Qeveria ka vendosur të ndryshojë ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke përfshirë për herë të parë edhe asetet në kriptomonedha.
Sipas projektligjit të hedhur për konsultim publik, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të ketë të drejtë të marrë në administrim jo vetëm pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara me vendim gjykate, por edhe pronat e bllokuara nga pushteti vendor.
Një risi tjetër e rëndësishme është përfshirja në administrim edhe e objekteve pa dokument hipotekor, të cilat janë të evidentuara si ndërtime pa leje. Për këto pasuri parashikohet krijimi i një fondi të posaçëm, i cili do të shërbejë si për administrimin, ashtu edhe për zhvillimin e tyre.
Ndryshimet ligjore synojnë t’i japin zgjidhje edhe çështjes së kriptomonedhave, si Bitcoin, Ethereum apo asete të tjera digjitale. Projektligji parashikon që Agjencisë t’i lejohet hapja e llogarive të posaçme për administrimin e kriptomonedhave të sekuestruara, një boshllëk ligjor i evidentuar shpesh edhe nga SPAK.
Vetëm në çështjen e njohur si rasti “Çopja” u sekuestruan rreth 10 milionë euro në kriptomonedha, ndërsa më herët SPAK ka theksuar se legjislacioni aktual nuk ofronte mekanizma të qartë për administrimin e këtyre aseteve.
Me këto ndryshime, qeveria synon të përshtasë kuadrin ligjor me format e reja të pasurisë dhe të forcojë menaxhimin e fondeve dhe pronave të sekuestruara nga aktivitetet kriminale.




















