë të pasur, me të cilën, pasi unë u njoha dhe u konsultuam me të, gjatë kohës që ai kryente detyrën e Shefit të Degës së Shëndetësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, së bashku i implemtuan edhe në strukturat e ushtrisë Shqiptare. Kështu duke u bazuar në përvojën e deri atëhershme, kushteve e rrethanave të vendit tonë dhe sugjerimeve të doktor Ismailit, shtruam dhe konsoliduam shërbimin shëndetësor të ushtrisë në të gjitha hallkat batalion-grup, regjiment-brigadë, korpus-divizione dhe në bazat e furnizimit të ushtrisë. Në këto hallka u vendosën strukturat njerëzore e materiale të domosdoshme, kështu në hallkat kompani-batailon shërbimi infermierik, në hallkat regjiment-brigadë shërbim spitalor, në hallkat korpus-divizion shërbimi spitalor dhe në hallkat e bazat e të furnizimit të ushtrisë, shërbimi spitalor i specializuar. Në çdo hallkë u krijua edhe baza materiale me pajisjet e nevojshme deri në salla operimi për çdo brigadë, divizion dhe bazat e furnizimit. Duke qenë se Ismaili kishte studiuar për organizimin e shërbimit shëndetësor dhe e njihte mirë atë, prandaj edhe i jepte rëndësi të veçantë, pasi nuk është e lehtë të organizosh punën për t’u shërbyer në kushte fushore 50-100 të plagosur, prandaj edhe u konkludua që për hapjen dhe funksionimin e spitaleve ushtarake në kohë lufte, krahas strukturave të lartëpërmendura, me anë të ligjeve dhe nënligjeve, u caktuan edhe objekte social-kulturore për këtë qëllim, si spitale rurale, konvikte apo shkolla në rajone ku mund t’u shërbenin këtyre formacioneve luftarake. Për aftësinë organizative dhe drejtuese të Doktor Ismail Fetës, flet edhe kujtesa e gjithkujt që është shtruar apo dikë që ka qenë vizituar në pavionet e shërbimit kirurgjik në ish-spitalin ushtarak që drejtonte Ismaili Feta e Spiro Dedja. Ato pavione, ndonëse me pak orendi e pajisje shkëlqenin nga rregulli e pastërtia që kënaqte vizitorët dhe shëronte pacientët. Ai ambient shembullor që krijonte drejtimi profesional e njerëzor i atij sektori nevralgjik për një spital. Krahasuar me të sotmen q,ë ndonëse investime janë bërë shumë por ambienti lë për të dëshiruar, sepse shefat e reparteve apo pavioneve nuk merren dhe nuk mbajnë përgjegjësi për rregullin, disiplinën e ruajtjen e ambientit në sektorin që organikisht marrin rrogën si shef pavioni apo sektori.

3. Arsimimi dhe kontributi si mjek në fushën e kirurgjisë.
Ismail Feta pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë në Shën Pjetërsburg, qëndroi edhe një vit mësimor 1958-1959 për t’u specializuar në fushën e kirurgjisë sidomos për operacionet e stomakut, patologjitë e zorrëve dhe të mëlçisë në vitin 1971-1972 është specializuar edhe në Kinë.

Pra, pasi mori njohuritë e nevojshme profesionale si mjek i përgjithshëm dhe i specializuar për kirurgji kryesisht në rrugët abdominale, doktor Ismailit i ishte fiksuar mirë në mendje e në zemër “Betimi i Hipokratit” që ndër të tjera do të thoshte se: “Betohem, zotit të mjekësisë, se do t’ia mbaj besën me të gjitha forcat e mia e me të gjithë dijeninë time. Do të përpiqem sa të mundem të ndihmoj të sëmurët dhe kurrë nuk do të bëj ndonjë dëm ose padrejtësi. Në raste se e shkel këtë betim, turpi të më mbulojë!”

Parë në kompleks dhe në vazhdimësi veprimtarinë e doktor Ismailit nga fillimi i punës si infermier në repartet partizane e deri sa mbylli sytë më 15 korrik 2002, iu përmbajt me rigorozitet dhe besnikëri përmbajtjes së Betimit të Hipokratit, qoftë si mjek, qoftë si njeri. E them këtë se ai la mangët kohën e gjumit, të pushimit dhe të çlodhjes, e privoi veten nga shumë gjëra, duke vënë çdo gjë në shërbim të punës mjekësore dhe në shërbim të jetës së njerëzve, duke u bërë shembull i njeriut ideal dhe i mjekut me shpirt të madh njerëzor. Puna e pa matur dhe pasioni i rrallë për profesionin si dhe dashuria e madhe për njerëzit e bënë atë kirurg të shquar dhe njeri që nga shumë kush nuk do të harrohet, sepse nga duart e tij gjatë 40 vjetëve punë u vizituan dhe u operuan me mijëra e mijëra pacientë, ushtarë dhe oficerë, punëtorë dhe fshatarë, fëmijë dhe të moshuar nga mbarë vendi.

Ndonëse shembujt janë të shumtë, por e vlen të kujtohet për publikun e gjerë mbresa e Doktor Jordan Haxhinikollës, i cili ndër kujtimet e shumta, veçoi se: “Një ditë ndodhesha para hyrjes së Korpusit të Spitalit kur vjen një ambulancë dhe qëndron përpara shkallëve. Hapet dera e pasme dhe që andej zbret Doktor Ismaili. Ai mbante në duar një vajzë të vogël 9-10-vjeçare dhe u drejtua me nxitim për në pavionin e kirurgjisë, i ndjekur nga i ati i vogëlushes. Ajo kishte hipur në një man dhe ishte rrëzuar, duke dëmtuar mëlçinë e zezë. Ismaili u mor vetë me atë paciente, që ndonëse e dëmtuar rëndë, na thoshte: “Mezi pres të bëhem mirë dhe të vete në shkollë, kur Ismailit i duhej të operonte ¾ e lobit të djathtë të mëlçisë, por dilema ishte e madhe, pasi nuk dihej nëse do ta suportonte vajza e vogël këtë ndërhyrje? Në sajë të kujdesit dhe mjeshtërisë së Ismailit, operacioni doli me sukses. Vajza shpëtoi dhe ajo aktualisht është mjeke dhe quhet Sanije Lleshi”. Doktor Ismaili e kishte praktikë pune që çdo pasdite apo ditë pushimi shkonte në spital për të parë e vizituar të sëmurët. Për këtë jam vetë dëshmitar okular, pasi duke qenë i shtruar në spital, një ditë e diel pushimi, aty nga viti 1984 vjen doktor Ismaili dhe pasi më vizitoi mua si pacient të tij, vjen e shqetësuar kryeinfermierja e pavionit dhe i thotë doktor Ismailit se një paciente e operuar nga dikush tjetër, është shumë rëndë pasi ka hemorragji të brendshme. Ai shkon e viziton edhe më thotë se është shumë rëndë. Por në atë kohë vjen edhe doktor Veli Toto, që ishte kirurg dhe drejtor i spitalit, që të dy morën masa të menjëhershme e futën në sallë, e operuan ku doktor Ismaili bëri ndërhyrjen dhe vajza 24-25-vjeçare shpëtoi. Kur e mori vesh këtë veprim të Ismailit, erdhi vëllai i saj nga Durrësi dhe, jo vetëm e falënderoi pa masë, por ndër të tjera ai i tha: “Kam frikë se do më quajnë të çmendur, se do dilja të bërtisja në rrugët e Tiranës: Rroftë Ismail Feta”! Ndërsa shoku Rustem Peçi kujton se edhe pas daljes në pension. Ismail Feta nuk u shkëput nga salla e operacionit. “Mos më kurseni, më lajmëroni për çdo rast urgjence, veçanërisht natën”, thoshte ai. I papërtuar në dy raste duke u ulur nga shtëpia për në spital, iu dha ndihmë nga kolegët, pasi pati dhimbje gjoksi, u nda nga jeta duke punuar, megjithëse ishte pensionist. I thjeshtë, i respektuar, korrekt, i dashur, i ndershëm, i drejtë, i zoti, kurajoz, optimist, familjar, shembullor, i sakrificës. Ai donte jetën, njerëzit, vendin. Episode të tilla mendoj se kanë të gjithë ata, mijëra njerëz që janë vizituar e operuar nga Doktor Ismail Feta, të cilët nuk janë objekt i këtij shkrimi përkujtimor për një kirurg të shkëlqyer, veçanërisht për kirurgjinë e aparatit tretës, të cilin e zotëronte në mënyrë përsosur, por jo vetëm kaq, ai ishte i devotshëm në punë, korrekt me të sëmurët dhe me personelin shëndetësor. Ai ishte shkollë më vete, prej të cilit kanë mësuar shumë mjek e kirurg ushtarakë, prandaj studimi dhe botimi në një ese më vete e përvojës të punës të Doktor Ismail Fetës është detyrë e studiuesve të fushës së mjekësisë ushtarake e, sidomos, e bashkëpunëtorëve dhe nxënësve të kirurgjisë që punuan e u perfeksionuan me Ismailin. E pikërisht ky kuadër me kontribut të madh shoqëror, humanitar e njerëzor që gjatë punës më se 40-vjeçare, jo vetëm mjekoi e shëroi me mijëra njerëz, por edhe shpëtoi nga vdekja mijëra të tjerë nëpërmjet operacioneve të shumëllojshme e shpesh shumë të vështira nuk u vlerësua dhe nuk u shpërblye aq sa i takonte për kontributin shoqëror e profesional, si nga sistemi ekonomiko-shoqëror i para viteve 1990, por edhe nga sistemi demokratik i pas viteve 1990. E them këtë, se për para viteve 1990 jam dëshmitar okular që në vitin 1986 nga organet e larta të Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi kishte kryer me sukses rreth 2000 operacione përfshi edhe vajzën 10-vjeç për shkak të dëmtimit të mëlçisë që për mjekun kirurg duar artin Ismail Shehat Feta t’i propozohej organeve kompetente për t’i dhenë titullin e lartë: “Hero i Punës Socialiste”. Kjo kërkesë legjitime dhe plotësisht e merituar nuk u realizua, sepse syri vigjilent i kohës bëri “punën” e tij. Gjithashtu edhe sistemi ekonomiko-shoqëror i vendosur pas viteve 1990, gati nuk u interesua për kontributin dhe rolin që luajti Doktor Ismail Feta në shërbim të njerëzimit për t’i dhenë “Pension të Posaçëm’, ose për t’i venë qoftë edhe një pavion në ish-Spitalin Ushtarak emrin “Kirurgu duar artë Ismail Feta”, ose një rrugë në Qendrën Administrative Nr. 11 në Laprakë etj. Është e pafalshme që kontributi i një njeriu, që me punën e tij shpëtoi disa jetë njerëzish, të nënvlerësohet e lihet kaq në harresë nga organet kompetente të shoqërisë së sotme shqiptare dhe të mjaftohet vlerësimi i tij i vetëm nga Këshilli i Qarkut Dibër, i cili me Vendim Nr. 26, datë 03.09.2003 i dha Ismail Fetës titullin: “Qytetar Nderi i Qarkut Dibër”!

Shoqëria njerëzore mbahet në këmbë nga kontributi i gjithsecilit, por në vartësi nga kushtet dhe rrethanat dikush jep më shumë e dikush më pak, por ata që dallojnë nga të tjerët, duhen evidentuar e vlerësuar te çdo periudhë qofshin. Pasi pa evidentuar e vlerësuar të shkuarën nuk mund të kesh arritje për të ardhmen. 


Sigal