Pas bukës, rritet edhe çmimi i kafesë. Mbi 8 mijë ashensor të pacertifikuar

215
Sigal

Aktualitet/ Nuk ka të ndalur rritja e çmimeve. Pas bukës miellit dhe ushqimeve, do të rritet edhe çmimi i kafesë si një nga produktet më ngushëlluese që u ka mbetur shqiptarëve. Flet importuesi i grurit: Do të ketë përsëri rritje të çmimit të bukës dhe makarronave pasi jemi të varur nga tregu i huaj. Por rreziku më i madh për qytetarët janë siguria e ashensorëve, kreu i Inspektoriatit: Janë mbi 8 mijë ashensor të pacertifikuar

 Gazeta Telegraf

Konsumatorët në tërësi, por dhe qytetarët e pallateve që kanë të instaluar ashensorë në pallatet e tyre janë të pasigurtë si nga rritja e çmimeve  sikurse është ajo e bukës, produkteve ushqimore, bujqësore, blektorale, por edhe nga mungesa e sigurisë së ashensorëve dhe rritja e çmimeve të banesave. Por ajo që tashmë është bërë realitet ka të bëjë me faktin se ushqimet vazhdojnë të rriten dhe tregtarët premtojnë rritje të mëtejshme, pasi vendi ynë në mbi 80% të produkteve ushqimore dhe lëndës së parë është i varur nga importi. E njëjta situatë ka të bëjë edhe me materialet e ndërtimit, ashensorët, pa përjashtuar edhe rritjen e taksës së ndërtimit me 8%, atë të taksës së të pastrehëve me 3% nga bashkitë.

 

Kafeja është produkti i radhës që pritet të shtrenjtohet me 10 deri 20%

Vijon rritja e çmimeve në vendin tonë, ku së shpejti ndikim do të ketë edhe tek kafeja. Përfaqësues nga baret dhe restorantet thonë se shtrenjtimi vjen si pasojë e rënies së konsumit si dhe rritjes së çmimit të lëndës së pare, që vjen nga importi. Kafeja, ndër produktet më popullore e njëherazi më të konsumuara nga shqiptarët pritet të pësojë rritje të çmimit me 10 deri në 15 lekë. Enri Jahaj, Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve tregon për A2 se shtrenjtimi me 10 deri në 20 për qind do vijë për tre arsye: “Kemi një ofertë të lartë kundrejt një kërkese të ulët dhe tregu duhet të normalizohet. Lëndët  e para po rriten dita-ditës dhe automatikisht sjell rritjen e çmimeve. E treta është që xhiro e munguar sjell rritje të çmimeve se fitimi i munguar duhet rikuperuar”. Por, nga kush do duhet të paguajmë më shumë për produktin me të cilin për shumëkënd nis dita? “Unë besoj që shumë shpejt, pasi bursa për kafenë tregon që nuk e kemi pasur vit të mirë dhe pranaj do të rritet. E para do rritet lënda e parë, ose oksigjeni i konsumatorit tonë, që është kafeja dhe pastaj të gjitha në rritje”,- shprehet Jahaj.  Rritja e çmimit të kafesë si dhe produkteve të tjera të bareve dhe restoranteve vjen si reaksion zinxhir i shtrenjtimit të bukës si dhe produkteve të tjera të shportës.

Çmimi i bukës dhe makaronave do rritet përsëri

Çmimi më i lartë te produktet e brumërave këtë vit pritet të jetë te makaronat. Arsyeja është dyfishimi i çmimit të grurit të fortë për prodhimin e makaronave. Në muajt e verës, konsumi i makaronave u rrit 79%, çka do të thotë se do të ketë edhe një rritje të konsiderueshme të këtij produkti. Situata më kritike do të ndeshet tek buka, mielli dhe nënproduktet e tyre. Adi Haxhiymeri, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Miellit deklaron se duhet të mësohemi, që të paktën në vitet e ardhshme, çmimet do të shënojnë rritje. Kjo rritje fatkeqësisht, nuk është vetëm në artikullin e ndjeshëm siç është mielli, por edhe në të gjitha produktet e tjera. Dhe çmimi i bukës, ndikohet jo vetëm nga çmimi i miellit, por edhe përbërësit e tjerë si çmimi i vajit, ambalazhet. Të gjitha këto bashkë, kanë efektet e veta. Disa furra rritën çmimin me 10 lekë. Nëse rritja e çmimit të miellit do të vazhdojë, shtrenjtimi i bukës në të gjithë tregun është i pashmangshëm prej rritjes së çmimit të vajit, margarinës, të qirasë apo kredisë që mund të kenë marrë prodhuesit.

Ndërtimi: 8 mijë ashensorë të paregjistruar dhe rritje taksash

Pjesa më e madhe e ashensorëve, që përdoren sot në Shqipëri janë ende të paregjistruar dhe të pacertifikuar. Julian Llupo, Drejtor i Mbikqyrjes së Produkteve në Inspektoriatin Shtetëror të Mbikqyrjes së Tregut, vlerëson se janë të paktën 8 mijë ashensorë ende të paregjistruar pranë këtij institucioni. Por ndërtimi nuk përfundon këtu. Materialet e ndërtimit, janë rritur në mënyrë të shpejtë dhe shumë nga grosistët e shikojnë si të vetmen mundësi , për të rikuperuar “dhuratat” që këta grosistë me hir apo me pahir i dhanë qeverisë në kuadrin e rindërtimit nga tërmeti. Pikërisht këtu fillon zanafilla e rritjes së çmimeve ,ku qeveria bën një sy qorr dhe një vesh shurdh, pasi indirekt sipas burimeve konfidenciale u është dhënë miratimi që në këmbim të donacioneve për qeverinë, ju rrisni çmimet. Veç këtij marifeti, qeveria nëpërmjet pushtetit lokal, i cili është 100% i “Rilindjes” ka rritur taksën e ndërtimit nga 2% në 8%, ka shtuar taksën e të pastrehëve me 3% që më shumë i ngjan një kapitalizmi sipas mendësisë komuniste, pasi këto taksa në fund do t’i paguajnë qytetarët që blejnë banesa. Pra, nderet i bën qeveria për vota, taksat i paguanë qytetarët, sepse ka edhe një mundësi tjetër sipas ligjit kapitalisto-komunist ku ndërtuesit ose do japin ndërtesa falas, ose do paguajnë para në buxhetin e bashkive. Kjo është një grabitje me ligj!