Qarku i Korçës pa investime e rrugë, fshatrat në mjerim

652
Sigal

Ironia e banorëve: “Ishim më mirë, kur ishim më keq!”

Rrugët e fshatrave të Korçës të mjerueshme, bashkitë nuk kanë fonde

Vëzhgim

Nga Vepror Hasani

 

E nisëm këtë vëzhgim me disa rrugë të fshatrave të Bashkisë Maliq, të cilat janë në gjendje të mjerueshme, por kjo situatë nuk është e tillë vetëm në këtë bashki, sepse edhe në bashkitë e tjera të qarkut Korçë, mbretëron e njëjta situatë. Ndodh kështu sepse bashkitë nuk kanë fonde për rikonstruksion rrugësh apo për asfaltim. Vetëm ndërtimi i një kilometri rruge kushton së paku 50 milionë lekë të rinj, dhe nëse rruga ka gjatësi më të madhe, bashkitë e vogla as mund ta çojnë nëpër mend ndërtimin e saj, sepse nuk disonojnë fonde të tilla. Vetë bashkitë janë mjerane.  Sigurisht, sot çdo fshat duhej të ishte i lidhur me rrugë bashkëkohore, sepse që nga vitet 1990  kaluar jo pak, por 30 vjet dhe nese do të ecet me këto ritme, do të duhen edhe nja 30 vjet të tjera pa të shohim a mund të bëhet Shqipëria e fshatit! Sepse në Shqipërinë e qytetit hidhen miliarda për ndërtesa shumëkatshe, për akse rrugore të kushtueshme, për vepra arti mbresëlënëse e për investime të tjera marramendëse, që edhe shtetet më të fuqishme do të na kishin zili. Mirëpo edhe sot pas 30 vitesh demokraci, fshatrat e Maliqit nuk kanë udhë: pa udhë është Kakaçi, Verçuni, Shqitasi, Berasi, Kolaneci e shumë fshatra të tjerë, të cilat nuk lidhen dot as më Maliqin, as me Qendrën Shëndetësore të Pirgut dhe as me Pogradecin. Kakaçi, Verçuni, Shqitasi, I ngjasojnë një ishulli të izoluar.

 

Me fat janë minoritetet

Me fat janë minoritet. Kur shteti bullgar e pa që nuk po ndërtohej rruga e Vërnikut, ku banon minoriteti i tij, mori përsipër ndërtimin e rrugës. Projekti do të realizohet nëpërmjet Ambasadës bullgare në Shqipëri. Rruga është 6 kilometra. Ndihma e ofruar nga qeveria Bullgare erdhi si pasojë e mosndërhyrjes së qeverisë shqiptare për një kohë të gjatë, që nga vitet ’90, ose më saktë, siç shprehen vetë banorët e këtij fshati, që nga koha  e deputetit Maqo Lakrori, kur u investua për herë të parë, por nga ai investim i atëhershëm nuk kishte mbetur asnjë shenjë. Tashmë fshati me 400 shtëpi, ka mbetur vetëm me 30 familje, ose 100 banorë, të cilët janë kryesisht pleq dhe disa beqarë që  deri më tani nuk gjenin dot nuse sepse asnjë vajzë nuk sakrifikonte të martohej në një fshat të harruar totalisht. Pjesa tjetër e banorëve emigroi në vendet europiane. Kohët e fundit, jo vetëm shteti grek, por edhe Rumania kanë treguar interes dhe kujdes për minoritetet e tyre në rajonin e Korçës. Edhe investimi bullgar u mirëprit me kënaqësi nga minoriteti bullgar. Tashmë rruga është duke u përfunduar.

 

As taksitë nuk na vinë në fshat

Kthehemi sërish në Bashkinë e Maliqit, siç e thamë edhe në fillim, të tilla janë edhe bashkitë e tjera të qarkut Korçë. Banorët e fshatrave të përmendura më sipër si Kakaçi dhe Verçuni, pohojnë  se në këto fshatra automjtet janë të pakta, pasi për shkak të gjendjes së rrugëve, përdorimi i tyre është gati i pamundur. Rrugët janë me gropa, gjithë dimrit të mbuluara nga uji dhe balta, ndaj askush nuk merr mundimin të blejë një automjet. Në këto fshatra nuk shkojnë as taksitë, mund t’u lutesh sa të duash, mund t’u premtosh edhe një pagesë plus, por përgjigjja e taksistit është: “Nuk më ka lënë mendja të fus makinën në fshatin tuaj, ju akoma jeni si në kohën e Baba-Qemos! Me këtë makinë nxjerr bukën e fëmijve, nuk kam ndërmend të mbetem andej…”.  Ndokush që i lexon këto rreshta mendon: “Kushedi ç’vende malore e të thyera do të jenë ato rrugë andej!”. Jo zotëri, flasim për rrugë në fushë të Korçës, por të lëna në mëshirë të fatit për 30 vjet, janë katandisur si rrugë lufte. Vetëm rruga Shqitas-Kakaç-Verçun u shërben 1000 banorëve, por edhe pse është kështu, askush nuk kujtohet për ta. Atje ku ka 1000 banorë edhe numri i personave me probleme shëndetësore është i madh, por edhe për këtë gjë nuk e vret mendjen kush. Të sëmurët shkojnë në këmbë deri në Qendrën Shëndetësore te Pigut, qaftë dimër, qoftë behar.

Ironia: “Ishim më mirë, kur ishim më keq!”

Banorët e këtyre fshatrave na tregojnë se ndërtimi i rrugës u premtohet sa herë që ka votime: “Na jepni votën dhe ne u bëjmë rrugën”, – kjo është fjala e vetme e njerëzve që dëshirojnë të zënë karriget e pushtetit!” .“Po ju kështu na thatë edhe në votimet e kaluara”, – vjen përgjigjja e banorëve të fshatrave!”. “Po lerë radhën e parë, tani janë ndryshe gjërat, mundësitë janë më të mëdha…”. Fshatarët edhe pse e dinë shumë mirë që njerëzit e partive po i mashtrojnë, nuk kanë rrugë tjetër veçse të bëjnë sikur po i besojnë, por në të vërtetë vetëm luten: “O Zoti,  ktheji në rrugë të mbarë këta gënjeshtarë të pandreqshëm! Në fakt lutja e pushtetarëve ndodh në zona votimi të mëdha, ku ka shumë vota, sepse në bashki të vogla siç është Kolonja, nuk të luten dy here, sepse nuk mund ta ulë veten aq shumë “një burrë me dinjitet”. Ndaj Kolonja, aktualisht, po përjeton braktisjen e saj të madhe. Edhe në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Kolonja kishte më shumë banorë, më shumë bukuri dhe më shumë turistë; vizitohej nga njerëz të shquar siç ishte Pukëvili, konsulli frances pranë Ali Pashës, ndaj ironikisht ndodh që të thuhet “Ishim më mirë, atëherë kur ishim më keq!”