Berat, festohet 70-vjetori i formimit të batalionit “Margarita Tutulani”

1339
Sigal

PËRKUJTIM/ Ja si e pushkatoi të plagosur Xhelal Staravecka komisarin e batalionit, Ajet Xhindole

Sipas direktivave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionale Çlirimtare ,70 vjet më parë, më 20 shtator 1943 në lagjen “Murat Çelepias” sot lagja “Dëshmorët e Kombit”, u krijua një nga formacionet e rëndësishme të Luftës Nacionale Çlirimtare, batalioni “Rinia”, që më pas u pagëzua me emrin e heroinës së popullit “Margarita Tutulani”. Në këtë periudhë në Qarkun e Beratit, Lëvizje Nacionale Çlirimtare kishte marrë përpjesëtim të gjerë, kështu brenda 2 muajve u formuan tre batalione partizane me 9 batalione me pjesëmarrje të gjerë të rinisë së qytetit dhe të fshatit në luftë të armatosur kundër pushtuesve të huaj nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Në radhët e Batalionit Rinisë “Margarita Tutulani” me krijimin e tij morën pjesë 200 të rinj e të reja nga të cilët 27 ishin vajza dhe 19 prej tyre ishin nga qyteti Fierit, 8 nga qyteti i Beratit. Efektivi i Batalionit të Rinisë përbëhej kryesisht nga rrethet Berat, Fier, Lushnje dhe Skrapar, ku dominonte mosha mesatare 18-20 vjeç. Këta luftëtarë vinin nga klasa punëtore, punonjëse të lodhur nga jeta, të shtypur dhe të shfrytëzuar nga regjimi feudal borgjez dhe pushtuesit e huaj nazifashistë. Mjaft nga këta të rinj që mbushën radhët e batalionit të rinisë ishin pjesëtarë të njësiteve guerilje të kalitur nga jeta dhe me urrejtje ndaj pushtuesve të huaj nazifashistë. Dita e inaugurimit të Batalionit të Rinisë ishte me të vërtetë një ditë gëzimi për gjithë popullin e Beratit e më gjerë. Si për të gjithë të rinjtë e të rejat si dhe për të gjithë partizanët. Batalionit iu dha emri i “Heroinës së Popullit” Margarita Tutulani dhe pasi iu dorëzua flamuri luftarak bëri betimin solemn në shtëpinë e heroinës në lagjen “Goricë”, se do të luftonte me vendosmëri kundër pushtuesve të huajë nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Kuadrot kryesor të batalionit

Kuadrot kryesorë të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” me krijimin e tij ishte Komandant Batalioni Skënder Malindi dhe Komisar “Heroi i Popullit”, Ajet Xhindole. Në përbërje të këtij batalioni bëni pjesë edhe kuadro të tjerë me përvojë dhe aftësi drejtuese dhe organizuese luftarake si: Nikollaq Balabanda, Xhevit Struga, Luan Qafzezi, Argjiro Leka, Zoi Bano, Vangjel Ilija, Petraq Dode, Marka Dashi e të tjerë, të cilët i qëndruan besnik deri në fund idealëve të Luftës Nacional Çlirimtare. Batalioni kreu disa aksione të rëndësishme në Qarkun e Beratit e më gjerë. Beteja e Tendës së Qypit do të mbahet mënd si një nga betejat më të mëdha e përgjakshme. Në këtë betejë u përleshën trup me trup me armikun në befasi dhe u plagos komisari i Batalionit Rinia, Ajet Xhindole. Qëndrimi i tij ka qenë heroikë, kur u pushkatua në Qafë të Kumbullave nga krye xhelati Xhelal Staravecka me 23 dhjetorë 1943. Ky akt i lartë heroik do të mbetet burim frymëzimi për brezat pasardhëse. Po kështu një nga betejat më të rëndësishme të Batalionit të Rinisë ka qenë lufta e Paraspuarit më 2 mars 1944, ku batalioni shpartalloi 500 forca armike, ku vrau dhe plagosi si dhe zuri rob 75 armiq, duke vrarë 3 komandantë të Ballit Kombëtar. Në këtë betejë ra heroikisht komandanti i kompanisë së parë kryetrimi nga Fieri, Mak Dashi, partizani Petrit Lulo dhe Nasip Kuçi duke dhënë jetën në moshën e rinisë. Më 17 mars 1944 Batalioni i Rinisë “Margarita Tutulani” inkuadrohet në Brigadën e VII Sulmuese. Edhe në këtë brigadë ky batalion mbajti lartë e më lartë flamurin e tij luftarak, duke shkruar faqe të lavdishme trimërie dhe heroizmin në marshimin historike nga Vlusha në Vizhegrad, nga Sanxhaku në Kosovë dhe nga Maqedonia përsëri në atdhe.

Përkujtimi

Sot në 70-vjetorin e krijimit të Batalionit të Rinisë “Margarita Tutulani” populli i Beratit, ish-partizanë, veteranë, të rinj e të reja, drejtues të pushteti vendorë përulen me respekt para 27 dëshmorëve të batalionit, që derdhën gjak në moshën më të bukur të rinisë, që luftuan për idealet më të larta të kombit për çlirimin e Shqipërisë dhe vendosën kurora me lule të freskëta në lapidarin që iu është kushtuar dëshmorëve të këtij batalioni, të cilët do të kujtohen brez pas brezi për luftën e lavdishme për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huajë nazifashiste.

Pse u pushkatua spiuni me pseudonimin “Hoxha”, i futur nga Abas Ermenji

Sipas shënimeve të ish-partizanit të batalionit “Margarita Tutulani”, Mestan Ismaillari patrulla e batalionit ishte në Qafën e Pezianit. Gjatë patrullimit ajo kapë një hoxhë, të cilin e çuan aty, ku ishte batalioni. “Hoxha ishte me çallmë të bardhë, por pa mjekër si zakonisht që mbanin hoxhallarët e atëhershëm. Ishte hundë shtypur, me një fytyrë shumë të shëmtuar dhe fliste mbyturazi dhe nuk kuptohesh dot dialekti i të folurit. Komisari i Batalionit, Ajet Xhindole e pyeti nga ishte e nga vinte. Hoxha tha “Jam nga Gramshi i Elbasanit dhe shkoj në Periesnak për t’u falur në xhami”. Ndërkohë, një nga shokët e patrullës që e kishte kapur i tha komisarit se hoxha nuk vinte drejt rrugës, por ai kalonte nën rrugë dhe mbi rrugë duke vështruar pozicionet partizane. Gjatë kontrollit iu gjet një hajmali varur në qafë. Maku një nga komandantët e kompanisë ja hoqi nga qafa dhe ja dha komisarit Ajetit, i cili e pa nga jashtë dhe e mbajti pak në duar dhe pasi kuptoi lëvizjet e hoxhës filloi ta hapte. Në çast hoxha filloi të bërtiste sikur ta kishte kapur gjarpri në gjuhë. Komisari e hapi nuskën dhe gjeti një letër të shkruar nga Abas Ermenji, të cilën ja dërgonte krerëve të Ballit Muharrem Kapllanit dhe Haxhi Mirakës. Përmbajtja e së cilës ishte: “Me të marrë këtë letër mblidhni të gjitha forcat e shpërndara nga sulmi i Beratit dhe i bini forcave partizane nga shpina në Roshnik, Karkanjos dhe hapni rrugën e tërheqjes të forcave tona balliste për në Urë-Vajgurore dhe Kuçovë se jemi në rrezik të biem të gjallë në duart e komunistëve”. Ajeti i thotë hoxhës ç’është kjo gjë në hajmalinë tënde, por ai i tha: Unë e bëra këtë, por kini mëshirë për mua. Mak Doshi i revoltuar nga përmbajtja e letrës dhe veprimi i hoxhës tentoi menjëherë ta vrasë. Por komisari Ajeti e ndaloi duke i thënë: Ndal Mak në do t’i bëjmë gjyqin partizan. Spiuni me pseudonim “Hoxha” u pushkatua si spiun në shërbim të armikut.