‘Protestat tona janë më civile se ato në Europë’ / Flet mjeku i njohur

268
Sigal

“Protestat tona janë më civile se simotrat në Europë”, gjykon mjeku i njohur Artan Koni për zhvillimet e fundit në vend.

Në gjykimin e tij, Dr. Koni thekson se “në një demokraci normale, qytetarët protestojnë paqësisht, qeveria reflekton menjëherë, të gjithë shpërndahen pa shkatërruar asgjë. Në një demokraci normale, qytetarët bëjnë kallëzim në Prokurori për një PPP abuzive, drejtësia funksionon, fajtorët dënohen, paratë i kthehen Buxhetit të Shtetit, shoqëria qetësohet.”

“Por, – nënvizon doktori në vijim, –  ne nuk jemi demokraci normale!  Ne kemi shtet i cili kur sheh se proteston paqësisht, bëhet arrogant dhe të shkel me këmbë. Kemi bërë dhjetëra protesta paqësore, por shteti në vend që të reflektojë, i ka hipur vetja në qejf duke e konsideruar të dobët sovranin. Tallja sistematike e pushtetit me sovranin sjell një ditë të bukur mbushjen e kupes, e cila sjell në mënyre të pashmangshme dhunën, revoltën popullore.

Gjithsesi, shohim që dhuna jonë është më civile se ajo në Europë. Kemi një dhunë të drejtuar ekskluzivisht ndaj aseteve të pushtetit, ndërkohë qe në Europë dhuna është më kaotike dhe i drejtohet shpesh here edhe aseteve të njerëzve të thjeshtë.

Kemi parë shumë raste në Europë ku protestuesit djegin makina, shkatërrojnë dyqane apo bastisin supermarkete…thjesht për të nxjerrë dufin.

Ndërkohe që në këto protesta, asnjë pronë e njerëzve të thjeshtë nuk është prekur me dorë. Protestuesit tanë i shohin pronarët e dyqaneve të vogla të falimentuar si ata vetë, të përcmuar e të shkelur me këmbë nga pushteti si ata vetë…por në një mënyrë më tinzare, jo me shkopa gome, por me strategji fiskale vrastare për biznesin e vogël.

Mos e paragjykoni dhunën ndaj pushtetit, sepse në një vend ku pushteti i sillet sovranit me arrogancë, dhuna është e vetmja mënyrë për të vendosur ekuilibrat në shoqëri!” ka përfunduar mendimin e tij Dr. Artan Koni.