Naço: Burgjet e hapura, tashmë të burgosurit edhe mundësi punësimi

582
Sigal

TIRANE – Është prezantuar sot nisma e re e Ministrisë së Drejtësisë me temë “Zbatimi i mbikëqyrjes elektronike si formë e dënimit alternativ,” e cila konsiston në mënyrat e reja të vendosjes së një paisjeje në trupin e të dënuarit për ta mbajtur atë nën vëzhgim gjatë të gjithë kohës së vuajtjes së dënimit për të burgosurit.

Burgjet e hapura janë risia tjetër që sjell kjo nismë.

Ministri Naço ka thënë se aktualisht po punohet për hapjen e burgjeve të hapura.

Sipas propozimit,- tha Naço,- burgu i hapur konsiston në faktin që të burgosurit të shkojnë të punojnë gjatë të gjithë ditës dhe më pas të kthehen në qeli për të vuajtur dënimin e caktuar.

“Koncepti i burgut të hapur nënkupton një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut, duke krijuar kështu mundësinë që paralelisht me vuajtjen e dënimit i burgosuri të ketë të drejtën e punësimit,”- tha Naço në fjalën e tij.

Sipas reformës së prezantuar sot kjo metodë e re e vuajtjes së dënimit do të sjellë efikasitet të vuajtjes së dënimit si dhe mundësi punësimi për të gjithë të burgosurit. Pjesë e këtij programi të burgjeve të hapura do të jenë personat të cilët përbëjnë rrezikshmëri të ulët për shoqërinë. 

Fjala e plotë e Ministrit Nasip Naço

Sikurse mund të jëni në dijeni, Qeveria Shqiptare, me nismën e Ministrisë së Drejtësisë ka ndërmarrë një ndryshim rrënjësor, që lidhet drejtpërsëdrejti me aplikimin e shkencës në funksion të
respektimit të lirive themelore
dhe realizimit të interesit të përgjithshëm.   
Mbikëqyrja Elektronike, nga një projekt pilot vetëm në qytetin e Tiranës, sot është shdërruar në një shërbim të shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe mundëson;
mbikëqyrjen e kufizimit të lirisë, brenda mureve të banesës
dhe synon kontrollin dhe ndryshimin e sjelljes së autorëve të veprave penale apo të të pandehurve.Në sajë të teknologjisë së lartë të përdorur garantohet që në kohë reale të verifikohet, nëse i dënuari apo i pandehuri i përfshirë në proces gjyqësor, është duke respektuar detyrimet e caktuara nga gjykata.
Siguria për komunitetin në këtë rast shoqërohet me ;
krijimin e rrethanave optimale që mundësojnë rehabilitimin e të mbikëqyrurve në shoqëri,  
duke lejuar kështu familjarët të kenë kontakt të vazhdueshëm me ta,
duke lejuar forcat e rendit që të dedikohen më tepër drejt parandalimit dhe jo drejt kontrollit të personave me detyrim paraqitje dhe për më tepër,

si dhe duke mbrojtur dhe respektuar të drejtave të njeriut në përputhje mesa është përcaktuar në Rekomandimet e Këshillit të Evropës. 
 
Trajnimi i vazhdueshëm i stafit të Shërbimit të Provës  
dhe bashkëpunimi me organet e tjera ligj-zbatuese  
përbëjnë një bazë shumë solide për të lejuar mirëfunksionimin e këtij shërbimi.
 
Mbështetja e vazhdueshme e ofruar edhe nga ekspertët e huaj, pjesë e programeve të posaçme apo niveleve shumë të larta të ekspertizës, na inkurajon akoma më tepër për të çuar shërbimin e mbikëqyrjes elektronike në një shkallë aplikimi gjithmonë e më të zgjeruar.
Një lajm i mirë është fakti se 134 punonjësit e Shërbimit të Provës trajtohen me statusin e Nëpunësit Civil, duke kirjar kështu një garanci për vazhdimësinë e ushtrimit të detyrës së tyre.
Në këtë aspekt gjej rastin të falënderoj  përzemërsisht Prezencën e OSBE-së, për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të rritjes së performancës në Shërbimin e Provës.
Ministria e Drejtësisë është e impenjuar maksimalisht për të ofruar jo vetëm përdorim efektiv të monitorimit elektronik në respektim të standardeve etike dhe profesionale,
por edhe për të garantuar

transparencë, ndërgjegjësim dhe informim të vazhdueshëmpër respektimin e standardeve etike gjatë monitorimit elektronik, efektivitetin, qëllimin e saj dhe vlerat e tij si një mjet për kufizimin e lirisë së të dyshuarit ose të shkelësve dhe për të mundësuar realizimin e studimeve dhe vlerësimeve të pavarura,që mund të përbëjnë bazën e ndërhyrjeve të ardhshme për përmirësimin e standardeve gjatë zbatimit të të gjitha masave alternative përfshirë mbikëqyrjen elektronike. 
 
Ndërkohë gjej rastin që tju informoj se Ministria e Drejtësisë është duke kryer një analizë që do të pasohet nga propozime konkrete për të përfshirë në sistemin penitenciar “Burgjet me regjim të hapur”.
 
Koncepti i burgut të hapur nënkupton një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut, duke krijuar kështu mundësinë që paralelisht me vuajtjen e dënimit i burgosuri të ketë të drejtën e punësimit.
 
Nisma për të vlerësuar këtë mundësi është ndërmarrë, në kushtet kur regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikave që kanë të bëjnë me ndjekjen penale, e konkretisht:
Efikasitetit të ekzekutimit të dënimeve penale, duke mundësuar maksimalizimin e funksionit rehabilitues të dënimit penal;
Respektimit të të Drejtave të njeriut, që është thelbësore;
Integrimit territorial; 
Sigurisht, duhet theskuar se burgjet e hapura janë shpesh pjesë e një plani të rehabilitimit për të burgosurit dhe konsiderohen si “burgjet e trajnimit”,  dhe mund të aplikohen për të burgosurit që përbëjnë  rrezikshmëri të ulët për publikun dhe dënimi i të cilëve është më pak se 5 vjet.  Ky projekt  i Ministrisë së Drejtësisë për aplikimin e këtij regjimi burgu, pritet të vlerësohet në vazhdimësi dhe do t’i nënshtrohet një procesi të gjerë konsultimi.