Tabaku: Prokurimet publike, 28 % realizohen pa u shpallur

536
Deputetja e Partisë Demokratike shprehet se 9613 procedura janë bërë me negocim dhe pa njoftim për konkurrentët
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se nga 33.618 procedura prokurimi, 9613 procedura ose 28,5% të procedurave janë procedura me negocim pa shpallje. “Kush mban përgjegjësi për këtë që 1 në 3 tenderë janë pa garë, e ato që janë me garë janë me garë totalisht fiktive? Çdo vendim merrej nga individë që nuk kanë asnjë meritë tjetër përveç lidhjeve politike e asnjë ditë pune tjetër në asnjë institucion, përveç atyre në Komisionin e Prokurimit Publik”, u shpreh Tabaku. Sipas saj, Komisioni i Ekonomisë pati një dëgjesë me kandidatët për komisionerë dhe kryetar të Komisionit të Prokurimit Publik. “Ligji i prokurimit publik ndryshoi për tu përshtatur me BE dhe një nga kërkesat kryesore ishte rritja e pavarësisë së Komisionit të Prokurimit Publik duke i dhënë rol Parlamentit në përzgjedhjen e kandidatëve. I gjithë procesi që u zhvillua përveçse është një farsë por tregoi dhe fytyrën e vërtetë të Komisionit të Prokurimeve Publike”, nënvizoi Tabaku. Më tej, deputetja demokrate tha se nga 10 kandidatë që konkurruan, 5 ishin kryetar/zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të Komisioni të Prokurimit Publik, duke e bërë totalisht të pavlefshme kërkesën për pavarësi të këtij institucioni. “Cilësia e kandidatëve linte për të dëshiruar, kur kryetar/ zëvendës kryetar dhe anëtarë aktualë të komisionit nuk njihnin ligjin, procedurat, rregulloren nuk mbanin përgjegjësi për vendimet, nuk i kujtoheshin asgjë nga vendimmarrja e tyre në detyrë. Vendimet e Komisioni të Prokurimit Publik janë të gjitha të njëjta me ato të enteve prokuruese. Siç pohoi një nga kandidatët në 99 për qind të rasteve nuk ndryshohet vendimi pavarësisht ankimimit”, vlerësoi ajo. Për Tabakun, vendimet ishin qartësisht klienteliste dhe zv/kryetarit në detyrë nuk i kujtohej, se pse kishin ndërruan vendimin, p.sh për Koncesionin e Rrugës së Kombit ku u përzgjodh garuesi i dytë me ofertë më të pa favorshme ekonomike. “I gjithë procesi ishte një farsë, pak a shumë i njëjtë me procesin e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (PPP), ose si çdo proces tjetër që zhvillon kjo qeveri. Lufta ndaj korrupsionit është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie. Për të luftuar korrupsionin duhet vullnet politik që fatkeqësisht mungon. Këto na largojnë nga BE, vendimet, veprimet e vullneti i kësaj qeverie!”, tha Tabaku.
Sigal