Familjarët e 5 Heronjve të Vigut kanë disa ditë që iu kanë nisur një letër të hapur krerëve të institucioneve shtetërore
Familjarët e 5 Heronjve të Vigut kanë disa ditë që iu kanë nisur një letër të hapur krerëve të institucioneve shtetërore, si Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit, zotit Ilir Meta dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, zotit Edi Rama. Kërkesa e tyre ka të bëjë me rivendosjen e përmendores së Heronjve të Vigut në qendër të Shkodrës, aty ku ka qenë më parë. Më poshtë po japim të plotë letrën që bëhet fjalë:
“Ne, familjarë dhe të afërm të Pesë Heronjve të Vigut, ju shprehim me anë të kësaj Letre të hapur shqetësimin dhe indinjatën më të thellë lidhur me vendimin e këshillit bashkiak të Shkodrës për zhvendosjen e Monumentit të Heronjve të Vigut nga qendra e qytetit të Shkodrës, në periferi ku grumbullohen plehrat. Ne e konsiderojmë këtë, si një përpjekje në vazhdën e akteve për “shkurorëzimin” e vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar dhe për denigrimin e 28 mijë dëshmorëve e heronjve të kësaj lufte të madhe e të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Populli shqiptar u ngrit në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare, pa dallim feje, krahine e ideje, si të gjithë popujt e tjerë të Europës e të Botës, kundër mortajës fashiste dhe në luftën e tij të madhe, me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, zuri vendin e merituar në Koalicionin e Madh Botëror, të shteteve të mëdha demokratike. Dëshmorët dhe heronjtë e kësaj lufte kanë qenë dhe do mbeten lavdia e Kombit tonë ndër shekuj. Populli ynë i përjetësoi ato në monumente kudo në Shqipëri. Në qytetin e Shkodrës, u ngrit një përmendore e Pesë Heronjve të Vigut, të cilët shkruan një nga epopetë më të lavdishme; të qëndresës, të guximit e të trimërisë me përmasa legjendare. Monumenti i tyre në atë shesh i kishte hije dhe i bënte nder qytetit të Shkodrës; si dhe gjithë Shqipërisë. Heqja e këtij monumenti nga vendi i tij, dhe dëmtimi që i është bërë, është një përdhosje e këtyre heronjve dhe e gjithë simbolikës së dëshmorëve të LANÇ. Para së gjithash, na indinjon ne, pjestarëve të familjeve të tyre, indinjon qytetarët e Shkodrës, të cilët gjatë këtyre 18 viteve të demokracisë nuk e kanë prekur këtë monument, por e kanë mbajtur si një simbol të shenjtë atdhetar, simbol heroizmi dhe gjaku të derdhur për liri. Nga pikëpamja ligjore, heqja e këtij monumenti bie në kundërshtim me ligjin Nr. 8607, datë 27.04.2000, të “Statusit të Dëshmorit të Atdheut”. Ky ligj, në “nenin 12” përcakton: “Zhvendosja e përmendoreve, lapidareve, pllakave përkujtimore, si dhe e objekteve të tjera që kanë lidhje me dëshmorët e Atdheut, bëhet vetëm në raste të veçanta kur atë e kërkojnë interesat e larta shtetërore. Zhvendosja bëhet me vendim të qarkut, ku ndodhet objekti”. Siç shihet, ky ligj përcakton në mënyrë të qartë e pa ekuivok: “…merret jo nga këshilli bashkiak, por nga këshilli i qarkut dhe vetëm në raste të veçanta kur e kërkojnë interesat e larta shtetërore”. Shtrojmë pyetjen: Çfarë interesa të larta shtetërore e diktojnë heqjen e monumentit të heronjve legjendarë, përderisa aty është ngritur…një shatërvan që, vetëm hedh ujin përpjetë? Nga sa u shprehëm, gjykuar nga një tërësi faktorësh, politikë dhe socialë, mendojmë se sot është momenti më i duhur, që ky veprim të korrigjohet sa më parë. E themi këtë, pasi janë një sërë organizatash e shoqatash që e kërkojnë një gjë të tillë: E ka kërkuar dhe vazhdon ta kërkojë pa ndërprerje Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Atdheut, si dhe e dëshmorëve të tjerë; Komiteti Kombëtar i Veteranëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Invalidëve të LANÇ, etj, etj, e kërkojnë qytetarët e thjeshtë, e kërkon vetë opinioni publik shqiptar.
Nga familjarët e 5 Heronjve të Vigut:
Xhamije Mushani,
Meliha Haxhimusa,
motrat e Ahmet Haxhisë
Fadile Xhabija, Injac Mazi,
Fran Deda, nipi i Ndoc Dedës

















