Shfaqja e yllit komunist në “Sunny Hill” shkakton debate

113
Sigal

 

Shfaqja e flamurit shqiptar me yllin komunist në festivalin “Sunny Hill” në Tiranë shkaktoi reagime në rrjetet sociale, ndërsa organizatorët dhe autori i këngës sqaruan se ishte një video parodi ku vihej në lojë komunizmi.

NgaBlerina Gjoka

Të rinj të pranishëm gjatë natës së fundit të festivalit “Sunny Hill”. Foto: LSA

Kryebashkiaku i Tiranës, përfaqësues të opozitës dhe qytetarë të shumtë përmes rrjeteve sociale u përfshinë në një debat të hënën, pas shfaqjes së një fotoje të flamurit shqiptar me yllin komunist në natën e fundit të festivalit “Sunny Hill”, që u zhvillua të dielën në Tiranë.

Flamuri me yllin pesëcepësh ishte pjesë e një video-klipi të titulluar “Ku ka më mirë se me qenë shqiptar” e grupit muzikor “Asgjë sikur dielli”. Videoja gjendet në Youtube prej vitit 2014 dhe vë në lojë figura dhe ngjarje të historisë shqiptare.

E shkëputur nga konteksti, fotoja qarkulloi në rrjetet sociale dhe shkaktoi zemërim mes qytetarëve si dhe u dënua nga deputetë të opozitës.

“Shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në një vend që ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët. Herë pas here, nostalgjikë dhe jo vetëm shfaqen me simbolet e diktaturës, duke fyer kujtimin, vuajtjet dhe sakrificat e mijëra shqiptarëve,”- shkroi në faqen e tij në Facebook kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha përmes një postimi në Tëitter se kënga ishte një satirë ndaj regjimit dhe e shfrytëzoi ngjarjen për të ironizuar kundërshtarët e tij politikë.

“Uroj të luftoni me të njëjtin zell sekretarin e PPSH në krye të PD dhe sigurimsin aleat,”- shkroi Veliaj në Tëitter.

Organizatorët e festivalit “Sunny Hill” dhe drejtuesi i grupit “Asgjë sikur dielli”, Alban Nimani sqaruan gjithashtu se fotoja ishte pjesë e një video-klipi satirik.

“Shfaqja e flamurit kombëtar me yll nuk ka të bëjë me glorifikimin e komunizmit, përkundrazi, në video -klip shembet komunizmi,”- tha Nimani.

”Ne jemi shumë koshientë për persekutimet, krimet dhe vuajtjen që ka shkaktuar komunizmi në Shqipëri, sepse edhe i përkasim familjeve të persekutuara,” -shtoi ai.

Simboli i yllit nga flamuri kombëtar është hequr me ligj në prill 1991, pas rrëzimit të diktaturës 45-vjeçare të mbështetur në ideologjinë komuniste.

Për studiuesit e historisë, shfaqja e këtyre simboleve qoftë edhe në mënyrë artistike, ngre problemin e mungesës së përballjes me të shkuarën edhe tre dekada pas rënies së komunizmit.

“Dekomunistizimi duhet kryer, për të realizuar përballjen me të kaluarën komuniste në forma dinjitoze, duke iu rikthyer dinjitetin njerëzor viktimave dhe duke kuruar plagët e diktaturës totalitariste-komuniste përmes ndalimit të simboleve…,”shkroi Enriketa Papa.

Sipas saj, duke mos e marrë seriozisht të kaluarën dhe trashëgiminë komuniste arrihet që sot shfaqja e simbolit komunist të serviret si performancë artistike.