Përballë lapidarit ‘Lavdi dëshmorëve’, lapidarët ‘Lavdi punëtorëve’ dhe ‘Lavdi mësuesve’!

560
Qytetit të Cërrikut, këto muajt e fundit iu shtuan dhe dy lapidare të tjerë, ballë për ballë dhe në një largësi prej rreth 20 metrash nga njëri-tjetri. E kjo në krah të lapidarit “Lavdi Dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare”, atje ku qytetarët e Cërrikut nderojnë çdo 29 nëntor. Për fatin e keq, me dy lapidarët e rinj qytetarët janë të paqartë dhe memecë. Njeri ka mbishkrimin “Lavdi Punëtorëve” dhe tjetri “Lavdi Mësuesve” . Ata janë ndërtuar në mënyrë qesharake, ndërsa është tallje me klasën punëtore, por tallje dhe me mësuesit e nderuar, apo me komisarët e dritës. Sepse kështu i kishte cilësuar dhe i nderonte regjimi komunist . Kur i pyet qytetarët çfarë përkujton ky lapidar ata thonë se: “Dimë që lexojmë një mbishkrim “Lavdi punëtorëve”, por nuk dimë kujt punëtori i takon. Këtë e dinë ata që ndërtojnë e që drejtojnë. Dimë që pas çlirimit Partia e Punës në Cërrik ndërtoi unizën e naftës, atje ku u punësuan rreth 300 punëtorë. Dimë që në 4 shkurt 1969 në Linzë u dogjën nga gazi një inxhinier nga Tirana dhe një mekanik për të cilët u ngritën dhe lapidare. Gjithashtu dimë se në 1973 ndodhi një shpërthim gazi dhe uzina mori zjarr. Klasa punëtore atëhere ishte e edukuar për të mbrojtur pasurinë e përbashkët kombëtare deri edhe në vetëmohim duke sakrifikuar jetën. Kështu u veprua nga klasa punëtore e uzinës, të cilët u hodhën në flakë duke i vënë gjoksin tubit të gazit dhe shpëtuan këtë uzinë kaq të rëndësishme ekonomikisht si për vendin, ashtu edhe për Cërrikun. Në këtë ngjarje dhanë jetën Beqo Beshiri, trupi i të cilit u gjend copa-copa, Anife Kabile e shtrirë në rezervuar, vajza e komandantit të zjarrëfikseve, e cila u mbyt nga gazi duke dhënë jetën në moshën më të bukur. Këta nuk e morën parasysh vdekjen duke vënë interesin e përgjithshëm para jetës”. Prandaj qytetaret e Cërrikut janë në enigëm se për çfarë është ndërtuar lapidari. Për cilët punëtorë bëhet fjalë? A s’do të ishte mirë që ky lapidar t’u përkushtohej këtyre heronjve të heshtur dhe qytetarët në mënyre simbolike të çonin lule? Edhe për lapidarin tjetër, me mbishkrimin “Lavdi Mësuesve”, gjithçka është i pakuptimtë, sepse nuk dihet se për kë mësues bëhet fjalë? Edhe të tillë ka plot. Të vendosin ata që kanë kontribuar më shumë, kanë sakrifikuar për të mirën e vendit në drejtim të mësimdhënies. Kjo mbetet e paqartë dhe me të drejtë qytetarët japin mendime të tilla. Ç’bëjnë institucionet që merren me këtë punë? Pse e lënë pushtetin vendor të bëjë si të dojë? Sa mirë shprehen qytetarët në rrugë, në vend që t’i përkrahin, bëjnë lapidare të pakuptimtë, qesharake dhe pa simbol. Është turp kush i shikon. Në vend që të punohet për të bërë më të bukurën në këtë qytezë, që të thithë sa më shumë turiste dhe t’i shërbejë sa më mirë qytetarëve për t’i nxjerrë ata nga varfëria, është detyrë e pasardhësve që në fushatën e tyre të jenë më transparente, objektive në premtimet e tyre dhe qytetarët e Cërrikut duhet të jenë më të kujdesshëm që kandidatët të mos i shikojnë nga kostumi dhe bukuria, apo nga fjalët e ëmbla, por të jetë njeri që t’u shërbejë me ndërgjegje, përkushtim dhe transparencë qytetarëve. Ka ardhur koha që qytetarët të vendosin vetë dhe të mos gënjehen me një thes miell e më pas të thonë shprehjen: “është hedhur lumi dhe është sharë kali”.
Sigal