Klevis Xhoxhi: Çerdhet, mënyra interesante se si funksionojnë në Elbasan

1821
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Klevis Xhoxhi, Drejtori i Qendrës Ekonomike Arsimore në Bashkinë e Elbasanit

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, drejtori i Qendrës Ekonomike Arsimore në Bashkinë e Elbasanit, Klevis Xhoxhi ka bërë të ditur situatën aktuale në çerdhet e këtij qyteti dhe shpjegon mënyrën interesante se si funksionojnë ato. Xhoxhi shprehet se, deri tani regjistrimet e fëmijëve në çerdhet e Elbasani kanë vijuar rregullisht dhe pa asnjë lloj problemi, ndërkohë që cilëson se regjistrime vazhdojnë gjatë gjithë vitit. Xhoxhi gjithashtu shprehet se qyteti i Elbasani ka nevojë për një çerdhe të re për arsye të kërkesave të shumta që ka në këtë bashki. Gjithashtu, ai bën të ditur dhe koston që prindërit paguaj në këto çerdhe duke thënë se detyrimi i tyre është vetëm 160 lek të reja në ditë duke mbuluar vetëm ushqimin pasi të gjitha shpenzimet e tjera mbulohen nga vetë bashkia. I pyetur për cilësinë e ushqimit ai përgjigjet se ushqimi vjen çdo ditë dhe se ka një komision, i cili merret me kontrollin e të gjitha ushqimeve që shkojnë në këto çerdhe.

 Si ka vijuar dhe si po vijon procesi i regjistrimit të fëmijëve në çerdhet e qytetit të Elbasanit?

Tek ne regjistrimi i fëmijëve në çerdhe ka filluar që më datë 3 shtator dhe ka vijuar shumë mirë dhe do të vazhdojnë gjatë të gjithë vitit. Këtu në Elbasan vetëm një muaj pushim kemi, atë të gushtit dhe gjatë gjithë kohës bëhen regjistrime në çerdhet. Në qytetin e Elbasanit funksionojnë vetëm dy çerdhe publike, megjithëse, kërkesat për të hapur një çerdhe të re janë rritur dhe Bashkia e Elbasanit e ka marrë parasysh këtë kërkesë. Kështu shumë shpejt qytetit të Elbasanit do t’i shtohet dhe një çerdhe e re, e cila është punë ditësh ose javësh pasi strukturat janë miratuar dhe personeli është gati. Gjithashtu, dhe godina është gati pasi një kopsht do të kthehet në çerdhe, sepse ashtu ka qenë dhe kohë më përpara. Ajo çka mbetet që kjo çerdhe të jetë gati është thjeshtë transferimi.

Sa është numri aktual i fëmijëve të regjistruar në këto çerdhe dhe sa është kostoja që paguajnë prindërit?

Aktualisht kemi rreth 180 fëmijë të regjistruar në këto dy çerdhe. Kostoja që prindërit paguajnë është 160 lekë të reja në ditë. Këtu dua të cilësoj se prindërit paguajnë për aq ditë sa e sjellin fëmijën në çerdhe. D.m.th nëse fëmija mungon një ditë atëherë dhe prindërit nuk e paguan atë ditë. Këtu ka prindër që i sjellin fëmijët në çerdhe edhe duke bërë llogaritë, në mënyrë që në fund të muajit të mos paguajnë shumë. Me këtë kuotë përfshihet ushqimi, ku është mëngjesi, dreka dhe zemra ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera paguhen nga Bashkia e Elbasanit, shpenzime si energjia, ujë, gaz për të gatuar, ngrohje etj..

Cilat janë kushtet e këtyre çerdheve?

Dy godinat e çerdheve janë të pajisura me kushte optimale dhe bashkëkohore që kërkon ky lloj shërbimi. Për sa i përket kushteve higjieno-sanitare janë në kushte të mira, ku herë pas here bëhet dhe dezinfektimi i rregullt i ambienteve. Gjithashtu, ajo që vlen të përmendim është se edhe furnizimi vjen rregullisht me detergjent dhe me të gjitha materialet e tjera të pastrimit. Çerdhet janë të shtruara me parket dhe çdo fëmijë ka krevatin e tij. Ka një staf që kujdeset për mirërritjen e tyre, një staf të mirëfilltë në kuzhinë si dhe një staf sanitarë që kujdesen për higjienën e fëmijëve.

Sa rëndësi i kushtohet ushqimit?

Ushqimi vjen nga subjekte private, por që kanë kontratë me Bashkinë e Elbasanit. Ushqimi nuk është i konservuar, por është i freskët, ku vjen çdo ditë dhe kalon në disa filtra kontrolli. Mishi që është dhe produkti kryesorë është vetëm mish viçi, i cili theret në thertoren e Bashkisë së Elbasanit dhe shoqërohet me certifikatë kontrolli. Të gjitha ushqimet janë të shoqëruara me analiza fizike kimike  bakteriale. Ushqimi vjen çdo ditë në Qendrën Ekonomike Arsimore, i cili pritet nga një komision i posaçëm, i cili bënë dhe verifikimin e cilësisë. Më pas të gjitha ushqimet ndahen nëpër çerdhet përkatëse. Ushqimi gatuhet nëpër kuzhina dhe konsumohet po atë ditë.