Prof. Dr. Qemal Lame: Ballkani i mbyllur

247
Sigal

Shqiptarët dhe popujt e tjerë të rajonit duan Ballkan të Hapur në Evropë, por fatkeqësisht Evropa e mban Ballkanin të Mbyllur. Samiti mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel më 23 qershor, tregoi edhe një herë pamundësinë e bashkësisë për të vendosur për zgjerimin për shkak të problemeve të saj të brendshme dhe thelloi mosbesimin dhe pakënaqësitë e shteteve kandidate, që kanë plotësuar kriteret për hapjen e bisedimeve. Nuk u mbajtën premtimet e bëra zyrtarisht nga Parlamenti dhe Komisioni Evropian. Papritur Ukraina dhe Moldavia parakalojnë shtetet e Ballkanit. Në kohë rekord ato bëhen vende kandidate të BE. Ky ishte një vendim i drejtë dhe i mirëpritur. Ndërsa mbajtja pezull e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe mos miratimi i lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës ishte ndëshkim i pamerituar. Megjithatë vlen të theksohet përkushtimi gjerman për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa Franca me Presidencën e Bashkimit Evropian nuk arriti të realizojë pritshmëritë për politikën e zgjerimit dhe thellimit të integrimit evropian.

Vendimi për dhënien e statusit kandidat një vendi gjeografikisht kaq të madh si Ukraina, e cila gjendet në luftë, tregon dëshirën për një ndryshim dhe ridimensionim të politikës së BE-së në të ardhmen. Por edhe në këtë samit të shumëpritur nuk u arrit të miratohej një platformë e qartë për të ardhmen për vetë bashkësinë.

Zgjerimi për Ukrainën dhe Moldavinë u argumentua se u vendos mbi bazën e interesave gjeopolitike për mbrojtje nga politika imperiale ruse dhe jo sipas kritereve të deritanishme të standarteve, që ndryshojnë vazhdimisht dhe megjithëse plotësohen nuk arrihet anëtarësimi. Ky hap përmban rreziqe politike, pasi Ukraina është në luftë të përgjakshme me Rusinë. Këto u morën parasysh dhe u vendos me guxim. Për këtë arësye, arritja u vlerësua historike. Megjithatë, nuk është vendim përfundimtar pasi hap perspektivën për t’u bërë pjesë e BE-së dhe nuk ka afat, lihet në një kohë të pacaktuar, ashtu si po vepron rëndom politika evropiane, që mbahet peng nga interesa nacionale të disa shteteve anëtare. Kështu u jepet shpjegim politikave, që pengojnë zgjerimin e domosdoshmëm, ruajtjes së status quosë dhe pranohet presioni i shteteve që duan të guxojnë më pak, si Franca, Holanda, Portugalia edhe Gjermania, të cilat justifikojnë këtë hap për momentin nuk kushton dhe një anëtarësim i vërtetë i Ukrainës pas vitesh negociatash i përket një të ardhmeje të papërcaktuar.

Zgjerimi për interesa gjeopolitike mendohet se do të ketë efekt pozitiv edhe për vendet kandidate të Ballkanit. BE është e domosdoshme të veprojë me përparësi dhe të mënjanojë në kohë ndikimin rus dhe kinez në rritje në rajon. Kriteret e pranimit, që kërkohen me kaq rreptësi është e nevojshme të vlerësohen realisht me gjendjen e shteteve të rajonit dhe interesin e bashkësisë për anëtarësim dhe garantimin e sigurisë. Bllokada e panevojshme dhe bezdisëse e Bullgarisë shpresohet të marrë fund shpejt. Nuk mund të vazhdohet më kështu, që një vend i BE problemet e brendshme politike i transmeton edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare duke frenuar procesin e anëtarësimit. Kujtojmë se jo vetëm Bullgaria, edhe Greqia dhe Franca, për interesat e tyre kanë vendosur veton në këtë proces. Parlamenti i Bullgarisë vendosi, në 24.06.2022, të heqi veton ndaj Maqedonisë së Veriut me kushtin që të garantohen të drejtat për bullgarët duke i parashikuar në Kushtetutë dhe Qeveria e Shkupit të angazhohet për të mbajtur marrëdhënie të mira me Bullgarinë. Kompromisi ishte këshilluar nga Franca që ka Presidencën e BE-së. Në Bullgari u vlerësua si propozimi më i mirë i deritanishëm. Parashikohen garanci evropiane për mbrojtjen e interesave të bullgarëve. Pritet reagimi nga Maqedonia e Veriut nëse do të pranojë, pasi kryeministri Dimitar Kovaceski, të enjten, në 23.06.2022, në një postim në facebook e vlerësoi të “papranueshëm” propozimin francez.

Ballkani duhet t’i zgjidhë vetë problemet e veta, ndërsa BE të ndihmojë konkretisht. Kërkesa që rajoni t’i zgjidhë vetë problemet e veta është e drejtë. Por edhe BE nuk duhet të vazhdojë të mbajë pozicionin e artë e komod të pritshmërisë. Problemet e procesit të anëtarësimit janë detyra të shteteve kandidate, të cilat kërkojnë edhe ndihmën nga BE si kthimi në demokraci të stabilizuara, shteti ligjor, zgjidhja e konflikteve me fqinjët. Bosnje-Hercegovina, Kosova, Serbia dhe Shqipëria kanë akoma rrugë për të bërë në këtë drejtim. Por problemet e bartura historike duan kohë. Praktika, që u zbatua me Ukrainën që është në luftë dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut me garancitë e BE-së janë përvoja që do të ndihmonin edhe për zgjidhjen e krizave të ngrira midis vendeve në Evropën Juglindore.

BE humbi shansin në këtë samit për të rritur besimin dhe motivimin evropian në këtë rajon. Ajo kishte mundësinë të vendoste me përgjegjësi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ashtu si veproi për Ukrainën. Ishte rast i volitshëm që 26 vendet e BE të kishin dalë të bashkuara kundër Bullgarisë dhe do t’i kishin filluar bisedimet. Megjithatë, ajo dërgoi një sinjal shumë të fuqishëm në drejtim të Rusisë: BE kapërceu vështirësitë e saj dhe pranoi Ukrainën. Rusia nuk kundërshtoi dhënien e statusit të vendit kandidat, bëri dallimin midis BE-së dhe NATO-s dhe deklaroi se nuk ka rrezik nga zgjerimi i BE-së.

Mendoj se është e domosdoshme që Bashkimi Evropian, në radhë të parë, të reformohet për t’u bërë fuqi politike, siç e kërkon vetë. Në radhë të dytë, të ketë një platformë të saktë për zgjerimin dhe të konsolidohet integrimi dhe federalizimi duke u sanksionuar me Kushtetutë. Kështu do të plotësohet edhe pritshmëria e popujve evropianë në shtetin e përbashkët dhe të marri vendin, që i takon në marrëdhëniet ndërkombëtare si fuqi gjeopolitike.

Përvoja po bind politikën dhe opinonin publik mbarë evropian për ndryshime të domosdoshme që Bashkimi Evropian të ketë efektivitet dhe të ndihet pesha e tij në zgjidhjen e krizave dhe parandalimin e tyre në kohë.

  1. Parimi i unanimitetit dhe e drejta e vetos së shteteve anëtare janë shkaku i krizave të vazhdueshme, që pengojnë dhe dobësojnë bashkësinë. Traktati i Lisbonës sanksionojë si funksione të Bashkimit Evropian politikën e jashtme dhe të sigurisë. Të hiqen unanimiteti dhe vetoja të paktën për politikën e Jashtme dhe për Forcat e Armatosura Evropiane.
  2. BE të diskutojë, të marri vendime duke lehtësuar proceset e vendimmarrjes, si dhe për të pranuar anëtarë të rinj që e meritojnë. Kjo nuk është ndonjë gjë e re, por asgjë nuk është bërë vitet e fundit. Në BE janë shtuar populistët euroskeptikë për shkak të krizës financiare, të borxheve dhe refugjatëve dhe është ndërprerë zgjerimi. Shpresoj që shoku gjeopolitik me luftën që nisi Rusia do të jetë një pikë kthese në këtë trend dhe të mos ndodhi e kundërta.
  3. Shtetet evropiane e kanë vendin e tyre të natyrshëm në BE. Nuk është e efektëshme që të krijohen praktika nënvleftësuese dhe përjashtuese si ideja franceze për një “Komunitet politik evropian”, si “paradhomë” për t’iu bashkuar “dhomës së madhe” të BE-së.
  4. Të mos krijohet konkurencë artificiale me organizimet rajonale si Open Balkan. Ai duhet të jetë gjithëpërfshirës. Pozitive është se Shqipëria dhe Kosova kanë mirëkuptim për qëndrimet e ndryshme dhe arritën në mbledhjen e fundit të dy Qeverive të miratojnë 19 marrëveshje të përbashkëta. U mënjanuan kontrollet doganore, u vendos lëvizja e lirë nga e premtja deri të hënën etj. Pra dy shtetet shqiptare u hapën në kuadrin e Ballkanit të Hapur. Me rëndësi është edhe mbështetja që i bëhet këtij organizimi nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Edhe Rusia e mbështet, por nuk është ideuesja dhe as udhëheqësja.

 

26 qershor 2022   09:32