Robert Wilton/ OSBE, mbrojtje dhe asistencë për viktimat e trafikimit

481
Sigal

Fëmijët janë veçanërisht të dobët ndaj trafikimit dhe meritojnë masa të posaçme mbrojtjeje

* (Nënkryetar i Prezencës së OSBE-së, Shqipëri)

 Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, organizojnë dje një seminar kombëtar për hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale të trafikimit të personave. Qëllimi i këtij seminari ishte ndërmarrja e hapave konkretë për përmirësimin e ndjekjes penale të çështjeve të trafikimit të personave, duke siguruar mbrojtje dhe asistencë për viktimat e trafikimit. Në vijim të shkrimit, mund të lexoni fjalën e plotë të Nënkryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton.

 Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në këtë seminar të organizuar bashkërisht nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Qëllimi ynë është të ndërmarrim hapa konkretë për të përmirësuar ndjekjen penale të çështjeve të trafikimit të personave, duke siguruar mbrojtje dhe asistencë për viktimat e trafikimit. Jam shumë i kënaqur që shoh sot në këtë sallë kaq shumë ekspertë të fushës së anti-trafikimit. Është kënaqësi e veçantë që jemi së bashku në këtë panel, duke reflektuar kështu vendosmërinë tonë të përbashkët për të qenë në krye të përpjekjeve për të luftuar trafikimin e personave. Dëshiroj të falënderoj ekspertët e nderuar, që do të ndajnë me ne sot përvojën e tyre në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të trafikimit të personave: zonjën Stoja, prokurore e Krimeve të Rënda dhe zonjën Trimi, eksperte e policisë kundër trafiqeve, si dhe zotin Mançini, prokuror i njohur i antimafias nga Italia, i cili ka një përvojë të gjatë në vendin e tij në ndjekjen penale të çështjeve të trafikimit. Presim me kënaqësi të dëgjojmë rreth rekomandimeve dhe praktikave më të mira, duke pasur parasysh rezultatet pozitive të arritura në ndjekjen penale të çështjeve të trafikimit në Itali. Trafikimi në njerëz është shpesh i lidhur me krimin e organizuar dhe njihet si skllavëria e kohëve moderne. Gjithashtu, është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Një përfaqësues i organeve zbatuese të ligjit, i cili trajton një çështje trafikimi, nuk duhet të ketë qëllim vetëm të dërgojë “pas hekurave” trafikantin, por dhe të shpëtojë një jetë njerëzore. Një këndvështrim i tillë më kujton një rast, i cili është sjellë në vëmendjen tonë nga një prej OJF-ve që drejton një qendër për viktimat e trafikimit në Shqipëri. Rreth 2 vjet më parë, kjo qendër ndihmoi një vajzë 22-vjeçare nga një qytet i vogël i Shqipërisë, e cila ishte shfrytëzuar për prostitucion në Tiranë. Për fat të keq, historia është tepër klasike. Vajza u prezantua nga një shoqja e saj më e madhe me burrin i cili më vonë do të bëhej shfrytëzuesi i saj. Fillimisht ai i premtoi martesë dhe se do të jetonin jashtë Shqipërisë. Pas kërcënimeve për jetën dhe dhunës fizike, ai e bindi vajzën të punonte si prostitutë në një hotel në Tiranë. Shfrytëzuesi gjente klientët, si dhe merrte vetë paratë. Pas disa kohësh, vajza iu drejtuar autoriteteve për ndihmë. Falë bashkëpunimit të saj, shfrytëzuesi u arrestua në flagrancë. Por dhe vajza u dënua me akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Në seminarin e sotëm, do të prezantohen udhëzime në lidhje me zbatimin korrekt të ndryshimeve të fundit në Kodin Penal në lidhje me veprat e trafikimit të personave. Sipas këtyre ndryshimeve, personat e trafikuar përjashtohen nga dënimi për shkeljet e kryera gjatë trafikimit. Kështu, raste si ai që përmenda nuk duhet të përsëriten. Mbledhja e provave dhe ndjekja penale e trafikantit nuk duhet të përjashtojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut të personave të trafikuar. Identifikimi i një viktime trafikimi ka rëndësi të veçantë. Që të arrihet, duhet një punë sistematike dhe e koordinuar nga ana e policisë dhe prokurorisë në lidhje me respektimin e të drejtave të viktimave të mundshme të trafikimit. Kemi vënë re me kënaqësi se kohët e fundit ka pasur zhvillime pozitive në lidhje me koordinimin e mekanizmave ekzistues për identifikimin dhe mbrojtjen e personave të trafikuar. Rritja e ndjekjeve penale dhe, së fundi, e gjykimeve ndaj trafikantëve është sfida e radhës. Përvoja e vendeve që kanë sukses në identifikimin e personave të trafikuar tregon se çdo punonjës publik që mund të ndeshet me një person të trafikuar mund të kryejë identifikimin. Dhe punonjës të tillë mund të jenë ata të kufirit, inspektorët e punës apo personeli mjekësor. Një qasje e tillë rrit besimin tek autoritetet, por gjithashtu ka ndikim pozitiv dhe te ndjekja penale e rastit. Fëmijët janë veçanërisht të dobët ndaj trafikimit dhe meritojnë masa të posaçme mbrojtjeje. Mirëqenia e fëmijës duhet të jetë përparësi. Nuk duhet të harrojmë se, në rastin e fëmijëve, pëlqimi i tyre për t’u trafikuar ose shfrytëzuar, nuk duhet marrë parasysh. Tashmë, Prezenca e OSBE-së po punon bashkërisht me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për hartimin e Udhëzuesit për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge, sepse këta fëmijë janë veçanërisht në rrezik për t’u trafikuar dhe shfrytëzuar.