– Gjithë mundi, djersa, prodhimi, arritjet e naftës shqiptare përfunduan në xhepat e të huajve me shfrytëzim pa kriter dhe pa transparencë
– Nafta shqiptare arriti shifra rekorde me sakrifica ekstreme, punë pa orar dhe të papaguar, duke lënë edhe familjet pa mbështetje
– Si është e mundur të bashkëjetohet me gjithë këto shpërdorime të naftës të asaj pasurie që e kemi zbuluar me shumë vështirësi?
– Si është e mundur ju që punoni sot në sektorin e naftës të bashkëjetoni me shpërdoruesit kur sa herë keni venë jetën në rrezik me fontanat e hapura në Marinëz, Ballsh, Cakran e Divjakë?
– Çfarë mund t’i thoshim sot inxhinierit Perikli Prifti, i cili “vdiq” i helmuar nga gazi në Kallm dhe vetëm guximi i doktorit të ri Veli Muskaj e ngjalli?
– Si do t’i dalim para inxhinierit të talentuar Tuni Lena, që u aksidentua rëndë në fontanën e Cakranit, apo punëtorëve që u shkrumbuan në përpjekje për të shuar zjarrin e fontanës në Cakran?
-Si mund të kujtojmë me kokën lart inxhinier Nikolla Kiçon, i cili mori në sy rrezikun për jetën duke shkuar drejt preventorëve të pusit të gazit në flakë për t’i mbyllur?
– Dy fjalë për kolegët e mi naftëtarë me të cilët kemi punuar e sakrifikuar bashkë, por që janë ende në punë.
Prof. Dr. Gjergji Foto
Kur dëgjojmë në lajme problemet e Bankers që nuk pagoi tatimet për 20 vite, shiti 532 mld lekë naftë, por deklaroi 11.7 mld lekë humbje! Miliona euro dëm shtetit nga kthimi i TVSH habitemi! Së pari, për gjithë kërkuesit e naftës dhe gazit sot: si është e mundur të bashkëjetoni me gjithë këto shpërdorime të asaj pasurie që e kemi zbuluar me shumë vështirësi, mungesa teknike e teknologjike, me sakrifica ekstreme, punë pa orar dhe të papaguar, duke lënë edhe familjet pa mbështetje? Si do të ndiheni para jetës së humbur të kolegëve tanë apo viteve të burgut të një pjese prej nesh, të cilët u dënuan se nuk bënë të mundur të realizonin planet e fryra të zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe gazit? Dhe bëni dallimin: nuk u realizuan planet e fryra të shtetit, i cili në të gjitha rastet, ato plane i hartonte jo për të shpërdoruar pasuritë e naftës, por për të realizuar ato plane zhvillimi ekonomik e të mirëqenies, që e afronin disi vendin tonë tepër të varfër me vendet fqinjë.
Së dyti, si është e mundur të bashkëjetoni ju naftëtarë prodhuesa të naftës, kur sa herë keni venë jetën në rrezik me fontanat e hapura në Marinëz, Ballsh, Cakran e Divjakë. Pse luftonit atëhere me zjarret duke sakrifikuar jetën tuaj dhe të familjeve tuaja? Çfarë mund t’i thoshim sot Inxhinierit Perikli Prifti, i cili “vdiq” i helmuar nga gazi në Kallm dhe vetëm guximi i doktorit të ri Veli Muskaj e ngjalli? Dhe ky njeri, nuk u tërhoq asnjëherë nga sakrifica dhe rreziku për jetën, në të gjitha fontanat. Si do t’i dalim para inxhinierit të talentuar Tuni Lena, që u aksidentua rëndë në fontanën e Cakranit, apo punëtorëve që u shkrumbuan në përpjekje për të shuar zjarrin e fontanës në Cakran; si mund të kujtojmë me kokën lart inxhinier Nikolla Kiçon, i cili mori në sy rrezikun për jetën duke shkuar drejt preventorëve të pusit të gazit në flakë për t’i mbyllur? Si mund të shkojmë te vorrezat për të kujtuar dëshmorët e shkrumbuar të transportit të naftës, Inxhinierin Muhamet Shehu dhe teknikun djalë të ri, Myrteza Kepi, në përpjekje për të shpëtuar naftën e prodhuar?
Së treti, a kujtoheni ju gra naftëtarësh dhe nëna naftëtarësh se si i keni lënë fëmijët tuaj verës dhe dimrit brenda katër mureve, shpesh pa ngrohje e ushqim të ngrohtë, kur niseshit herët në mëngjez me makinat “ZIS” e “IFA”, gjysmë të hapura, me stola dërrase dhe që bënit mbi një orë rrugëtim pa rrugë për të ndërtuar rrugët dhe bazamentet prej betoni të puseve maleve dhe kodrave? Ju, megjithatë, mbi makina, thurnit çorape dhe fanella për meshkujt tuaj naftëtarë. Ishit Ju, që i mungonit familjes mbi 12 orë çdo ditë e më pas, rifillonit “punë” si familjare. Nuk u ankuat asnjëherë, se punonit për pasurinë tuaj dhe të popullit. A e mbani mend që nga Kuçova e Qyteti i ri në Patos niseshin me kamiona qysh në orën 6 të mëngjesit rreth 20 mijë punëtorë? Të gjithë ishim të bindur se punonim për të kërkuar dhe nxjerrë atë pasuri që me të drejtë u quajt “si gjaku në trupin e njeriut”. Ne nuk e kemi pas njohur dhe e njohim arin si monedhë, veç naftës! “Gjaku ishte baraz jetë” dhe nafta ishte baraz jetë. Për këtë ishim të bindur, kemi punuar dhe sakrifikuar maksimalisht. Si është e mundur të falni atë djersë dhe stërmundim disa të ashtuquajturve “administratorë” të pasurisë tuaj dhe tonës, të cilën e nxorrëm mbi tokë “me thonjtë” tanë?
Së katërti, a e mbani mend Inxhinierin Ramiz Xhabia? I kujtoni përpjekjet e jashtëzakonshme të tij për të arritur ato objektiva të partisë, mirëqënien popullore? Ua them unë që i kam përjetuar. Ka qenë mjaft këmbëngulës dhe deri “konfliktual” me të gjithë specialistët e naftës. Si Kryeinxhinier i Kombinatit, vinte në Ndërmarrjen e Marinzës, në vitin 1960 dhe mbante në mbledhje të zgjatura dhe debate të ashpëra tërë stafin teknik të ndërmarrjes, gjithmonë për të rritur prodhimin. Përherë kokëulur, përherë me qesen e duhanit “sheldie” hapur në prehër e duke dredhur e pirë njëpasnjë cigaret, me gishtat e kuqëremtë nga nikotina e buzët gjithashtu. Debatonte ashpër me atë shkodranishten e bukur, që sidoqoftë e zbuste zemërimin. Duhet ta mbani mend Ramiz Xhabinë në “konfliktet” teknike sidomos gjatë viteve 1971-1975, në Komitetin e Partisë në Vlorë, në mbledhjen e drejtuar nga ish Kryeministri Adil Çarçani, ku parashtroi rritjen e prodhimit nga Gorishti, me mbi një milion tonë. Nga ajo mbledhje, u largua i dëshpëruar. Por se mos vetëm me Gorishtin. Në vitin 1972, në ndërmarrjen e Ballshit ku unë bëja “shefin e gjeologjisë” erdhi për të verifikuar prodhimin e naftës. Po kështu, me Visokën etj. Ramiz Xhabia, “ndezi” debatin e ashpër teknik në Komitetin e Partisë së Fierit. Përsëri iku i dëshpëruar, por jo i thyer. Falë përpjekjeve dhe këmbënguljes së tij, prodhimi i naftës në vitin 1974, arriti maksimumin “fatal”. Viti 1975, por edhe 1986, dënoi shumë nga specialistët e naftës edhe me pushkatim. Si t’i u themi atyre sot? A mendoni se i ndjeri dhe i respektuari Ramiz Xhabia, e kryesonte atë “luftë” për të futur gjë ne xhepat e tij? Turp edhe ta mendosh. Por jo vetëm Ramix Xhabia.
Një gazetë ditore, para pak kohësh botoi dosjen hetimore të ish Ministrit të Industrisë dhe Minierave Koço Theodhosi. Nuk dija shumë hollësira për të nga veprimtaria e ashtuquajtur “sabotuese” në ekonomi, e cila i kushtoi jetën. Ministrin, e kisha parë drejtpërdrejt në Komitetin e Partisë në Vlorë por edhe në Institutin e Naftës në Fier, i thirrur në takim me të dhe një grupi specialistësh. Mbaj mend përpjekjet e tij për të gjetur shtigje për të zbatuar atë objektivë që rridhte, sipas tij, nga fakti se “vendi e kishte thikën në palcë” dhe duhet të gjendej se s’bën një zgjidhje për rritjen e prodhimit të naftës. E mbaj mend tepër serioz dhe të shqetësuar. Nga botimi, kuptova që ai, ashtu si edhe ne specialistët, nuk ishte dakord së brendshmi për të rritur prodhimin tej normave teknike dhe se nuk kishte pasur guximin të kundërshtonte drejtpërdrejt ato direktiva të fryra. Sipas tij, këtë kundërshti e dinte edhe ish Kryetari i Komisionit të Planit të Shtetit, Abdyl Këllezi. Kundërshtinë e tij ai e quante si “devijim nga vija e Partisë” dhe për efekt edhe sabotim. Të dy këta kuadro të vjetër dhe me shumë vlera, u pushkatuan si sabotatorë të ekonomisë, pasi “nuk luftuan që të arriheshin objektivat e partisë për prodhimin e naftës”.
Shpresoj miq dhe kolegë, të më keni kuptuar drejt. Që ajo naftë të shkonte sa më shumë në favor të vendit dhe mirëqënies së popullit, kanë sakrifikuar me qindra naftëtarë, janë humbur jetë dhe shuar e vuajtur familje të tëra në skamje dhe internime. E pra! Kjo ishte sakrifica!
Si e lejoni? Si bashkëjetoni me këtë situatë? Si do t’i kujtojmë këta heronj të naftës, nisur nga konceptet e sotme për administrimin e kësaj pasurie që natyra i ka falur vendit dhe popullit tonë?
Qeveri e votuar nga populli, e majtë e socialiste! Mbaje përgjegjësinë për mirëadministrimin e pasurisë së tërë popullit. Para se të marrësh “borxhe dhe detyra”, nga të huajt, mos ua fal atyre naftën tonë, pasurinë tonë. Shih sa burime të ardhurash të shpërdoruara ke vetëm nga nafta, po të tjerët?




















