Sigal

Letër falënderuese drejtuar Presidentit Ilir META nga veprimtari atdhetar politik e kulturor, Hilmi Gashi, veteran i UÇK-së në Gjermani-

I nderuari President i Shqipërisë, Sh. Juaj, Z. Ilir Meta,

Unë jam një mërgimtar i lindur në rajonin e Drenicës martire të Kosovës dardane. Quhem Hilmi Gashi. Prej nga viti 1991 jetoj dhe veproj në shtetin mik të popullit shqiptar, në Gjermani. Gjatë gjithë jetës e veprimtarisë time, si në Kosovë, ashtu dhe në Diasporë, kam dhënë maksimumin nga vetja për tokën tonë dardane të Kosovës, për t’iu ruajtur e mbrojtur integriteti territorial i Kosovës, për t’ia arritë qëllimin e madh të përbashkët të shtetndërtimit të Kosovës. Si shumë mërgimtarë të tjerë në Evropë e më gjerë u angazhova në vazhdimësi e gjithnjë në organizimin e demonstratave të mbajtura nëpër shumë qendra të shteteve evropiane, për të ngritur zërin e protestës kundër dhunës dhe terrorit që serbo-sllavët zhvillonin mbi popullatën e pafajshme shqiptare të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi, nën Serbi. Isha në ballë të shumë komisioneve për grumbullimin e mjeteve financiare për ndihmë familjeve në nevojë, për arsimin shqip e shëndetësinë në Kosovë, për t’i ndihmuar organet tona shtetërore të zgjedhura nga populli që ato të zhvillonin aktivitete atdhetare politike e kulturore në Kosovën e okupuar nga serbo-sllavët. Isha në mesin e atyre që bënë Betimin dhe u zotuan që të rreshtohen për të luftuar dhe për të çliruar Kosovën nga pushtuesi serbo-sllavë. Isha i rreshtuar nën komandën e Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare të udhëhequr nga i madhi Ukshin Hoti. Më pas, isha në kuadër të Ministrisë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, nën emblemën e shenjtë të UÇK-së. E gjithë kjo veprimtari e imja, me angazhime e përkushtime, ishte e mbetet vetëm dhe vetëm për të mbrojtë popullin shqiptar dhe tokën e shtrenjtë dardane të Kosovës.

I nderuari President i Shqipërisë, Sh. Juaj, Z. Ilir Meta,

Akti juaj shtetëror, burrëror, atdhedashës për mos dekretimin e z. Genti Cakaj tregon qartë e saktë se jeni më se i vendosur e këmbëngulës në mbrojtjen e kufirit e të territorit të tokës dardane të Kosovës tonë të përbashkët. Ndaj, ju jemi mirënjohës, z. President! Kontributi i Mërgatës Shqiptare në Gjermani e Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo tjetër, investimet tona të paguara me dijen e djersën dhe deri me gjakun e derdhur prej nesh nuk janë bërë e nuk po bëhen në Kosovë për ta shkatërruar këtë shtet të ri në ndërtim me shtetësi të plotë diplomatike, politike, ekonomike, financiare e kulturore , për ta copëtuar e shkatërruar shtetin më të ri në Evropë e botë, duke ia prekë e tjetërsuar kufijtë e sotëm kushtetues, duke e hedhur në tavolinë për pazare të pista personale nga disa fytyrave politike. Ndaj, Presidenti ynë i Shqipërisë, Sh.Juaj, Z. Ilir Meta, jemi e mbetemi me Ju, në mbështetjen Tuaj, për aktet e veprimet tuaja kombëtare panshqiptare.

Me konsideratë të lartë falënderimi e mirënjohje ndaj Jush

Hilmi GASHI, Gjermani, Veprimtar politik e shoqëror. Veteran i Luftës së Kosovës

Gjermani, më 11 janar 2019

http://ulqini-online.com/sajti/?p=21482