“Parlamenti të hedhë poshtë rezolutat e atyre që duan të rivrasin heronjtë dhe dëshmorët e LANÇ”

720
Sigal

Deklaratë E Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar

Nga organet e shtypit mësuam se ditën e enjte, më 18 prill 2019, se është futur në programin e punimeve të Parlamentit një raportim i drejtorit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufës dhe miratimi i një rezolute të hartuar nga ky Institut, ku nxihet, njolloset, përlyhet, përbaltet dhe mohohet epopeja më e lavdishme, më e ndritur dhe më madhështorja në historinë e popullit tonë, siç është Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila siguroi lirinë dhe pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë. Pa atë luftë legjendare Shqipëria do të ishte shpërbërë, nuk do të kishte mbetur as 8 mijë km. katrore, nga synimet grabitqare të qarqeve shoviniste të fqinjëve.

Jo vetëm e hedhim poshtë me indinjatë të thellë këtë material antihistorik, antishkencor dhe antikombëtar, por e quajmë turp dhe faqe e zezë për vetë Parlamentin nëse pranon të dëgjojë broçkullat e një neofashisti me damkë siç është Agron Tufa, i cili merr guximin e paraqet në Parlament një paçavure siç është rezoluta e propozuar prej tij. Ashtu si rezoluta është edhe botimi i një libri me titull: “Krimet e komunistëve gjatë Luftës 1941-1945”, ku botohet edhe një listë me 265 emra të komandantëve dhe komisarëve legjendarë të njësive partizane, të luftëtarëve të pamposhtur, të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që Instituti i Tufës i quan “kriminelë”. Vetëm duke e lexuar këtë listë gjithkush do të bindet se deri ku shkojnë marrëzitë e tyre.

Se cilët ishin kriminelët dhe tradhtarët e Luftës së Dytë Botërore i përcaktoi dhe u dha dënimin e merituar Gjyqi i Nurembergut dhe gjyqet popullore të zhvilluara pas lufte. Qenë kriminelë tradhtarët dhe kolaboracionistët që u bashkuan me pushtuesit nazifashistë, bënë masakra në popull, luftuan bashkë me pushtuesit kundër forcave partizane, lyen duart e tyre të fëlliqura, ashtu si pushtuesit, me gjakun e kulluar të heronjve e dëshmorëve të LANÇ, bijve më të denjë e të pavdekshëm të popullit tonë, që instituti i Tufës i quan “kriminelë”. Barbarë e kriminelë gjatë viteve të luftës 1941-1945 ishin: Isa Toska, Isa Manastirliu, Kadri Cakrani, Halil Alija, Hamit Matjani, Mit’hat Frashëri e kompani, të njohur botërisht si të tillë dhe të flakur nga historia në koshin e plehrave. Neofashistët e institutit famëkeq të Tufës duan që këta kriminelë t’i bëjnë heronj dhe heronjtë e dëshmorët e asaj lufte legjendare t’i bëjë kriminelë! Ku, ku… deri ku arrin lajthitja dhe çoroditja e pinjollëve ballisto-zogistë. Ky nuk është vetëm turp i tyre, por edhe faj institucional që duhet çuar për hetim në Prokurori.

Instituti i Tufës me neofashistë është krijuar në vitin 2010 nga Sali Berisha dhe sot me ato çka vepron e çka boton është plotësisht në pozita antishqiptare e antiligjore. Emërtimi i këtij instituti me ligj është: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, të përcaktuar në kohë: 1945-1990. Pra, nuk e përfshin Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Ç’kërkon ky farë instituti me Luftën?! Nuk ka asnjë të drejtë të hartojë dhe të dërgojë për miratim në Parlament rezoluta “prostituta”. A nuk është kjo antiligjore dhe e dënueshme? Rrjedhimisht ky institut, me këto pjella të tradhtisë, pa asnjë mandat dhe pa asnjë të drejtë morale, politike dhe shkencore, në këtë vit jubilar të 75-Vjetorit të Çlirimit, ndërmerr këtë sulm të poshtër dhe të zi për të nxirë dhe hedhur baltë mbi LANÇ-in në emër të ashtuquajturave “pasoja të krimeve të komunizmit!”. Duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim, në vitet e tranzicionit, nga pinjollët e kolaboracionistëve dhe neofashistëve janë ndërmarrë shumë sulme e provokacione ndaj LANÇ-it, me prapavijë armiqësore. Bëmat e këtij instituti famëkeq, me botime antishkencore e antihistorike dhe rezolutën e tij, sulmet dhe provokacionet antishqiptare arrijnë kulmin.

Për këto qëndrime antikombëtare, antihistorike e antishkencore kundër LANÇ, ne shprehemi kategorikisht kundër dhe kërkojmë që ky institut të shkrihet sa më parë dhe të mbahet qëndrim ligjor ndaj bëmave të tij. Këtë duhet të bëjë Parlamenti dhe jo të dëgjojë broçkullat e Tufës e të shqyrtojë projektligje të hartuara prej këtij instituti që kërkon të përmbysë historinë më të lavdishme të popullit tonë. Me paratë e buxhetit të shtetit, të taksapaguesve, me të cilat paguhen rrogat e majme të punonjësve të këtij palo instituti dhe botimet paçavure të tij, mendojmë se është më e drejtë të restaurohen lapidarët dhe përmendoret e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ, pllakat e Bazave të Luftës, Varrezat e Dëshmorëve dhe të përkujtohen ngjarjet e datat e mëdha historike.

Ne jemi të mendimit, se me qëndrimin e papërgjegjshëm të Kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të tradhtisë së ballistëve e kolaboracionistëve, që i thur himne dhe e vendos në panteon një kryekolaboracionist, si Mit’hat Frashëri, dhe nuk merr asnjë vendim qeveritar për kremtimin e 75-Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, neofashistëve të tipit Tufa u janë ngritur puplat, zgjatur veshët dhe bëjnë gjithë ato të pabëra, ndërkohë që paguhen nga buxheti i shtetit. Ata lehin si zagari hënës. Këto lehje janë kot, se kriminelët s’bëhen dot atdhetarë e patriotë!

Ne jemi të mendimit se çdo deputet i Parlamentit, qoftë i majtë apo i djathtë, që i thotë vetes shqiptar dhe vlerëson e mbron epopenë më të lavdishme të popullit tone, LANÇ, për fallsifikimet dhe provokimet e këtij instituti, duhet pa asnjë hezitim të mbështesë Deklaratën e Veteranëve të Luftës Çlirimtare, dhe pa hezitim ta heqë nga Rendi i Ditës, duke e hedhur poshtë me neveri atë paçavure rezolute. Parlamenti të miratojë shkarkimin nga detyra të Agron Tufës dhe abrogimin e institutit të kthyer në çerdhe të neofashistëve e neonazistëve, që me sulme e provokime antiligjore po rivret heronjtë e dëshmorët e LANÇ dhe historinë e lavdishme të saj.

Nëse Parlamenti do të shqyrtojë dhe miratojë rezolutën e Tufës, kjo do të ishte njolla më e zezë në historinë e Parlamentit Shqiptar. Organizata e Veteranëve të LANÇ, që ka në gjirin e saj mijëra e mijëra veteranë e pasardhës të tyre dhe mijëra e mijëra simpantizantë nga familjet e dëshmorëve, bazave të Luftës dhe të familjeve të veteranëve të ndarë nga jeta, do të detyrohet të shikojë qëndrimin e saj ndaj Parlamentit dhe ndaj Qeverisë, që e kemi votuar në Qershor të vitit 1917, sepse për ne janë të shenjta vlerat atdhetare të LANÇ-it dhe historia e lavdishme e popullit shqiptar. Organizata e Veteranëve të Lanç të Popullit Shqiptar.