Shembet edhe Teatri i Kukullave! Ministrja Margariti edhe 416 milion të tjera për ta zhvendosur tek ish-Garda

368
Sigal

 

Ministria që shkatërroi Teatrin Kombëtar vijon me vendimet e saj skandaloze si “shpërblim” për rikonfirmimin në krye të ministrisë së Kulturës. Kësaj here, Elva Margariti i ka vënë syrin Teatrit të Kukullave. Një godinë historike për shqiptarët, pasi ka qenë Parlamenti shqiptar. Më pas, një godinë mjaft tërheqëse për fëmijët, pasi prej 60 vitesh funksionon si Teatri i Kukullave. Por, zyrtarët shtetërorë me një të rënë të lapsit po fshijnë njëherë e mirë historinë e Tiranës dhe të Shqipërisë. Madje duke shembur një pjesë të identitetit të gjithësecilit, banor apo jo i Tiranës. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve ose e kanë vizituar atë godinë kur ishin fëmijë, ose kanë çuar fëmijët apo nipërit. Duke qenë në qendër të kryeqytetit, Teatri i Kukullave kishte jetë, sidomos në fundjavë. Por, çfarë do të ndodhë?

Faksimile: Ministria e Kulturës ka hapur një tender për projektimin e Teatrit të Kukullave në zonën e Gardës. Sinjalet e para për shkatërrimin e godinës egzistuese i dha ‘piktori’, 2 vite më parë. Pa dashur të fyejmë piktorët e tjerë, ne po merremi me vendimmarrjet e piktorit që na udhëheq. Në 2019-ën Edi Rama tha se “Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron para fëmijëve. Unë mendoj se deri në fund të mandatit do të hapim themelet e Bibliotekës dhe Teatrit të Kukullave këtu tek Garda”. Dhe, dy vite më pas, Ministria e Kulturës ka hapur një tender me procedurë “shërbim konsulence” dhe me objekt “hartim projekti për ndërtimin e një objekti/qendre të re multi funksionale në funksion të së ardhmes së edukimit artistik të fëmijëve në kryeqytet, pranë Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave”. Fondi për këtë tender është 41 666 667 lekë të reja pa TVSH. Duket se Margariti ka kohë që merret me këtë projekt, pasi në dokumente shkruhet se kohëzgjatja e kontratës është 30 ditë. Mësohet se tenderi do të zhvillohet në datën 20 tetor, teksa sipas afateve, gjithçka do të mbyllet në 2021-shin. Me sa duket ky është edhe një nga arsyet se përse ministrja Margariti, pa asnjë sukses në mandatin e parë , ju besua posti i rëndësishëm i Kulturës edhe në qeverinë Rama 3. Ndoshta shërbesa në shëmbjen e objekteve të traditës, kulturës, trashëgimisë dhe identitetit të kryeqytetit është i vetmi vlerësim për të riqëndruar në atë karrige.

Faksimile: Justifikimi i bërjes së një Teatri të Ri të Kukullave te Garda e Republikës

 

Sipas dokumenteve që disponon Boldneës.al, Ministria e Kulturës thotë se Teatri i Kukullave ka aktualisht ka 30 personel. Organigrama aktuale përbëhet nga: Drejtori i Përgjithshëm, 10 aktorë, 8 specialistë, 3 përgjegjës sektori dhe 8 punonjës të prapavijës. Sipas saj, salla e Teatrit të Kukullave ka një kapacitet prej 160 vende. Ndërkohë ka renditur edhe problematikat, ku Qendra Kombëtare e Kulturës dhe Teatri janë në dy godina të ndryshme. Ndërtesa aktuale e Teatrit të Kukullave është nga ndërtimet e para me karakter të pastër administrativ e shoqëror i realizuar në Tiranë, ndërtuar mes viteve 1920-1924, me një stil arkitekturor të vendeve gjermanike. Ndërsa njihet si ndërtesa ku u vendos për herë të parë Parlamenti Shqiptar, në vitet 1950-1957, godina u përdor si qendër kulture dhe në vitet 1960-1961 ajo u përshtat në teatër kukullash, funksion të cilin e ruan edhe sot. Ndërtesa vjen në ditët tona mjaft e transformuar, si pasojë e përdorimit të saj në faza historike dhe për qëllime të ndryshme, të cilat kanë kërkuar përshtatje të vazhdueshme. Kjo godinë, ka një kapacitet prej 160 vende, e cila është e pamjaftueshme për kërkesat në rritje të publikut. Skena me përmasat e saj nuk lejon zhvillimin e shfaqjeve me përmasa skenografie dhe staf artistik të madh. Zyrat janë të pamjaftueshme për stafin që do të rritet me rritjen e kapacitetit të ndërtesës, ashtu si edhe hapësirat përgatitore të artistëve rreth skenës apo fondet dhe rekuizitat” thotë ministria në dokumente.

Faksimile: Ministria ka parashikuar se godina në afërsi të Liqenit do të mbledhë të gjithë fëmijët

Duket se drejtuesit e institucioneve publike janë vetëm papagaj të kryeministrit Rama. Në 2019-ën ai tha te Garda, ndërkohë që ish-drejtori i Teatrit të Kukullave, humoristi Erion Isai e kundërshtoi dhe tha te Piramida. Ndërkohë Erion Veliaj mendonte te Kopshti Zoologjik. Por, në fund “fitoi” Rama.

Elva Margariti pa një mendim të sajin të shprehur në media ka hapur tenderin për ta çuar te trualli i Gardës së Republikës. Në dokumentet që disponon Boldneës.al ajo shkruan se “vendndodhja e re për këtë objekt do të jetë Parku i Liqenit përgjatë rrugës Dora Distria, përpara kryqëzimit me rrugën Sami Frashëri”.

Ministria kërkon që të projektohet qe godina duhet të integrohet në gjelbërimin e parkut, përfshirë këtu programet publike që kanë tepër nevojë për rinovim dhe zgjerim. Por, në dokumente nuk shkruhet se çfarë do të ndodhë me godinën egzistuese. A do të ketë fatin e Teatrit Kombëtar? Procedurat dhe gjasat janë që godina, sipas fjalëve të Ramës, do të shkatërrohet.