Përkushtimi i historianit Hamza Koçiu, patriotët korçar

1359
Ende ka shumë për t´u thënë mbi figurat patriotike. Një pjesë e jetës së tyre ka mbetur e pathënë, ndërsa po tentohet të plotësohet nga historianët e Korçës. Këtë ka marrë përsipër historiani Hamza Koçiu, përmes një ekspozite të hapur, e cila do të qëndrojë në dispozicion të qytetarëve të Korçës deri në 12 dhjetor. Koçiu ka sjellë në këtë ekspozitë 50 patriotë të qarkut Korçë, duke filluar nga Naum Veqilahrxhi, hartuesin e abetares së parë shqipe, Themistokli Gërmenjin, njeriu që bashkë me luftëtarë të tjerë i dha Korçës autonominë, për të vijuar me Fan Nolin, figurën e dimensioneve gjigante të kombit shqiptar, por edhe me figura të tjera si Thimi Mitko, Abedin Tuxhari, Pandeli Cale, Papa Kristo Negovani, Baba Hyseni i Melçanit etj. Hamza Koçiu shpjegon, se kishte qenë një dëshirë e tij e hershme për të ekspozuar një enciklopedi të hapur mbi patriotët e qarkut të Korçë, të cilat vijnë nga trevat e Korçës, Kolonjës, Pogradecit dhe Devollit, me synimin për të prezantuar të pathënat e deritanishme për shumë nga patriotët korçarë… Në përpjekjet e historianit Koçiu, për të prezantuar Rilindjen Kombëtare në të gjitha anët e saj, gjen rrugën nëpër të cilën u ringjall gjuha shqipe, deri në mbërritjen e saj si gjuhe letrare…

Vlerësimi i gazetës “Telegraf”
Para disa ditësh u nda nga jeta poeti, ish-ushtaraku dhe intelektuali i njohur Hamza Koçiu. Për gazetën “Telegraf” ai mbetet një intelektual i sinqertë, një bashkëpunëtor i rrallë dhe korrekt, një atdhetar me vlera. Me largimin e tij në përjetësi, gazeta jonë humbi një ndër bashkëpunëtorët më të mirë dhe me shumë vlera. Njerëz si Hamzai janë të rrallë për shpirtin e tyre, për këmbënguljen, për vizionin dhe rolin në shoqëri. Ai ishte gjithmonë kërkues, studiues, parashikues dhe i drejtpërdrejtë. “Telegraf” i shpreh ngushëllime familjes për humbjen e një njeriu që fjalën e mirë, fjalën e ëmbël e kishte përshëndetjen më të zakonshme. I papërtuar, ai sillte në redaksi me atë thjeshtësinë e tij shkrime nga më të ndryshmet me karakter social dhe patriotik. I heshtur dhe punë shumë, shkrimet e tij mbeten ndër më të lexuarit e lexuesve të gazetës sonë. Krijimtaria e tij është e gjithanshme dhe shumë e spikatur dhe me karakter të theksuar patriotik. I paharruar kujtimi i tij.
Sigal