Ligjet e përkthyera keq bëhen barrë e rëndë për prodhuesin vendas
Prodhues dhe kontrollues të verës, bëhuni seriozë me cilësinë dhe sigurinë ushqimore
Abuzimi me cilësinë, sjell humbje të reputacionit dhe falimentim
Në këtë reagim nuk do të merrem gjatë me ligjin Nr 86/2022 “Për Vreshtarinë dhe Verën”, që sikurse e kam theksuar edhe më parë, është një ligj që nuk është bërë nga specialistët e mirfilltë të fushës, është një përkthim i keq, e sigurtë që nuk shërben për asgjë.
Shkaku i këtij shkrimi është diçka më konkrete. Është ai realiteti i përditshëm e i kudo gjëndur në dyqanet dhe në tregjet tona ushqimore. Është një realitet, që sikurse edhe më parë, më doli përsëri gjatë zhvillimit të një praktike laboratorike me studentët e vreshtarisë, e ku përsëri rezultatet e një analize rutinë më dëshmojnë për pasiguri dhe cilësi e ulët të produkteve ushqimore, e të pijeve alkolike në veçanti.
Që kultivuesit e vreshtave dhe prodhuesit e verës dhe të pijeve alkolike të mund të kuptojnë në lidhje me cilësinë dhe pasojat që do të ketë ky ligj në sigurinë dhe punën e tyre të përditshme, po sjell dy koncepte nonsens të këtij ligji. Janë përdorur koncepte pa kuptim e pa asnjë lidhje me realitetin, e as me shkencën e Vreshtarisë dhe Enologjisë. Kuptoj që janë terma dhe fjalë të përkthyera keq, nga ata që unë nuk e njohin fare shkëncën as profesionin.
Për këtë qëllim ju ftoj që të lexoni në faqën 3 të ligjit të publikuar (ligjit Nr 86/2022), aty tek pika “b”, ku fjalë për fjalë shkruhet “Vreshtë me hardhi të nënshartuara”. Ju lutem, nëse ka ndonjë specialistë apo studjues të kësaj fushe, të më tregojë se çfarë mund të nënkuptohet nesër përballë një gjyqtari e prokurori. Kjo sepse unë kam 44 vjet që lexoj e që shkruaj për vreshtat antifilokserike dhe për vreshtat e prodhimit të rrushit. Jam bashkëpunues dhe kontribues në Enciklopedinë Botërore të Vreshtarisë dhe Verës. Punimet tona shkencore janë lexuar, përkthyer e botuar në 7 gjuhët më të mëdha të Europës, si në anglisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermansht dhe rusisht. Por në asnjë rast nuk është përdorur dhe nuk mund të përdoret termi “hardhi të nënshartuara”. Ata që e kanë përkthyer e shkruar me kaq deformime këtë ligj, nëse do të kishin minimumin e njohurive mbi biomorfologjinë e hardhisë, apo mbi procesin e shartimit, apo mbi përdorimin dhe rolin e nënshartesave dhe mbishartesave, nuk do të mund të bënin kurrë një gafë të tillë. Për të fituar pa meritë paratë e një projekti, nuk mund të bëhet një ligj i keq, e si gjithmonë nga njerëz jashtë profesionit.
Po në këtë faqe me zuri syri edhe një fjali tjetër ku thuhet “përzgjedhja e bimëve për shartesa”. Edhe ky koncept nuk mund të ekzistojë, sepse shkencërisht e praktikisht nuk tregon për asgjë. Veprimtaritë prodhuese, sikurse është prodhimi i fidanave, seleksionimi klonal dhe skema e çertifikimit të materialit mbjellës, përdorin koncepte të njohura e botërisht të unifikuara, sikurse janë: nënshartesa, mbishartesa, vreshti antifilokserikë, vreshti mëmë për mbishartesa, materiali elitë, supër elitë, etj. Unë nuk di një tjetër rast në botën shqiptare ku të jetë shkruar apo përdorur shprehja “përzgjedhja e bimëve për shartesa”, pasi shkencërisht dhe ligjërisht nuk ka asnjë kuptim. Po e mbyll me kaq, në mënyrë që secili specialistë, kultivues e prodhues të mund të kuptojë se me çfarë cilësie është përgatitur e kaluar ligji, e se si do të rrjedhin pasojat e zbatimit.
Në këtë mënyrë, secili mund të kuptojë më mirë burimin e kaosit ligjor dhe juridik që është krijuar, përmes ligjeve klienteliste, jo profesionale, të përkthyera e shkruara keq, e gjithnjë nga njerëz jashtë profesionit.
Abuzimi me cilësinë, sjell humbje të reputacionit dhe falimentim
Sipas meje, siguria ushqimore nuk mund të realizohet me dosje fiktive të përkthyera, të kopsitura e të shkruara bukur, e as me reklama e dalje televizive. Siguria ushqimore prodhohet me dije të thella shkencore e me teknologji bashkëkohore. Nga ku realizohet prodhimi cilësor, nga ku dalin nënproduktet cilësore. Edhe sikur të kemi në dispozicion paisjet teknologjike më të mira të kësaj bote në procesin teknologjik të përpunimit, e nëse në vreshtat e prodhimit të rrushit për prodhimin e verës së kuqe të kemi përdorur, psh, preparatet kundër vrugut si Zoxamidë dhe Metalaxy, më pak se 56 ditë nga koha e vjeljes, e sigurtë që vera e prodhuar do të rezultojë e kontaminuar me mbetje kimike. Që do të thotë që cilësinë dhe sigurinë ushqimore nuk e siguron kurrë kantina, as amballazhimi, as reklama, as partia, as policia, as nepotizmi e as patronazhimi. Përkundrazi, është koha që të kuptojmë faktin botërisht të njohur e të provuar, që cilësia dhe siguria ushqimore sigurohet në fushë-në vreshtë, atje ku menaxhohet dhe garantohet teknologjia e implementuar dhe e mbikqyrur nga agronomi. Ndërsa reputacioni dhe tregu sigurohet dhe zgjerohet përmes korrektesës dhe cilësisë së lartë e të garantuar të prodhimit. Ata që mendojnë ndryshe e kanë shumë gabim. Në momentin e goditjes së cilësisë nga padija, apo edhe nga korrupsioni dhe abuzivizmi, në atë moment prodhuesi humbet konsumatorin, e kështu fillon tatëpjeta drejt falimentit.
Me qëllimin e mirë, e gjithnjë për të ju ardhur në ndihmë prodhuesve shqiptarë, po sjell në vëmendje dy fakte apo ngjarje të javës së fundit, për të cilat mendova të reagoj e të shkruaj, me qëllimin e mirë që tregu i pijeve alkolike të mos pësojë humbjen e besimit të konsumatorit. Në zanafillë e deri në fund të jetës, unë jam dhe mbetem një specialist vreshtarie dhe enologjie, që e kaloj ditën dhe jetën nëpër vreshta e kantina, e ku me paisjet e mia të çantës së krahut, bëj matje të pavaruara, për të korrigjuar gabimet, e kudo pa përmendur emëra kantinash e as prodhuesish. Por çdo gjë ka një kufi, pasi në situatën aktuale, ndërhyrja për cilësinë dhe sigurinë ushqimore të pijeve alkolike, është bërë një domosdoshmëri. Për ta ilustruar me fakte, po sjell dy raste që mua me kanë ndodhur në katër ditët e fundit. Rasti i parë është ai kur në një drekë me peshk, shoku im me thotë që vera e bardhë që kemi marrë nuk ka djegie as buket, edhe pse në etiketë shkruhej që përqindja e alkolit është 12%. E provova edhe unë verën, dhe m’u duk sikur po pija ujë me pak alkol, e pa fare aromë e buket. Nga kurioziteti nxora alkolmetrin dhe cilindrin nga kutia dhe bëra matjen aty për aty. Pashë që përqindja e alkolit në verë rezultoi të ishte 5,7%, nga 12% që shkruhej në etiketë. I njëjti fenomen me ndodhi edhe sot në orën e punës laboratorike, ku në prani të 23 studentëve, morëm raki, rrush dhe një shishe me verë të kuqe, në etiketën e të cilës shkruhej se përmbajtja e alkolit është 13%. Bëmë matjen me 23 veta me radhë, e në të gjitha rastet na rezultoi që përqindja faktike e alkolit të ishte 8,3%. Është një mashtrim që bie në sy menjëherë. Nuk do të reagoja kurrë po mos të ishte interesi publik. Në interesin e konsumatorit dhe të prodhuesve, është më mirë që të flasim e të shkruajmë, në mënyrë që të gjithë prodhuesit dhe përpunuesit e verës dhe pijeve alkolike të bëhen më seriozë, e mos të mashtrojnë më gjatë me etiketat dhe cilësinë. Heshtja përballë mashtrimit me etiketat, është një gabim, që rëndon dhe trashet përsa kohë që institucionet e kontrollit nuk po reagojnë. Për të nxitur reagimin për më shumë korrektesë dhe siguri ushqimore, në ditët në vazhdim do të publikojmë me fotografi dhe emëra konkretë rezultatet e analizave laboratorike të verës për përmbajtjen e alkolit, aciditetit, të pH, të ngjyrës dhe të sheqerit. Madje falë aparaturave të siguruara do të publikojmë edhe rezultatin e analizave për përmbajtjen e metaleve të rënda, atë të mbetjeve kimike dhe të micelit të kërpurdhave. Pa harruar në asnjë rast edhe rezultatin për përmbajtjen e alkolit metilik (që nuk duhet të jetë midis 0,08-0,3 gr/litër), apo për përmbajtjen e glicerolit (që është 4-10 gr/l, ndërsa tek verërat e rrushit me botrytis shkon deri në 20 gr/l). Apo për përmbajtjen e aldehidit acetik që i jep verës buketin, e që duhet të jetë më pak se 150 mg/l. Apo për rezultatet e analizave për përmbajtjen e substancave të azotuara (si prolina dhe 23 minoacide të tjera), apo për përmbajtjen e lëndëve ngjyruese, apo për përmbajtjen e borit në trajtën e acidit borik, e që duhet të jetë 15-30 mg/l. Apo të fosfateve, apo të kaliumit, natriumit, magnezit, bakrit, hekurit, etj, për të cilët ka një kufi, përtej të cilit vena duhet stopuar, nuk mund të konsumohet e as tregëtohet. Përshëmbull nuk mund të konsumohet vena që përmban >0,3 mg/l plumb, apo vena që përmban >5 mg/l zink, apo vena që përmban mbi 3 mg/l alumin, etj. Për ta mbyllur me faktin që për të patur vërë të pastër nga metalet e rënda dhe nga mbetjet kimike, pikë së pari duhet me zbatue afatin e skadencës (bidegradimit) së preparateve dhe kimikateve të përdorura në mbrojtjen e vreshtave nga vrugu, hiri, kalbëzimi dhe dëmtuesit. Ndërsa për shijën, buketin, ngjyrën, përmbajtjen e alkolit, të sheqerit dhe të aromës në verë, duhet treguar kujdes shumë i lartë gjatë procesit teknologjik, e ku vendosja e etiketës me tregues të saktë, është detyrim ligjor e moral, është seriozitet dhe besueshmëri. Në këtë mënyrë, duke folur e reaguar, shpresoj që secili nga ne, kur të marrë për të konsumuar një verë me 13% alkol, të mos rezultojë që vena të jetë me 8,3%, e as me 5,7%. Duhet të jetë fiks, ose ndryshimi me plus minus një. Vetëm në këtë mënyrë, unë besoj që do të mund të shtohet besueshmëria dhe kërkesa për verën dhe pijet alkolike të prodhuara e të marketura nga kantinat shqiptare.