Pamjet, policia sekuestron makina luksoze në kufi, procedohen 4 persona

473
Sigal

Policia ka njoftuar mbi bllokimin e 4 automjeve në pikat kufitare, të cilat po tentohej të futeshin në Shqipëri përmes dokumentave të falsifikuara.

Policia ka dhënë detaje duke theksuar se janë arrestuar 4 shtetasit që tentuan të fusin makinat, dy shqiptarë dhe dy shtetas të huaj

NJOFTIMI

Policia Kufitare e Kakavijës vijon kontrollet e imtësishme në vijën e dytë në hyrje dhe në dalje, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Në vijim të goditjeve të ditëve të para të këtij viti, ku u bllokuan 5 automjete, katër prej të cilave luksoze, lëndë narkotike heroinë e dokumente të falsifikuara, gjatë dy ditëve të fundit, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe analizave të riskut, janë evidentuar dhe goditur edhe 4 raste të tjera të krimeve ndërkufitare dhe konkretisht janë bllokuar 3 automjete, dy prej të cilave luksoze, si dhe është sekuestruar edhe një dokument i falsifikuar që do përdorej për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, konkretisht:

Në hyrje të RSH-së u sekuestrua një automjet i markës “Nissan”, me targa bullgare, në pronësi të një firme të huaj dhe në përdorim nga shtetasi grek me iniciale N. D., 56 vjeç, banues në Kozani, Greqi. Automjeti rezulton me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe si rrjedhojë mjeti dyshohet i vjedhur dhe i trafikuar. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Po në dalje të RSH-së, falë kontrolleve të shtura dhe analizës së riskut, Policia Kufitare sekuestroi automjetin e markës “Audi Q7”, me targa shqiptare, i drejtuar nga shtetasi shqiptar me iniciale A. B., 53 vjeç, banues me Vlorë. Ky automjet rezultoi me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe i vjedhur në vendet e BE-së. Drejtuesi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve të shtuara, po në dalje të RSH-së, nga Policia Kufitare u sekuestrua automjeti i llojit “Rimorkio”, i markës “Mercedes Benz”, me targa të Bosnje Hercegovinës, me drejtues shtetasin boshnjak me iniciale M. D., 41 vjeç, banues në Bosnje Hercegovinë. Ky automjet rezulton me numër shasie të dubluar (falsifikuar) dhe si rrjedhojë i vjedhur dhe i trafikuar. Shtetasi u procedua për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.

Po në kuadër të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë në fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe kalimit të paligjshëm të kufirit në dalje të RSH-së, nga shërbimet e Policisë Kufitare u sekuestrua një leje drejtimi greke e dyshuar si e falsifikuar. Leja e drejtimit ishte ne posedim te shtetasit shqiptar me inicialet V. P., 57 vjeç, banues në Greqi. Ky shtetas u procedua për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Verimet hetimore janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me prokurorinë.

Policia Kufitare e Kakavijës është tërësisht e angazhuar dhe e fokusuar për të parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritete doganore dhe me Policinë Kufitare greke të Kakavijës.