Prishja e Teatrit/ Politikanja gjermane iu drejtohet anëtarëve të Këshillit Bashkiak: Kur votuat Pro..

109
Sigal

Dr. Rezarta Reimann, politikane dhe akademike në Gjermani, ndër të tjera edhe anëtare e Këshillit Bashkiak në Schwabach dhe nënkryetare e grupit të SPD i apelon me pyetje dhe konsiderata të drejtpërdrejta “kolegëve” të saj, që vunë firmën e tyre në shembjen e Teatrit Kombëtar.

“Disa pyetje për Këshilltaret dhe Këshilltarët Bashkiak të Tiranës

Po ju drejtohem si “kolege”, si Anëtare e Këshillit Bashkiak të një qyteti të vogël, por krenar për të kaluarën e tij kulturore dhe historike, të cilën e mbron me dinjitet me të mirat dhe problematikën e saj.

Ne jemi zgjedhur nga njerëzit e qytetit me votën e tyre dhe jemi betuar (këtu, ne një sallë të vogël, të vjetër, por me sharm, në të njejtën sallë ku zhvillohen edhe aktivitete te shumta kulturore e artistike) se vendimet që do të marrim do të jenë në bazë të legjislacionit. Është premtimi ynë përballë LIGJIT. Përpos këtij premtimi absolut, ne kemi dimensionin tonë POLITIK, i cili është udhërrëfyesi i një vendimarrjeje, brenda kufijve ligjor. Në rastin tim, një dimension social-demokratik, për një shoqëri sa më të drejtë dhe solidare. E përpos këtyre, ne këshilltarët e bashkisë së qytetit kemi në fokus zhvillimin e qytetit ku jetojmë, përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë, zhvillimin ekonomik, kulturor, sportiv e urban të vendit ku jetojmë.

Nëse edhe ju – kolege e kolegë në Tiranë – e kuptoni kështu detyrën tuaj, do te desha t’u drejtohem me disa pyetje, pasi mësova sot me dhimbje, shembjen e Godinës së Teatrit Kombëtar:

1. Në votën tuaj PRO këtij vendimi, a jeni të sigurtë se ?shtë zbatuar ligjshmëria? A ka patur mes jush ndonjë syresh, që mund të ketë sjellë në vëmendje e disktutim në Këshillin Bashkiak dyshueshmëritë mbi legjitimitetin e këtij veprimi? A ka patur ndonjë propozim për të pritur një vendim gjykate? Përndryshe, nëse ekziston dyshimi për një vendim mbi baza jo ligjore, i kritikuar si i tillë paraprakisht, atëherë kjo do të rëndojë në të ardhmen edhe mbi përgjegjësinë e çdo këshilli bashkiak dhe anëtarëve të tij.

2. Si forc? politike që quhet socialiste, do të ishte e rëndësishme që një votë PRO shembjes, të ishte dhe një votë për planin më të mirë që nuk do t’i hapte rrugë oligarkisë dhe të sigurojë një transparencë të lartë në dhënien e fondeve. A janë konsultuar në grupin socialist të këshillit bashkiak paraprakisht të gjitha alternativat për këte projekt? Me të gjitha kostot financiare të alternativave të mundshme? Cilët do të ishin përfituesit e projektit? Kush siguron idenë më të mirë të një projekti të përballueshëm ekonomik nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, të një projekti që siguron përfitime për shtresa të gjera të shoqërisë? Sepse dimensioni politik i këshilltarëve socialistë për një shoqëri të drejtë e solidare është ngjyra që markon marrjen e një vendimi.

3. Si një projekt për qytetin e njerëzit që i kanë zgjedhur, sa i hapur ka qenë proçesi i marrjes së vendimit? Si janë dëgjuar të intersuarit, jo vetem nga një person, qoftë ky edhe Kryetari i Bashkisë, por edhe nga grupi i këshilltarëve socialistë? A ka patur debate apo alternativa për këtë proçes? A janë dëgjuar edhe qytetarët e Tiranës? Ku dhe si ështe marrë mendimi i tyre? Sa përfaqësues ka qenë ky vendim? A janë nxjerrë në publik të gjitha alternativat për transparencë në diskutim? Dhe ne fund te fundit, si politikanë, cilat kanë qenë kompromiset e bëra për një vendim sa më të mundshëm gjithë përfshirës dhe jo arbitrar? Çfarë ka lëshuar njëra palë dhe çfare ka pranuar pala tjetër?
Nëse të gjitha këto pyetje mund të jenë ezauruar dhe zbatuar ashtu, siç e kërkon në fakt një proçes demokratik vendimarrje (pranoj, jo i thjeshtë), desha të shtoj një pyetje që ka të bëjë me situatën ku ndodhemi.

4. Ndërsa në këshillat bashkiakë po perpiqemi të ndërthurrim paketa sa më të dobishme për të ndihmuar ata që po i vuajne pasojat e Covid 19, ndërsa bilancet dhe planet finaciare dhe projektet e planifikuara për vitet e ardhshme po kërkojnë një rishikim me vënie prioritetesh dhe ndryshueshmëri të diktuara nga nje recesion i pashmangshëm, pra, në këto kushte të pazakonta, a nuk do të ishte më e arësyeshme shtyrja e nje vendimi të tillë në një kohë më të përshtatshme, atëherë kur edhe pasojat e recesionit të ishin më të qarta? Sa dhe si do ta ndikojë kriza ekonomike zbatimin e një projekti të tillë? A ka të dhëna transparente për këtë? A ka në këtë krizë prioritete të reja të buxhetit të bashkisë? Apo financat e bashkisë nuk pyesin per taksat që nuk do të mund të mblidhen dot për shkak të gjendjes së katastrofës dhe për pasojat sociale që sjell papunësia dhe vështirësitë ekonomike qe po ndjen çdo bashki? Të paktën në qytetin tonë prioritet i ditës është manaxhimi i situatës aktuale dhe përgjegjësia që çdo vendim i marrë sot, të mendohet dy herë më mirë, për të zbutur problemet ekonomike-sociale-shoqërore të krizës.

Personalisht, si anëtare e këshillit bashkiak, si vendimmarrëse, unë nuk do të kisha drojë të tregoja fytyrën time pranë njerëzve që protestojnë, duke u përpjekur deri në fund të sqaroj sot votën time, në këtë situatë të pazakontë. Sepse ndermjet këtyre njerëzve mund të jenë edhe ata që më kanë besuar votën e tyre dje.”