Pesë gra të vrara në dy muaj/ Si e gjeti Shqipërinë ky 8 Mars

390
Sigal

8 marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, në Shqipëri shpeshherë shihet si festë dhe kalohet me festime dhe dhurata.

Fatkeqësisht, ndërsa në shtete të tjera kjo date kalohet mes protestave në kërkim të të drejtave të grave, tek ne ndodh ndryshe edhe pse situata nuk është aspak e mirë.

Vetëm gjatë dy muajve të pare të këtij viti, 5 gra u vranë nga bashkëshortët apo të afërmit e tyre. Ndërsa gjatë vitit të kaluar për të njëjtin shkak humbën jetën 12 gra e vajza.

 

Vrasjet nisën që në ditët e para të vitit.

Opinionin publik u trondit nga vrasja makabër e Drita Saliaj në Mallakastër më 6 janar, e cila u gjet e mbytur dhe dhunuar. Për vrasjen e saj u arrestuan tre të rinj, një prej të cilëve nipi i bashkëshorit të saj.

Më 10 janar, Enkelejda Çapoku, nënë e një vajze do të humbte jetën në shtëpinë e saj e vrarë nga kunati, për të cilin kishte kërkuar urdhër mbrojtje. Erdet Çapoku do të arrestohej orë më vonë nga Policia.

Më 2 shkurt, Manjola Çuku la jetim tre fëmijët e mitur, pasi u masakrua me thikë nga bashkëshorti i saj Lulëzimi. Ky i fundit u largua nga shtëpia duke lënë tre fëmijët me kufomën e gjakosur të nënës së tyre. Ai u vetëdorëzua pak orë më vonë në Polici.

Esmeralda Filopati u ekzekutua nga bashkëshorti së bashku më vëllanë e saj në derë të shtëpisë më 25 shkurt. Ajo kishte gjetur kurajën të denonconte burrin Fatmir Kolecaj, i cili kishte bërë dhe burg për dhunë në familje por kjo nuk ia shpëtoi jetën.

Ajdieta Tosuni u vra në dyqan nga bashkëshorti i saj Ruzhdiu në Durrës në 26 shkurt.

Ngjarja ndodhi në mes të ditës, duke tronditur opinionin publik. Keqtrajtimet ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri vijon të jetë me përmasa shqetësuese.

Sipas raportit të INSTAT, një në dy gra në Shqipëri kanë përjetuar një formë dhune.

Gjatë vitit 2019 në Shqipëri janë kërkuar 933 urdhëra mbrojte, nga të cilët vetëm gjysma janë pranuar.