Frank SHKRELI/ Liria nën presion anë e mbanë botës!

487
Sigal

 Organizata  jo-qeveritare Freedom House me qendër në Uashington, botoi më 23 janar raportin vjetor mbi lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut anë e mbanë botës.  Në raportin, Liria në Botë 2014, mbi liritë politike dhe civile në çdo shtet dhe territor të botës, Freedom House pohon se liria në botë ka rënë për të 8-tin vit me radhë.   Në raportin e 41 të Freedom House, që konsiderohet si enti më i vjetër dhe më i besueshëm mbi gjendjen e lirisë dhe të demokracisë në botë, thuhet se, gjithsej në 54 shtete, është shënuar një rënie e dukshme në fushën zbatimit të të drejtave politike dhe lirive civile, ndërkohë që në 40 vende janë vënë re përparime në këtë fushë.  Në raportin vjetor thuhet se, disa udhëheqës botërorë kanë përdorur, atë që  raporti cilëson, si “autoritarizëm modern”, për të thyer ose margjanalizuar opozitën politike, por pa e zhdukur atë krejtësisht, ndërkohë që, sa për sy e faqe pretendojnë të ruajnë rendin,  qetësinë dhe begatinë.  Objektivi kryesor i autoritarëve modernë, -thotë Freedom House, -është kapja e institucioneve në përpjekje për të dominuar jo vetëm degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisjes, por duan të kontrollojnë njëkohësisht edhe median, gjykatat, shoqërinë civile, ekonominë si dhe forcat e sigurimit. Këta pra janë, sipas raportit të Freedom House, autoritarët modern, të cilët i gjen në çdo rajon të botës.

Raporti i sivjetmë thotë se, zona e Euro-Azisë  vazhdon të mbetet njëra prej rajoneve gjeografike më shtypëse në botë, duke thënë se, Bjellorusia, Turkmenistani  dhe Uzbekistani janë ndër vendet më shtypëse të lirive në botë, ndërsa shton se Rusia ka rritur shtypjet duke intensifikuar persekutimin e kundërshtarëve politikë dhe të grupeve etnike të pambrojtura anë e mbanë vendit.  Në raportin mbi Azinë thuhet se, Kina, gjatë vitit të kaluar është treguar gjithnjë e më shumë jo tolerante ndaj kundërshtarëve politikë, ndërkohë që, autoritetet kineze, ndër të tjera, kanë arrestuar me dyzina aktivistë, të cilët kanë bërë thirrje për reforma anti-korrupsion.

Në lidhje me Europën, raporti i Freedom House thotë se, gjatë viti të kaluar, shumica e vendeve europiane treguan respekt për standardet demokratike dhe për liritë civile, edhe ndonëse disa prej tyre u përballen me lëvizje të tendencave  dhe të një natyre nacionaliste.  Raporti veçanërisht kritikon Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan se në qeverisjen e tij, ka treguar tendenca gjithnjë e më autoritare, duke përmendur  shtypjen e protestave në Stamboll dhe fushatën e tij që ka ndërmarrë kundër zërave kritikë në media.

Raporti  i përcakton 195 shtetet dhe 14 territore, si të ”lira”, “pjesërisht të lira” dhe “jo të lira”.  Raportet individuale për secilin shtet dhe territor do të botohen kur të jenë gati, por kjo hartë me ngjyra përcakton kategoritë e ndryshme për secilin vend dhe rajon botëror

Zëvendëspresidenti i Freedom House, dhe njëkohësisht autori i raportit,  Arch Puddington i tha revistës amerikane “Atlantic” me rastin e botimit të raportit se: “Gjatë 30-vjetëve të kaluar nuk është shënuar asnjë përparim i dukshëm përsa u përket lirive në vendet e rëndësishme autoritare dhe të cilat vazhdimisht kanë rezistuar demokratizimin – siç është Rusia dhe vende të tjera në Euroazi,  përfshirë vendet e Lindjes së Mesme, si dhe Kina, Irani, Venezuela” ndër të tjera.  Zyrtari i Freedom House u shpreh se, udhëheqësit e këtyre vendeve kanë mësuar nga shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, 20 vjet më parë, që të mos ndërmarrim bërjen e reformave të rëndësishme, të cilat ata nuk mund i kontrollojnë, duke mos lejuar, ose të pakën duke penguar edhe veprimtarinë më të vogël të grupeve pro-demokratike të shoqërisë civile.  I pyetur për protestat nëpër rrugë dhe sheshe, përfshirë Tajlandën, Turqinë dhe Ukrainën, z. Puddington tha se, në disa vende ekziston tendenca që politikën ta zëvendësojnë me protesta, duke dhënë si shembull Turqinë dhe Ukrainën, ku udhëheqësit e këtyre vendeve, besojnë se në qoftë se kanë një shumicë prej 52 për qind të votave, kjo, sipas mendimit të tyre i lejon ata të bëjnë si të duan dhe çka të duan. Andaj, tha ai, kur këta udhëheqës tejkalojnë mandatin e tyre duke kërcënuar demokracinë, dhe duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut, atëherë popullit nuk i mbetet gjë tjetër veç të dalë në rrugë e të protestojë.

Autori i raportit vjetor mbi lirinë në botë, Arch Puddington tha për median se: “Jetojmë në një kohë, kur udhëheqësit e vendeve autoritare janë më të sigurt dhe më arrogantë se në të kaluarën dhe se tani midis tyre ekziston një lloj koalicioni, si të thuash, një aleancë e vendeve shtypëse”, nënvizoi z. Puddington.

 Në lidhje me Shtetet e bashkuara, Raporti i Freedom House thotë gjithashtu se, Shtetet e Bashkuara janë një prej vendeve më të lira në botë, por Presidenti i kësaj organizate  kritikoi administratën e Presidentit Barak Obama se, është treguar pasiv ndaj keqësimit të gjendjes së lirive në botë, duke shtuar se Uashingtoni ka humbur rastet për të promovuar demokracinë dhe lirinë anë e mbanë botës.   Zyrtari i lartë i Freedom House, Arch Puddington fajësoi, gjithashtu, edhe vendet demokratike në përgjithësi për mungesë interesimi në lidhje me shtypjen e lirisë në botë. Në lidhje me këtë, ai tha se, “vihet re një mungesë vendosmërie nga ana e vendeve demokratike ndaj forcave demokratike, të cilave po u bëhet presion ndaj veprimtarisë së tyre në vendet e mëdha autoritare”, dhe i akuzoi vendet perëndimore se janë të “gatshme  të bëjnë marrëveshje me shtetet autoritare me qëllim për të përmirësuar atmosferën diplomatike, por duke injoruar masat shtypëse të këtyre vendeve autoritare” ndaj popujve të tyre, -tha ai.  Në lidhje me këtë, raporti i Freedom House, pohon se vendet demokratike, e sidomos Shtetet e Bashkuara nuk janë treguar të gatshme për të vepruar në mbrojtje të lirive në vendet që raporti i cilëson si autoritare.  Mbi këtë, eksperti Dejvid Shenker i Institutit Uashington i tha “Zërit të Amerikës” se, “ndonëse publiku amerikan nuk është aspak i interesuar për një ndërhyrje tjetër ushtarake në Lindjen e  Mesme, madje sipas sondazheve nuk dëshiron asnjë përzierje diplomatike e as financiare…përkrahësit dhe aktivistët e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, i drejtojnë sytë dhe shpresat e tyre për mbështetje kah Shtetet e Bashkuara, por fatkeqësisht nuk po hasin në një përkrahje që ata do të dëshironin.”

Ndaj, nuk është për t’u habitur se kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera demokratike nuk promovojnë dhe nuk mbështesin liritë dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, ndodhë kjo që raporti i sivjetmë i Freedom House pohon rishtazi se është viti i 8-të me radhë që e pësuan keq  liritë, të drejtat e njeriut dhe demokracia anë e mbanë botës. Mbështetja dhe promovimi i lirisë, i demokracisë dhe i individëve dhe grupeve që i mbështesin këto liri anë e mbanë botës, historikisht  ka qenë pjesë e pa ndarë e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Bota demokratike duhet të jetë më e angazhuar në mbrojtje të lirive individuale dhe në promovimin e demokracisë se çka qenë gjatë dekadës së fundit, pasi duke promovuar vlerat e lirisë dhe të demokracisë në mbarë botën, ndihmon të tjerët të sigurojnë lirinë për veten e tyre dhe njëkohësisht mbron edhe interesat kombëtare të botës demokratike. Pasi siç tha edhe Presidenti i Freedom House, David Kramer, “kur liria është në rënie anë e mbanë botës, si rrjedhim, ka më pak vende stabile dhe më pak vende partnere, duke pakësuar kështu mundësitë për bashkëpunim në botë.”    Prandaj, Shtetet e Bashkuara dhe e vendet aleate demokratike duhet ta marrin më seriozisht mbështetjen dhe  promovimin e lirisë anë e mbanë botës, duke e bërë atë pjesë të pandarë të politikës së jashtme dhe ndërkombëtare, ashtuqë që liria dhe demokracia anë e mbanë botës, vitin që vjen të shënojnë rritje e jo rënie.