Pro dhe kundër Eqerem Çabejit

936
GJUHA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

Muharrem Abazaj 
Gjuhëtar
Kohët e fundit studiuesi i mirënjohur M. Zeqo, ka botuar një shkrim, i cili është publikuar në disa të përditshme dhe në rrjetet sociale, ku bën me dije për një letërkëmbim të tij me vajzën e E. Cabejit, Brikena Çabejin, e cila jeton në Francë. Ajo i ka dërguar një studim të babait të saj, Çabejit, që lidhej me prejardhjen e gjuhës shqipe dhe është pak ose aspak i njohur deri tani. Z. Zeqo e ka shoqëruar këtë material me një koment të shkurtër tij. “Teza e Çabejit është një tezë e drejtë nga pikëpamja shkencore. Me të drejtë Çabeji nuk e mbështet tezën e origjinës pellazgjike të gjuhës shqipe, e cila në shek. XIX, për shkak të fazës parashkencore të dijes tek shqiptarët, u bë një lloj teze mit, një lloj totemi i paargumentuar i prejardhjes. Teza e origjinës pellazge është rigjallëruar tashmë nga një numër i madh të ashtuquajturish studiues, por që nisen nga rrafshi i diletantizmit dhe nuk e njohin as procesin shkencor, nuk njohin parametrat akribike të linguistikës dhe as procesin e evoluimit sipas ligjeve të brendshme sintaktike dhe morfologjike, të leksikut etj, të gjuhës shqipe.”1 Duke qenë se e njoh mirë veprën e Çabejit (si student, duke ndjekur leksionet dhe seminaret që na zhvillonte ai, si dhe duke ndjekur çdo botim të tij ) nuk shoh në këtë material ndonjë diçka të veçantë apo të ndryshme nga ato çka Çabeji ka të publikuara. Por nga që bëj pjesë në atë “ numrin e madh të ashtuquajturish studiues” që mbrojnë tezën e prejardhjes së shqipes nga pellazgjishtja, e ndjej të nevojshme të shfaq mendimet e mia se ku e mbështes dhe ku nuk jam dakord me E. Çabejin. Aktualisht institucionet tona shkencore dhe arsimore i përmbahen me rigorozitet tezës së pranuar tashmë nga albanologjia, asaj të prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja. Kjo tezë u bë e pranueshme nga përpjekjet e dhjetëra e dhjetëra studjuesve shqiptarë si E. Çabej, A. Xhuvani, M .Domi, Sh. Demiraj etj, si dhe shumë studjuesve të huaj si Pedersen, Majer, Jokli etj, por një meritë të veçantë për këtë ka E. Çabeji, ndaj dhe me të drejtë kjo tezë ka hyrë në leteraturë si teza e Çabejit, ashtu si teza e prejardhjes pellazgjike njihet në leteraturë si teza e Hahnit, për mbrojtjen e fuqishme që i ka bërë kësaj teze ky studjues i madh auatriak. Mungesa e plotë e dokumeteve të shkruara për lashtësinë e shqiptarëve dhe koha shumë e vonë e shkrimit të gjuhës shqipe, përbënte një problem tepër të vështirë për të përcaktuar prejardhjen e shqipes. Duhej përcaktuar një metodikë e qartë, e cila të gërshetonte të gjithë faktorët, të gjitha të dhënat e fushave të ndryshme, për të dalë në një sintezë gjithëpërfshirëse dhe të pranueshme. Nga shumë të dhëna të shkencave të ndyshme, Çabeji diti të zgjedhë ato që arrinin të hidhnin sadopak dritë për atë kohë të largët dhe krejt të mugët. Çabeji u mbështeti fort në faktet historio – gjeografike.“Në pikëpamje të gjeografisë historike dihet, se shqiptarët e sotëm banojnë në ato vise ku në kohën antike banonin fise ilire. Në pikpamje historike është vënë re me të drejtë, që sot e dy shekuj më parë, që nuk ka asnjë të dhënë, asnjë kumt historik që shqiptarët të jenë ardhës, që të kenë zënë vend në këto troje në një periodë historike të caktuar, si bie fjala, aty nga mbarimi i kohës antike, ose në Mesjetën e hershme. Në këto kushte vetë arsyeja e thjeshtë shtyn të pranohet që populli shqiptar është vendës, autokton në këto anë, në mos qysh prej periodave të mugëta parahistorike, së paku që prej kohës antike e këtej. Këto dy arsye, arsyeja e banimit në teritorin e dikurshëm ilir dhe arsyeja e autoktonisë, shpien vetvetiu në mendimin që shqiptarët e sotëm janë stërnipët e fiseve ilire të jugut dhe që shqipja është vazhdim i njerit nga dialektet e vjetra ilire.” 2Këto argumente të fuqishme historio – gjeografike si dhe mjaft të tjera të sjella nga arkeologjia, kultura materiale etj. nuk mund të qëndronin pa argumente gjuhësore, ku të provohej vazhdimësia gjuhësore iliro – shqipe. Kjo do të përbënte provën e vërtetë të prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja. Kjo vazhdimësi gjuhësore duhej provuar me dokumente të shkruara, të cilat për fat të keq nuk gjendeshin. Dokumentat e shkruara në gjuhën shqipe janë mjaft të vona, të shek XV e këtej, të cilat ishin krejt të pa mjaftueshme. Edhe në këto rrethana Çabeji arriti të sjellë argumente gjuhësorë, të cilat në mos e vërtetonin plotësisht këtë vazhdimësi gjuhësore, bënin që ajo të pranohej. Ndër mundësitë për të rënë në gjurmët e asaj gjuhe të lashtë nga rrjedh shqipja, ai iu referua emërtimeve të lashta në trojet shqiptare, të cilët janë bërë me gjuhën e banorëve të lashtë të këtyre trojeve. Ai analizoi disa nga këto emërtime si emra vendbanimesh, emra lumenjsh, malesh, por edhe emra fisesh dhe njerëzish. Këto emërtime ai i krahasoi me trajtat që kanë ata sot dhe doli në përfundimin:“ Në pikpamje gjuhësore vazhdimi i emrave të qyteteve, maleve e lumenjve të trevës shqiptare të kohës së lashtë, në trajtën e tyre të sotmet, ka rrjedhur në pajtim me rregullat fonetike të gjuhes shqipe…Edhe emri i fisit ilir Alban vazhdon të rrojë edhe sot në trajtën arbër.”3 Si argument tjetër mbështetës ai paraqiti një sasi të konsiderueshme fjalësh të gjuhës shqipe që nuk figuronin në asnjë nga gjuhët simotra indoevropiane, duke dalë në përfundimin se ato janë fjalë të trashëguara të shqipes. Dhe jo vetëm kaq, por këto fjalë ishin të fondit bazë të leksikut të shqipes. Ai kështu hodhi poshtë pretendimet e disa studjuesëve të huaj që këto fjalë i merrnin si huazime të shqipes nga gjuhë të tjera. Përballë këtyre argumentave kundërshtarëve të autoktonisë së shqiptarëve dhe të lashtësisë së gjuhës së tyre si: Jireçek, Sechtile, Piaschia, Philipide etj, nuk u mbetej gjë tjetër veçse një heshtje pohuese. Pranimi i prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja për atë kohë ishte një sukses i madh për albanologjinë dhe personalisht për vet Çabejin. Por për për të vërtetuar plotësisht prejardhjen e shqipes nga ilirishtja duhej të gjendeshin fakte të tjera gjuhësore. Duhej të zbulohej së paku një dokument i shkruar në gjuhën ilirishte për ta krahasuar me shqipen. U bënë shumë përpjekje nga gjuhëtarët tanë, përfshi edhe vetë Çabejin, për të provuar plotësisht prejardhjen nga ilirishtja të shqipes. Nuk u bë e mundur gjetja e ndonjë dokumenti të shkruar në ilirisht, prandaj puna e mëtejshme u përqendrua në zgjerimin, sa të ishte e mundur, të fondit të trashëguar të fjalëve të shqipes. Në këtë kuadër Çabeji ndërmori një punë kolosale për hartimin e veprës disa vëllimëshme“ Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes” Kjo punë solli rritjen e mëtejshme të këtij fondi fjalësh, të trashëguara të shqipes. Po a mund të quhej i zgjidhur problem i prejardhjes së shqipes vetëm këto argumente? Së paku nga ana gjuhësore nuk mund të quhej i zgjidhur përfundimisht. Dhe këtë gjë e ka pranuar me sinqeritet të plote vetë Çabeji. “Duke pëmbledhur ç’u tha për burimnin e shqipes, me çështjet që dalin përbrenda tij, dhe rrugët që janë ndjekur e metodat që janë zbatuar për të arritur në një zgjidhje, me një vështrim objektiv do të thuhet se janë sqaruar disa anë, disa pika janë zbërthyer, po ky problem në thelb mbetet gjer më sot i pazgjidhur.”4.Gjithashtu ai jep edhe shkakun pse nuk u arrit ky pikësynim: “Arsyeja kryesore qëndron në mungesën e lëndës. Me fjalë të tjera, trakishtja e ilirishtja janë pothuajse gjuhë të panjohura për ne, ato pak që dimë per to nuk na ndihmojnë për të formuar një ide për strukturën e tyre “5 Pas largimit nga jeta të Çabejt nuk është ndërmarrë ndonjë aktivitet i rëndësishëm për të shpënë më tej zgjidhjen përfundimtare të prejardhjes së shqipes. Kjo gjendje pritshmërie ka shpënë, për fat të keq, që në shkollat tona të jepen akoma njohuri të cunguara për historinë e gjuhës sonë. Kështu në Fakultetin e Filologjisë. në lëndën “Hyrjes në Gjuhësi” vazhdon të pasqyrohet po ai nivel studimi i viteve ‘70. Mjafton të sjellim rastin e trajtimit të huazimeve të gjuhës shqipe nga gjuhët e tjera. Aty thuhet:“ Të huazura nga latinishtja konsiderohen 600 fjalë bazë (rrenjë) 6 duke përfshirë këtu: fjalët kokë, mendje, faqe, këmbë, shpatull, shtëpi, mur, tra, natë, kofshë, këngë, pulë, shteg, shpatë, qerre, kunat, mashkull, femër, musht etj. etj. Duke pranuar të tillë historinë e zhvillimit të gjuhës shqipe, ne jemi duke pranuar faktin që gjuha shqipe nuk është një gjuhë e lashtë, por një gjuhë fare e re, e ndërtuar me “ andra” nga lëndë të gjuhëve të tjera, rrjedhimisht edhe kombi shqiptar mbetet të jetë një komb i ri. Në këtë terren, kur niveli i sotëm i studimeve albanologjike nuk ka shkuar përtej këtij niveli, si të thuash, ku e la Çabeji, ka marrë jetë kjo veprimtari studimore e mjaft gjuhëtarëve dhe studjuesve, të cilët e shohin prejardhjen e gjuhës shqipe nga gjuha pellazgjike. Kjo tezë, për një periudhë kohore mjaft të gjatë, ka patur një mbështetje më të madhe se ajo e prejardhjes nga ilirishtja. Mjafton të kujtojmë se deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar në tekstet e historisë së shkollave shqiptare shkruhej se “ ne shqiptarët jemi stërnipër të pellazgëve”. Kjo tezë gjithashtu, pavarësisht qëndrimit institucional, vazhdoi të mbështetej nga shumë studjuesve shqiptarë dhe të huaj si: Kondo, Zheji, Katapano, Pilika, Falaski ( Vlora ), Xhaxhiu, De Angjeli, Manjani, Thomopulo etj, Pa u futur në esëncën e pikpamjeve të mbështetësve të kësaj teze, duhet sqaruar që në fillim një keqkuptim. Ekziston mendimi se duke pranuar tezën e prejardhjes pellazgjike të shqipes, i kundërvihesh tezës së prejardhjes nga ilirishtja. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Teza e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe nuk bie kurrsesi në kundërshtim me tezën e prejardhjes nga ilirishtja. Ne themi të kundërtën, ato plotësojnë njëra – tjetrën. Ato bëjnë së bashku një pjesë të madhe të rrugës. Ndryshimi qëndron në faktin që mbështëtësit e tezës pellazgjike e shohin gjuhën ilirishte si vazhdim të pellazgjishtes, gjë nuk pranohet nga mbështetësit e tezës së Çabejit.
Vijon…
Sigal