Tropoja i jep titullin “Qytetar Nderi” Rexhep Qosjes

490
Sigal

MOTIVACIONI: “Figurë komplekse dhe intelektuale e Kombit Shqiptar, shkrimtar i njohur dhe një prej përfaqësuesve më me zë i mendimit filozofik shqiptar”

Që sot, Profesori dhe Akademiku Rexhep Qosja, është “Qytetar Nderi” i Komunës Tropojë-Fshat, që është dhe vendlindja e Sali Berishës. Nuk ka zgjatur më shumë se një vit e gjysmë ‘inati’ i ish-Kryeministrit Berisha e shtetarëve të bindur partiakë për ta penguar vendimin e këshilltarëve të Tropojës, për t’ia mohuar këtë mirënjohje Akademikut Qosja, vetëm se ai ishte kundërshtar i qeverisjes së tij. Lajmin për firmosjen e hyrjen në fuqi brenda afatit ligjor të mirënjohjes që Tropoja i jep Akademikut të njohur, e bënë të ditur në orët e vona për gazetën “Telegraf”  Prefekti i Qarkut të Kukësit Ramë Hoxhaj dhe Xhavit Çela, një nga personat që udhëhoqi nismën e këshilltarëve për këtë eveniment. “Është një ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për Akademikun, popullin e Tropojës, por shumë më gjerë. Rexhep Qosja, si intelektual e personalitet, ka bërë shumë për Tropojën, Shqipërinë e gjithë Kombin. Ndaj është nderi i tropojanëve që i dhanë Profesorit këtë Mirënjohje. Politikanët që u bënë pengesë kaq gjatë, kushdo qofshin ata, nuk mund të hedhin asnjë fije ‘pluhur’ mbi supet gjigande të Rexhep Qoses, përveçse e lartësojnë atë. Ne si nismëtarë, si këshilltarë, kemi përballuar presione shtetërore e partiake nga më të ndryshmet, por ja dolëm me sukses që të çojmë në vend dëshirën e tropojanëve për nderimin e Rexhep Qoses”,- pohon për “Telegraf” Xhavit Çela…

Zoti Xhavit! Mësuam se ju morët sot konfirmimin zyrtar të prefektit të Qarkut Kukës për vendimin e Këshillit të Komunës Tropojë-Fshat, i cili e bën Akademikun Rexhep Qosja, “Qytetar Nderi…”?

-Po. Që sot, Akademiku e Profesori Rexhep Qosja, është zyrtarisht “Qytetar Nderi…”. Është një eveniment shumë i rëndësishëm për ne si këshilltarë nismëtarë, për tropojanët, për shqiptarët e bashkë atdhetarët kudo që janë. Kjo pasi Rexhep Qosja është dhe mbetet korife i demokracisë, i lirisë, Rilindës shqiptar i kohës së sotme, që reflekton shqiptarizëm, vëllazëri e që ka kurajën të ‘gozhdojë’ politikanët e mbrapshtë që e sollën Shqipërinë e çështjen shqiptare në këtë situatë të vështirë që ndodhet sot. Ndjehem i gëzuar,  i emocionuar, pasi kemi përballuar një kalvar tepër të gjatë për të ardhur deri këtu.

Mund të na e shpjegoni konkretisht?

-Po. Ka një vit e gjysmë që ne si këshilltarë kemi marrë vendimin për shpalljen e Rexhep Qoses “Qytetar Nderi…”, por na kanë bllokuar, na kanë bërë presione nga më të ndryshmet, pasi ish-kreu i qeverisë që është nga fshati im, nuk e kishte qejf, nuk i pëlqente Qosja pasi ishte kritik ndaj qeverisjes së mbrapshtë. Por askush nuk mund ta mbajë peng vullnetin e popullit, në rastin tonë të ne këshilltarëve… Se politikanët janë si era, vijnë e ikin, kurse personalitete si Rexhep Qosja kanë lënë dhe lënë gjurmë në histori, janë të pavdekshëm…

Kur dhe si është marrë vendimi nga Këshilltarët dhe kur u firmos (konfirmua)nga Prefekti i Qarkut?

-Vendimi për shpalljen e Rexhep Qoses ‘Qytetar Nderi…” është marrë nga Këshilli i Komunës më datë 10.12.2013 e konform ligjeve në fuqi, është firmosur nga Prefekti i Qarkut të Kukësit, brenda afatit të përcaktuar, kurse sot, zyrtarisht vendimi merr fuqi ligjore të plotë. Motivacioni i shpalljes  ‘Qytetar Nderi…’ të Profesor Rexhep Qoses është: “Figurë komplekse dhe intelektuale e Kombit Shqiptar, shkrimtar i njohur dhe një prej përfaqësuesve më me zë të mendimit filozofik shqiptar”. Qe një votim i gjithë këshilltarëve…

Votuan për Mirënjohjen e Qoses të Majtë dhe të Djathtë në Këshill?

-Sigurisht që po. Të Djathtë e Majtë. Se nga 15 këshilltarë që jemi, 10 janë të Djathtë. Por ndryshe nga politikanët inatçorë, të mbrapshtë, tropojanët janë fisnikë dhe i vlerësojnë njerëzit, intelektualët, jo nga bindjet, por nga kontributet që japin… Kështu ka ndodhur dhe në votimin e para një viti e gjysmë. Po funksionarët inatçorë, me pretekstin se, “Qosja nuk ka dhënë ndonjë kontribut të veçantë për Tropojën…”, e bllokonin. Por sherri e shejtanllëku, e kanë rrugën e shkurtër…

Pra, Rexhep Qosja, një nga kritikët më të ashpër të Berishës, bëhet ‘Qytetar Nderi…’  pikërisht në vendlindjen e tij…?

-Mëse normale. Të bësh “Qytetar Nderi…”, një personalitet si Rexhep Qosja, është së pari nder për atë që e bën… Kështu që unë, bashkëfshatarët e komunës, jemi krenarë për këtë… Për të tjerat, mendoj se nuk është nevoja dhe rasti për të folur…

Kë do të veçoni për kontributin dhe mbështetjen në këtë nismë për nderimin e Akademikut Qosja?

-Të gjithë këshilltarët, të 15-të, të Djathtë e të Majtë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, por dhe dashamirës nga Kosova…

Keni ndër mend të zhvilloni ceremoni për dhënien e Mirënjohjes Akademikut Qosja?

-Sigurisht. Por dua të theksoj diçka, për të cilën ju këmbëngulët dy apo tre herë më lart. Para 18 muajsh, Këshilli i Komunës, siç u thashë, vendosi shpalljen e Rexhep Qoses “Qytetar Nderi…”. U thashë se dhe kush e pse e bllokuan, në qark e presionet e vazhdueshme. Por tani dua të shtoj se, pas refuzimit absurd të konfirmimit nga ish-prefekti i Qarkut të Kukësit, mbështetja e bashkëfshatarëve, bashkë krahinarëve e shumë më gjerë, ishte më e madhe, vinte në rritje. Na mbështesnin dhe na inkurajonin që nismën të mos e lemë në mes, por të këmbëngulnim pasi bënim diçka të drejtë, në shërbim të dinjitetit kombëtar e vëllazërimit. Dhe kështu bëmë. Votuam këshilltarë të Djathtë e të Majtë…

Të rikthehemi tek pyetja e mësipërme, tek ceremonia?

-Sigurisht që do të bëhet. Është një ngjarje e rëndësishme, siç e thashë dhe më lart, jo vetëm për tropojanët, por gjithë shqiptarët ku punojnë e jetojnë…

Do të ketë të ftuar?

-Në ceremoni ftohen personalitete, kështu që edhe në këtë rast do të ketë. Po kjo i takon ditëve e javëve që vijnë…

Ja keni komunikuar, apo më saktë, çfarë keni për t’i thënë Rexhep Qoses në këto moment?

-Tani, fjalët janë të tepërta. I kemi thënë në vendim, me firmë e vulë, e mbi të gjitha me shpirt. Tashmë Rexhep Qosja është bashkëfshatari ynë, e ai vjen kur të dojë, është në shtëpinë e tij… Se nuk ftohet njeriu në shtëpinë e tij, apo jo!?

Po ka dhe njerëz që ‘e harrojnë’ vendlindjen dhe për një dekadë apo më shumë?

-Dëgjo. Ne tropojanët tani kemi dhe një qytetar të nderuar, model, që është Rexhep Qosja… Është fat, pasi personalitete të tilla, kur afrohen, janë dhe moment për reflektim. Për këdo…