Përplasja dhe delitantizmi i specialistëve për hekurin edhe betonin në restaurimin e urës së Gorisës në Berat

696
Sigal

Artan Shkreli, si këshilltar i Urbanistikës të kryeministrit, pranon që betoni  është jo shqetësues në restaurimet e monumenteve të Trashëgimisë

Gazeta “Telegraf”, në datën 24 dhjetor 2014 boton  një vëzhgim me titull: “Artan Shkreli hesht para përçudnimit me hekur e beton të urës së Goricës”, duke marrë shkak nga një foto që Artan Shkreli ka publikuar në rrjetin e tij social, ku dëfton sesi restaurohet Ura e Goricës në Berat.

Reagimi i Shkrelit

Në vëzhgimin e saj gazeta “Telegraf”, ngriti shqetësimin si ka mundësi që Artan Shkreli hesht përpara përçudnimit që i bëhet restaurimit të urës së Goricës me hekur e beton, madje u dhanë edhe mendime të 2 specialistëve të restaurimit të monumenteve të Trashëgimisë Kulturore. “Telegraf”, i kërkoi më datën 26 dhjetor zotit Shkreli që të prononcohej për kritikën ndaj tij, duke përmbushur edhe transparencën e informimit, por edhe të gjithë të kenë mundësi të shprehen. Zoti Shkreli, për arsyet që ndoshta ai i di, heshti për ftesën e “Telegraf”, por njëkohësisht e pa të udhës që të prononcohet në një gazetë tjetër. Zoti Shkreli nuk dha asnjë argument për të rrëzuar kritikat e specialistëve ndaj përçudnimit të restaurimit që i bëhet Urës së Goricës, por në reagimin e tij, qartë Shkreli pon se ai na qenka i plotfuqishëm që të japë urdhra dhe të ndalojë gjithçka, paçka se nuk është as titullar i ndonjë institucioni të specializuar për restaurimet e monumenteve të Kulturës, por edhe drejtues i institucioneve shtetërore që të japë urdhra të tilla. Ja reagimi publik i Shkrelit: “..në momentin që m’u tha se në urën e Goricës po përdoret beton, edhe pse nuk jam i përfshirë direkt në këtë projekt, bëra bllokimin e punimeve”.

Pyesim zotin Shkreli:Me çfarë detyre shtetërore ju i ndaluat punimet? Thjesht, siç deklaroni, si këshilltar i kryeministrit për urbanistikën? Pse heshtin IMK?

Edhe Auron Tare kundër betonizimit

Auron Tare, në debatin publik në Facebook, e pyet Shkrelin se çfarë do ai beton te këmba e urës. Shkreli i përgjigjet se për këtë hekur e beton  ka ardhur. Mirëpo, Shkreli, pasi e pa betonin dhe hekurin në restaurimin e Urës së Goricës në Berat nuk u merakos, por përkundrazi, në reagimin e tij pohon që: “Nuk do përbënte shqetësim, sepse ishte muri mbajtës i rrugës, jo i urës, por në mendimin tonë, kjo zgjidhje është më elegante”. Duke qenë se vetë Shkreli është kontradiktor në vetveten, e pyesim: Atëherë, derisa ke këtë mendim, përse i ndalove punimet? Shkreli në reagimin e tij, duke dashur të justifikojë absurditetet e restaurimit të urës së Goricës, na informon që kanë gjetur edhe këmbën e një harku të tetë të urës dhe këtu derdhet betoni e hekuri, si mbështetës. Ndaj, ne japim edhe argumentin e Resta Gega,  arkitekt, restaurator i monumenteve të Trashëgimisë Kulturore.

 Reshat Gega, arkitekt restaurator: Betoni i derdhur te ura, procedurë restaurimi e gabuar

 Reshat Gega, arkitekt restaurator: “Nga sa shihet në fotot e pjesës së urës, ku është duke u bërë një ndërhyrje me struktura betoni të derdhur e të armuar, nuk ngelet asnjë dyshim se kemi të bëjmë me një procedurë restaurimi totalisht të gabuar. Betonimi ka bërë kontakt me strukturën e murit të gurit që ka ura dhe në të njëjtën kohë, kuptohet se ky bllok betoni do të rritet në lartësi deri në atë që kanë edhe fijet e hekurit, pra edhe 1.5 apo 1.8 m mbi kuotën aktuale të sipërfaqes së betonit që duket. Arsyeja ndofta janë nisur nga ideja për të mbrojtur këmbën e urës nga erozioni i ujërave të Lumit, apo ndofta duan të stabilizojnë dhe përforcojnë themelet e saja! Për secilin nga variantet e sipërme, mënyra e zgjedhur është tërësisht e gabuar dhe në dëm të vlerave që ka monumenti. Mendoj se veprimet që do të duheshin realizuar me parë do të qenë: Pastrimi dhe plotësimi me gërmime në të gjithë perimetrin e kësaj pjese të urës, e cila me sa duket ka qenë e pa evidentuar më parë për shkak të mbushjeve nga aluvionet e lumit. Kjo do të thotë se gërmimi duhej të zinte një sipërfaqe më të madhe nga ajo që shihet në foto dhe ndërkohë të përfshinte të gjithë perimetrin e kësaj pjese të urës. Nuk është çudi që të gjendeshin edhe struktura të tjera apo gjurmë elementesh të cilat kanë të bëjnë me ndërtimin dhe historinë e urës. Në një rast të tillë do duhej që të evidentoheshin, dokumentoheshin dhe te restauroheshin. Pastrimi, dokumentimi dhe analiza e gjendjes së strukturës së murit dhe elementeve përbërës të kësaj këmbe të sapodalë të urës së Goricës. Ky proces do t’i hapte rrugën një restaurimi në detaje i elementëve përbërës të saj si; harqet-qemer, këmbët dhe shpatullat e tyre si dhe ballin dhe shpinën e këmbës. Në foto unë dalloj qartë se këmba e dalë rishtazi, në anën e ikjeve të ujërave ka pasur që në origjinën e vet një formë të zgjatuar, trekëndore në planimetrinë e saj, ashtu sikundër e kanë edhe këmbët e tjera të urës. Forma e zgjatimit me pamjen e një maje varke, aktualisht nuk ndodhet te kjo këmbë, por nga gjurmët dallohet mirë që është e prishur në një kohë të vonë për arsye që nuk dihet. Kjo pjesë e këmbës së urës është shumë e rëndësishme dhe do të duhej që minimalisht të lihet e paprekur nga ndërtime dhe materiale si betoni dhe për rastin më të mirë do të duhej të gjykohej për të bërë ndofta plotësimin e saj, natyrisht duke respektuar kriteret e restaurimit të cilat janë shtrati kryesor nga ku ndërtohet strategjia e të gjitha llojeve të ndërhyrjeve në monumentet e kulturës. Të hedhësh beton e të mbështetësh masa të këtij lloj materiali mbi një monument është absolutisht e palejueshme dhe dëmtuese ndaj vlerave që ai ka. Kjo jo për arsye subjektive apo teka të ndokujt, por sepse përdorimi i betoneve në përforcime, plotësime e çfarëdo lloj ndërhyrje në strukturat e një monumenti sjell probleme tejet të rënda në ekzistencën normale dhe vlerat e mbartura tek ai. Në rastin tonë kush e ka ideuar këtë mënyrë veprimi, duke derdhur e vendosur betone të armuara ngjitur me monumentin e ka pasur shumë gabim dhe ka bërë një dëm të pakthyeshëm. Kush e përkrah idenë dhe veprimin e bërë, ose është diletant, ose është i përfshirë nga ngasje të tjera të cila nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me kulturën profesionale dhe logjikën e shëndoshë për mbrojtjen e monumenteve te kulturës.

Dialogu Auron Tare-Artan Shkreli

Auron Tare: Shkreli nuk e kuptova pse beton kaq shumë afër urës?

Auron Tare: Shkreli e di që prej atij betoni ke shkuar po nuk e ndjek IMK këtë punë?

  Kemi të bëjmë minimalisht  me një lajthitje dhe maksimalisht me fshehje me dashje të një realiteti, i cili flet për dëme konkrete ndaj vlerave që ka një monument kulture i kategorisë parë, siç është Ura e Goricës. Më ka tërhequr vëmendjen sqarimi për çështjen në fjalë ku njëherë ai mohon betonimet dhe herën tjetër nuk e quan problem betonimin, njëherë thotë se ai vetë nuk është pjesë e projektit dhe po aty bën personin që i ka në dorë të gjitha sikundër janë ndalimi i punimeve dhe vazhdimi i  tyre, korrigjimet dhe idetë e reja për atë se si do të trajtohet  monumenti në situatën e re dhe çdo veprim tjetër që ai do të shihte të arsyeshëm!

Petraq Barjami