Vitore Stefa Leka/ Migjeni ishte trashëgimtar dinjitoz i rilindësve!

1065
Sigal

Po shkruaj diçka për të kujtuar një nga shkrimtarët më të shquar, më të guximshëm dhe më prodhimtar të kohës së vet, Millosh Gjergj Nikollën, pra Migjenin. Ai ka qenë poeti mjerimit dhe i demaskimit të shoqërisë, kur jetonte. Migjeni mbetet për ne ashtu siç mbetet Petefi për Hungarinë, Janis Ricos për Greqinë apo Eminsku për Rumaninë. Ai ka lënë një personalitet të përsosur dhe guximtar. Ishte poeti i protestës dhe i portreteve të zbehta, i fëmijëve të varfër të shkollave të fshatit, është autori i poemës së mjerimit “Lulit të vocërr”,  i Zenelit, i vargjeve të lira “Etje ishte”. Mbase dhe i vetmi demaskues i regjimit feudal në Shqipëri. Unë  dua të theksoj se dhe sot e kësaj dite, shohim varfëri, papunësi, dhunë dhe korrupsion , ikje nga trojet amtare, ngujime, rrëmim në kazanët e plehrave, njerëz pa shtëpi, zhgënjime dhe zhvlerësim të personalitetit të shqiptarit. Martin Luter King ka thënë: “Bota vuan jo nga dhuna e njerëzve të lig, por nga heshtja e njerëzve të ndershëm”. Por Migjeni nuk heshti se, ishte njeri i mirë, donte të varfrit dhe jetonte me ta, me të mjeruarit, me nxënësit këmbë zbathur e të veshur me zhele dhe prandaj thërriste me zë të lartë: “Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi, Kafshatë që të ngec në fyt e të zë trishtimi…”.

Migjeni ishte trashëgimtar dinjitoz i rilindësve. Vargjet e Vaso Pashë Shkodranit se, “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, ai i kishte kredon e krijimtarisë së vet poetike. Përveç sa thamë, ai ishte shkrimtari që hodhi themelet e lëvrimit modern të gjuhës letrare, ishte një nga poetet dhe shkrimtarët më të vyer të letrave shqipe. Pra mbetet një poet që përgjithësisht i ka thyer kornizat e përcaktimit të tipologjisë së shkrimit letrar. Migjeni ka qenë shkrimtar që nuk njohu tabu dhe asnjë pengesë në pasqyrimin pa mëdyshje të realitetit konkret social dhe individual. Vështrimi tij si njeri, dhe krijues po ashtu, dhe si një publicist mendjendritur, padyshim, e pa droje, është hedhur mbi jetën e fshatit dhe qytetit sidomos në Shkodër e në rrethinat e saj si dhe përfshinë në të një gamë problematikash, që kanë të bëjnë gati fare hapur me mjerimin, pasojat dhe shpëtimin, zvetënimin dhe shkatërrimin e qenies njerëzore në Shqipëri prandaj poeti rebel nuk përmbahej nga zemërimi dhe shkruante:

“O sikur të kisha një grusht të fuqishëm ,

Malit që sbëzan m’u në zemër me ia ngjesh,

E të shohë të rënë një vigan të vramun,

E me të të kënaqem tuj qesh…”

Por historia përsëritet, ende me sidromën mjerim hasemi ne. Ne, peizazhet mjerane të varfërisë migjeniane i hasim ndër qindra familje pa të ardhura, tek papunësia e madhe, tek gjakmarrja skandaloze dhe fyese! E hasim tek pasurimi dhe përqendrimi i turpshëm i parave dhe pronave në një pakicë njerëzish në kurriz të shumicës. Mendoj se ka shumë personazhe migjeniane sot. Besoj kushdo nga ne haset çdo dite me “Zenela e Lula të vocërr!” Unë kam parë e takuar intelektualë mendjendritur dhe autorë librash pa punë, të cilët i kanë larguar nga puna për bindje politike. Është turp që në një vend të varfër, të jesh i pasur dhe po ashtu është turp që në një vend të pasur si Shqipëria, të jesh i varfër. Më pëlqen të përmend këtu thëniet e akademikut Rexhep Qosja kur shkruan: “Kjo botë nuk është e talenteve, e aq më pak e gjenive, kjo është bota e pizevengëve, ne kemi dhimbjen, ata kanë qejfet”.