Prag amnistie, sa vetë do të festojnë në burg

484
Sigal

Paçka se nuk ka ende një shifër përfundimtare të përfituesve nga amnistia e fundvitit, është e sigurt që numri i tyre do të jetë shumë më i vogël se i atyre që nuk do t’i lënë qelitë. Referuar statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve gjatë muajit nëntor në burgjet dhe paraburgimet e vendit numëroheshin 5200 persona në total, nga të cilët 89 gra dhe 28 të mitur.

“Mëkati” më i ndeshur mes tyre është përfshirja në çështjet e drogës, për të cilën vuajnë dënim 825 vetë, ndërsa 743 të tjerë qëndrojnë në paraburgim. Në rang zbritës për nga numri i të izoluarve, kjo vepër ndiqet nga “vjedhjet” dhe të akuzuarit për “vrasje”.

Për shkak të masivitetit, zë i veçantë në statistikat e burgjeve i është dhënë edhe “mashtrimit”, për të cilin qëndrojnë në qeli 132 persona. Sipas të dhënave, numri më i madh i liri-humburve i përket grupmoshës 30-40 vjeç, ndërsa vuajnë burgun edhe 9 të moshuar mbi 80-vjeç.

Me gjithë ndryshimet dinamike të totalit për shkak të lirimeve, apo arrestimeve, pesha e shifrave rëndon më shumë nëse llogaritet edhe kostoja financiare në buxhetin e shtetit për çdo të burgosur e paraburgosur.