SHISH: Bandat kriminale po pastrojnë  paratë e drogës dhe punësojnë killera

368
Sigal

 

Publikohet raporti vjetor i Shërbimit Informativ Shtetëror: Strukturat kriminale shqiptare janë të mirëorganizuara në Shqipëri, Europë dhe origjinën e drogave të forta duke shërbyer si ura lidhëse mes Lindjes, Perëndimit dhe shkëmbimit me kanabis. Bazat e kultivimit, fushat ku pastrohen paratë dhe punësimi i vrasësve profesionist për larje hesapesh mes bandave.

 

Strukturat kriminale shqiptare kalojnë  nga kanabisi tek drogat e forta, ja si pastrohen paratë

Është publikuar një pjesë të raportit vjetor të Shërbimit Informativ Shtetëror, ku ngre alarmin e fuqizimit të strukturave kriminale, tani edhe jashtë vendit.

Në raport theksohet se vlerat monetare dhe pasuria e përfituar nga veprimtaria kriminale ndër vite të favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, pandëshkueshmëria apo niveli i ulët i saj, po përdoren nga këto grupe për zgjerimin e aktivitetit të narkotrafikut jashtë vendit, kryesisht në drejtim të drogave të forta.Inteligjenca shqiptare thekson se individët që i kanë shpëtuar drejtësisë janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit, ku përveçse në vendet evropiane, janë aktivë edhe në vendet e origjinës së kokainës e heroinës, ku bashkëpunojnë me elementë kriminalë lokalë. Bandat shqiptare që operojnë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike kanë bazën e tyre kultivimin e kanabisit. Por si bëhet kalimi nga lënda narkotike e kanabisit tek drogat e forta si heronia apo kokaina? ShISH-i thekson se evidentohen raste të shkëmbimit të kanabisit me droga të forta, si heroinë dhe kokainë. Alarmant mbetet fakti se, edhe agjencia e inteligjencës shqiptare pranon se bandat kriminale ndërmjet tyre, punësojnë vrasës profesionistë me pagesë për larje hesapesh, ku edhe për vitin 2019, atentate të tilla s’kanë qenë të pakta. Shërbimi Informativ Shtetëror analizon një aspekt tjetër të krimit të bandave kriminale, atë të krimeve ekonomike. Sipas inteligjencës, paratë e bandave kriminale pastrohen në disa fusha biznesi, si ai i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, dhe zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar.

Gazeta britanike: Bandat shqiptare luftë të hapur në rrugët e Londrës

Edhe njëherë tjetër, mediet në Britani shkruajnë për bandat shqiptare, ku këtë herë theksojnë se këto grupe po zhvillojnë një luftë të hapur në rrugët e Londrës. “Telegraph”, shkruan se në sulmin e fundit dhjetë ditë më parë, dy burra u vranë gjatë ditës, ndërsa ata kaluan nëpër Barking në Lindjen e Londrës, një fortesë e “Hellbanianz”, një grup famëkeq i krimit shqiptar.

”Kriminelët nga Shqipëria kanë krijuar një profil të lartë dhe një shkallë të ndikimit brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar (dhe) po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, me qasje të konsiderueshme në tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht kokainën”, -tha një zëdhënës i NCA-së.

”Mafiet shqiptare janë sindikatat kriminale të organizuara shqiptare, të cilën policia beson se po konsolidojnë fuqinë e tyre brenda botës së krimit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe janë në rrugën e tyre për të futur nën kontroll, thuajse plotësisht tregun e kokainës në Britani. Duke importuar kokainë direkt nga Amerika e Jugut, mafia shqiptare ka hequr ndërmjetësimin, duke  bërë të mundur që ata të zvogëlojnë rivalët e tyre duke blerë drogën me çerekun e çmimit direkt nga kartelet dhe më pas duke rritur pastërtinë në rrugë”.

Numri i shqiptarëve në burg është katërfishuar nga 212 në 2013, në 999 në mars të këtij viti, duke përbërë 10 për qind të të gjithë shtetasve të huaj në burg.