Rritet transparenca gjatë numërimit të votave

281
Tabela e rezultatit për çdo QV do të publikohet brenda Vendit të Numërimit të Votave.

Çdo vëzhgues i huaj apo vendas i akredituar nga KQZ, do të ketë mundësinë të njihet me rezultatet e çdo subjekti politik gjatë procesit të numërimit të votave.

Në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 qershor2017, një kopje e tabelës së rezultatit tëçdo qendre votimi që do të numërohet, do të afishohet në një vend të përshtatshëm brenda Vendit të Numërimit të Votave për t’u parë nga të gjithë vëzhguesit e akredituar.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me qëllim rritjen e transparencës gjatë procesit të numërimit të votave dhe në përmbushje të rekomandimit të OSBE/ODIHR-it në raportin përfundimtar për zgjedhjet 2015, si edhe kërkesave të vazhdueshme nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë të akredituar nga KQZ, vendosi të shtojë një nen në udhëzimin nr. 5 të datës 22.04.2015, për t’i dhënë mundësinë të gjithë vëzhguesve të akredituar që ndjekin procesin e numërimit të votave, të njihen me rezultatet e çdo qendre votimi për çdo parti politike.

Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor do të marrë masat për të afishuar në një vend të përshtatshëm për tu parë nga të gjithë vëzhguesit e akredituar, kopje të tabelës së rezultatit të qendrës së votimit, dhe kopje të tabelës përmbledhëse të rezultatit, të vulosura nga sekretari i KZAZ-së me vulën e KZAZ-së.

Afishimi i tabelës së rezultateve u miratua në mbledhjen e sotme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili vendosi të shtojë një nen në udhëzimin nr. 5, të datës 2015, “Për organizimin e punës në vendin e numërimit të votave, radhën e veprimeve gjatë dorëzimit të materialeve zgjedhore, numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për zonën e administrimit zgjedhor”.