Prof. Dr. Lush Susaj: Më mirë vonë se kurrë, përfundoi instalimi i impjantit fotovoltaik në UBT

187
Sigal

Për rreth 70 vite me radhë, që nga viti 1951 e deri më sot, pedagogë, laborantë dhe studentë të UBT, janë përballur me mungesën e theksuar të energjisë elektrike, me defektet e vazhdueshme në paisjet laboratorike dhe me zjarret nga djegiet e transformatorëve dhe të kabllove të vjetëruara e të mbingarkuara në vite. Të gjithë mund të kujtojnë momente nga fikja e dritave në momentin më të mirë të punës, kur shkruanim artikuj, leksione apo emaile për kolegët dhe institucionet kombëtare e ndërkombëtare të shkencës e teknologjisë. Nuk mund të harrohen kurrë as ato pamjet e trishtuara të studentëve, që në kushtet e mungesës totale të ngrohjes, dridheshin nga të ftohtit e dimrave, e ku muret e akullt të klasave dhe laboratorëve, nuk ngroheshin dot me ato rezistencat e vogla që përdornim, e që akoma i ruajmë si relike në raftet e zyrave tona.

Gjithmonë na thuhej që UBT furnizohet nga dy linja, e ku kohët e fundit njëra prej tyre u kalua tek shkolla e re që u ndërtua në zemër të kampusit të UBT, hapësirë didaktike që i kishte mbijetuar edhe reprezaljeve të njohura hajdutërore e kriminale të vitit 1997, por që nuk mundi që t’i mbijetojë sistemit aktual të korrupsionit dhe mafies së pronave dhe trojeve të ndërtimit.

Sikurse dihet, pas këtyre ndryshimeve të vitit 2020, në burimet e furnizimit me energji elektrike, për laboratoret, zyrat dhe ambjentet akademike të UBT, ka patur një vështirësi të jashtëzakonshme dhe kohë të gjata ndërprerje dhe mungesa të energjisë elektrike.

Ndërsa duke filluar nga janari i këtij viti (2023), në mjediset e UBT, u panë gërmime dhe ndërtime të strukturave metalike, që do të shërbenin për montimin e paneleve diellore. Kjo është ndërhyrja më e shumëpritur, e që shërben për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e mungesës dhe të ndërprerjeve të herëpashershme të energjisë elektrike. Jetojmë në një kohë të ngarkuar me korrupsion, me abuzivizëm, me përçarje dhe me politizim të çdo gjëje. Në këto kushte, në jo pak raste ndihemi të përmalluar për të parë e për të gjetur qoftë edhe një punë apo një zgjidhje për së mbari, e në shërbim të studentëve dhe të universitetit. Në këtë panoramë të mbushur me dështime dhe problematika të mëdha për stafet, studentët dhe universitetet, kjo zgjidhje e shumëpritur është ajo puna e mirë, e cila meriton respekt dhe falenderime nga të gjithë. Sikurse dihet, fillimisht, edhe këtë punë nuk e besuam dhe nuk e morëm aq seriozisht në terma, në impakt dhe as në afate. Kjo ka ndodhur e po ndodh për shkak të tejngopjes edhe të mjedisit tonë shoqëror e akademik me propagandë dhe korrupsion, që buron nga monistë, nepotikë e supër i centralizuar. Ky system dhe punët e zeza të tij, e kanë zbehur shumë besimin dhe shpresën, qoftë edhe për ato pak raste të investimeve dhe kryerjes së punëve të mira, për të cilat mendoj se duhet folur, duhet shkruar e duhen fiksuar si arritje cilësore në rrugën e vështirë të konsolidimit dhe të modernizimit të shkollave dhe institucioneve të arsimit të lartë. Në këtë panoramë të mbushur me mungesa e shqetësime për shkak të fikjes së dritave dhe mungesave të energjisë në çdo moment, për studentët dhe punonjësit e UBT, u njoftua zgjidhja përfundimtare e këtij problemi. Sot më datë 16 shkurt 2023, përmes një emaili, është shpërndarë lajmi i gëzuar mbi fillimin e prodhimit të energjisë elektrike nga panelet diellore të instaluara në mjediset e UBT. Në këtë mënyrë, është zgjidhur problem për energji të vazhdueshme, e bashkë me të edhe puna normale e aparaturave laboratorike, paisjeve të internetit dhe ngrohjes. Me këtë zgjidhje, errësira dhe klasat e akullta duket që do të mbeten si kujtime të hidhura të së kaluarës. Kjo zgjidhje e mirë është arritur përmes realizimit të projektit për instalimin e impiantit fotovoltaik me fuqi 213 këp, që është instaluar në hapësirat e oborrit dhe mbi godinat e UBT-së.  Sikurse është përllogaritur, energjia e pastër e këtij impianti, do të plotësojë rreth 40% të nevojave të UBT-së për energji, e kjo në një kohë kur vendi gjendet në vështirësi për energji. Përveçse interesit të madh në drejtim të sigurimit të energjisë, ky projekt ka edhe interes shëndetësor e mjedisor, për faktin që përmes këtij burimi reduktohet me rreth 130 ton/vit emëtimi i CO2. Kjo është e barabartë me mbjelljen e rreth 6200 pemëve dhe bimëve zbukuruese, ekuivalentë me rreth 16 ha gjelbërim.

Pa harruar edhe faktin që ka të bëjë me përfitimin ekonomik me rreth 80000 USD/vit, që më parë shkonin për të blerë energji elektrike, e pas këtij projekti mund dhe duhet të adresohen në shërbim dhe mbështetje të proçesit të edukimit, të mësimdhënies e të kërkimit shkencor në UBT. Kjo tregon që në Shqipëri, mungesa e punëve të mira, varfëria, humbja e besimit, si dhe mungesa e investimeve dhe zgjidhjeve të dobishme, nuk ka ardhur thjesht e vetëm nga mungesa e parave dhe investimeve. Përkundrazi, buron nga abuzivizmi dhe nga mungesa e theksuar e besimit dhe bashkëpunimit me interes të ndërsjelltë midis institucioneve shtetërore e private të vendit. Mungesa e gjatë e zgjidhjeve dhe punëve të mira, pikë së pari buron nga korrupsioni dhe vjedhja e projekteve dhe investimeve, që sikurse dihet në të shumtën e rasteve, nga investimet nuk ka mbetur asgjë. Këtë e vërteton fakti që po trajtojmë, pasi kjo zgjidhje e shkëlqyer, ka ardhur vetëm falë një bashkëpunimi të ngushtë midis UBT-së dhe Raiffeisen Invest. Është fjala për një investim modest nga ana e Raiffeisen Invest. Është një grant me një vlerë prej 200 000 euro, që mundësoi projektin dhe zgjidhjen e një problemi të madh, e të akumuluar e përcjellur në vite. Kjo tregon se punët e mira mund dhe duhet të bëhen edhe me pak para dhe investime, sepse për punët e mira, në radhë të parë duhet besim, komunikim, korrektesë dhe dashuri për shkollën, për universitetin, për Shqipërinë. Në këtë këndvështrim, falënderimet tona të sinqerta shkojnë për financuesit dhe të gjithë kontribuesit në realizimin e kësaj zgjidhje efektive dhe afatgjatë për UBT-në. Është koha që të mendojmë e të punojmë për punë e vepra të mira, e që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm të Shqipërisë.