“Mirënjohje policëve e mjekëve skënderbegas në vijën e parë të betejës me koronavirusin”,Presidenti Meta: Do e festojmë 75-vjetorin e shkollës sa më parë

293
Sigal

Sot shënohet 75-vjetori i Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, që për Presidentin Meta është një prej institucioneve më të shkëlqyera të edukimit profesional dhe patriotik që ka njohur vendi ynë.

Siç shkruan në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit, duke besuar në tejkalimin e shpejtë të kësaj situate pandemie, “shpreh padurimin që ta festojmë sa më parë këtë 75-vjetor në mënyrën më të merituar”.

Meta shpreh mirënjohje dhe falenderim të thellë edhe për të gjithë ushtarakët, policët dhe mjekët skënderbegas që sot janë në vijën e parë të betejës me COVID-19, “duke spikatur me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës të çdo qytetari”.

POSTIMI

Kjo shkollë nisi më 28 mars 1945 me fëmijët partizanë, për t’u rritur e fuqizuar vit pas viti, duke u shndërruar në një institucion të jashtëzakonshëm të edukimit për 33 mijë fëmijë dhe të rinj të cilët dhanë një kontribut të çmuar, jo vetëm për fuqizimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura dhe institucioneve të Sigurisë Kombëtare, por treguan lidership edhe në sport, kulturë dhe politikë.

Nuk ka fushë të shkencës dhe jetës shoqërore ku nuk janë dalluar skënderbegasit në sajë të edukimit shumëdimensional që kjo shkollë garantonte.

Skënderbegasit shkëlqyen kudo me profesionalizmin dhe integritetin e tyre, por mbi të gjitha me atdhedashurinë e tyre.

Ndaj sot një mirënjohje e veçantë u shkon të gjithë mësuesve e pedagogëve të cilët dhanë më të mirën në edukimin e brezave të tërë.
Ne sot nderojmë kampionët e shumtë kombëtarë që kjo shkollë zbuloi dhe krijoi, të cilët nderuan ngjyrat kuqezi në të gjitha sportet e kohës.

Ne sot nderojmë kontributin e skënderbegasve në ndërtimin e veprave më të mëdha të kohës ku ata gjithmonë qenë shembull, nga hidrocentrali i Fierzës e deri te brezaret e Sarandës dhe Ksamilit.

Mirënjohje dhe falenderim të thellë edhe për të gjithë ushtarakët, policët dhe mjekët skënderbegas që sot janë në vijën e parë të betejës me COVID-19, duke spikatur me profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës të çdo qytetari.

Duke besuar në tejkalimin e shpejtë të kësaj situate pandemie, shpreh padurimin që ta festojmë sa më parë këtë 75-vjetor në mënyrën më të merituar. 🇦🇱