Qeveria përgatit terrnin, gati rikthimi i basteve sportive

245
Sigal

 

 

Mazhoranca vendosi të bëjë një testim të opinionit publik, kur dy vite më pas do të kërkonte me anë të deputetit të asaj kohe, sot kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Yllit, rikthimin e lotove dhe basteve sportive.Ai e justifikoi këtë kërkesë me nevojën që ka sporti për lekë dhe që sipas tij i mungonin nga mbyllja e lotarive.

 

Në mesin e vitit 2018, kryeministri Edi Rama, pasi e kishte përgatitur për disa vite terrenin, do të merrte një nga vendimet më të guximshme të qeverisjes së tij, mbylljen e të gjitha lotarive dhe basteve, me përjashtim të një kategorie të caktuar që do të merrnin lishencë kombëtare, siç janë kazinotë e telebingot.

Një nismë, megjithëse populiste, pasi vinte pak muaj para zgjedhjeve lokale të atij viti, ishte e mirëpritur nga shumica e shoqërisë, pasi pikat e basteve që kishin mbirë në çdo cep pallati po shkatërronin individë dhe familje.

Vetë kryeministri në tetor të 2018-ës, në një takim me gratë socialiste do të shprehej se “mbyllja e lotove do të jetë një dhuratë për çdo familje për Vitin e Ri”.

Por si çdo nismë tjetër e ndërmarrë për qëllime elektorale dhe të ngushta, edhe kjo nuk do të kishte rezultatet e duhura.

Lotaritë dhe bastet që ekzistonin në çdo lokal e kioskë u mbyllën ligjërisht, por jo realisht.

Që prej atëherë, lotaritë kaluan nga varianti print në variantin online dhe çdo lojtar i fiksuar pas tyre e ka sot e gjithë ditën një llogari të tijën në telefon nga ku hedh loto e baste në çdo moment, edhe duke qenë në shtëpi, në punë, në udhëtim apo me shoqërinë.

Nuk kanë qenë të pakta rastet kur policia ka goditur, jo vetëm organizatorë të këtyre lotarive online, por edhe lojtarë të ndryshëm që luajnë përmes telefonit.

Pra me pak fjalë, mbyllja e lotarive fizike mund të konsiderohet në një farë mënyrë si vendimi i parë i qeverisë socialiste për digjitalizimin e kësaj veprimtarie, por kurrësesi mbyllje e saj.

Kaluan pak muaj dhe qeveria do ta ndjente efektin negativ të këtij vendimi, teksa miliona euro që vinin në arkën e shtetit nga taksat e marra nga lotot, po mungonin.

U kuptua se lotot nuk ishin mbyllur, por kryeministri Rama, me një të rënë të lapsit i kishte hequr buxhetit një të ardhur të rëndësishme, të cilën e kompensoi duke ia faturuar atë grupeve të tjera shoqërore me taksa e tatime.

Thënë më thjesht, vendimi i Ramës qe një dështim në të gjitha drejtimet.

Kur kanë kaluar 4 vjet, Edi Rama po planifikon t’i kthejë ato. Zoom.al ka mësuar nga burime brenda mazhorancës se Edi Rama e ka marrë vendimin dhe vetëm po pret ta zyrtarizojë atë me anë të një projektligji në momentin që do ta konsiderojë të përshtatshëm, për të minimizuar efektet negative në elektorat.

 

Shqetësimi kryesor i hapjes së basteve është pastrimi i parave, siç thuhej edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Se si do ta justifikojë ai rikthimin e lotove, nuk dihet ende, por është e kuptueshme.

Mazhoranca vendosi të bëjë një testim të opinionit publik, kur dy vite më pasë do të kërkonte me anë të deputetit të asaj kohe, sot kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Yllit, rikthimin e lotove dhe basteve sportive.

Ai e justifikoi këtë kërkesë me nevojën që ka sporti për lekë dhe që sipas tij i mungonin nga mbyllja e lotarive.

“Të hapen bastet sportive, janë 50 milionë euro që mund të marrë sporti. Sikur vetëm bastet të merrte sporti nuk do duhej asnjë lek nga buxheti i shtetit. Ishin bërë si kërpudha, po atëherë t’i marrë në dorë shteti, sepse baste ka edhe në Itali dhe në Angli edhe kudo”, deklaronte Fidel Ylli në tetor të vitit 2020, teksa vendi vijonte betejën me pandeminë.

A mundej që një deputet i PS-së, një mik i afërt dhe i hershëm i Edi Ramës të dilte kundër një prej vendimeve që kryeministri e ka shitur si më të suksesshmin në 2 mandatet e tij qeverisës?

Ata që u befasuan nga kërkesa e Fidel Yllit u qetësuan kur panë se Edi Rama “nuk ia tregoi vendin” edhe atij si çdo njeriu që i del kundër.

Ai nuk kurseu as Lenoardo DiCaprion, përse nuk po e falenderonte që Rama kishte marrë një vendim të drejtë për vendin e tij, duke shpallur park kombëtar Lumin Vjosa. E quajti Nardi. Fidelit s’i tha ndonjeherë “Deli”.

Tani është e qartë. Fideli s’mund ta kishte bërë një kërkesë të tillë pa miratimin e shefit.

Por pakkush mund ta besonte që një kërkesë e tillë do të vinte edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka.

Edhe ky i fundit me të njëjtin argument si Fidel Ylli, u shpreh të marten (14-06-2022) se komuniteti i futbollit duhet t’i paraqesë një kërkesë zyrtare qeverisë për të legalizuar sërish lotot e bastet sportive dhe një pjesë e të ardhurave të tyre t’i kalohet sportit.

Por ndryshe nga Fidel Ylli, Duka do të pranonte publikisht se ligji për ndalimin e lotarive nuk ka funksionuar asnjëherë.

“Bastet sportive në Shqipëri janë të ndaluara me ligj në Shqipëri, por me çfarë shohim bastet sportive janë ndaluar vetëm për të arkëtuar buxheti i shtetit, pasi ekzistojnë në çdo cep të vendit. Ti bëjmë një kërkesë qeverisë qoftë për ligjin e sponsorizimit, qoftë edhe për bastet, që ti rikthejë ato. Minimuni 70% e të ardhurave nga bastet ti kalojë sportit dhe një pjesë kryesore futbollit,”- tha Duka.

Në fakt kërkesa e Armand Dukës nuk duhet të jetë një “rrufe në qiell të pastër”, por një shërbim që ai po i bën kryeministrit Edi Rama për të iniciuar një debat që mund të justifikojë rikthimin e basteve.

Pak muaj më parë, u raportua një takim sekret mes Ramës dhe Dukës, ku u arrit një marrëveshje, e cila e mbante këtë të fundit në krye të FSHF-së edhe për një mandat tjetër, ndërsa Erion Veliaj tërhiqej nga sulmi frontal kundër tij. Por ishte e paqartë se çfarë ofronte Duka në krahun tjetër ndaj qeverisë.

Deklarata për rikthimin e basteve plotëson një pjesë të kësaj marrëveshje, ku Duka merr përsipër që të iniciojë një lobim që do t’i japë mundësi qeverisë për të justifikuar në një të ardhme të afërt vendimin për rikthimin e lotove dhe basteve sportive.

Për ekzistencën e një lobimi të tillë, të marrë përsipër nga Duka, reagoi pa vonesë ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti socialist Erion Braçe.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale Braçe praralajmëron se “nëse dikujt në PS i ka shkuar mendja për të mbështetur lobimin e Armand Dukës për të rikthyer bastet, mua do më ketë kundër”.

Shqetësimi kryesor i hapjes së basteve është pastrimi i parave, siç thuhej edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Por Erion Braçe nuk e ka më peshën e dikurshme në PS. Edhe sa qe në qeveri, si zëvendëskryeministër, ai nuk pati ndonjë kundërshtim në hedhjen e firmës në vendimet e diktuara nga kryeministri Rama. Qëndrimi i tij kundër basteve, edhe pse legjitim, mund të shihet po ashtu si test ndaj opinionit publik.

Çka duket e qartë dhe e pakthyeshme është se bastet do te rikthehen. Ajo që kuptohet pas kaq kohësh është se Edi Rama po i rrezikon sërish gratë nga burrat kumarxhinj. Ajo që pritet është që Rama të dalë më teorinë se tani bastet do të jenë më të kontrolluara. Por nga kush? E sigurt që, jo nga qeveria, pasi ajo dështoi t’i kontrollojë tani që kanë shpërthyer online. Por është mëse e sigurt që drejtuesi i qeverisë të mund të kontrollojë njerëzit që do të marrin licensat e këtij biznesi fitime marramendëse./ Zoom