“PAMECA” në 2007/ “Sagem” të mos futet në tender

620
Kompania “Sagem” e cila në fakt është filial, i filialit të një filiali të një firme në Francë e cila prodhon karta identiteti për punonjës firmash private, nxënës shkollash, karta rimbushëse telefonie celulare dhe karta “Fletë Hyrje-Dalje” në azile pleqsh, në vitin 2008 morri koncesionion që prodhon pasaporta e karta identitetit për shqiptarët, duke u shpallur fituese nëpërmjet një pazar-afere të pisët shtetërore, të bërë mes “Sagem” dhe ish-kupolës së Ministrisë së Brendshme të vitit 2008. Dosja e kësaj afere e regjistruar me letra, me zë e me figurë gjatë hapjes së ofertave dhe vlerësimit të tyre, prej 7 vitesh gjendet e depozituar në prokurori dhe në Ambasadën e SHBA, duke u mbajtur e “konservuar” dhe e pa hapur as prej pushtetit të PS të pas vitit 2013, pushtet që në vitin 2008 e ka denoncuar koncesionin e pasaportave dhënë për “Sagem”, si “rrugë e hapur dhe lehtësi” në shërbim të terrorizmit, trafiqeve dhe krimit. Prej disa kohësh, gazeta “Telegraf” po kërkon jo thjeshtë zbardhjen e kësaj afere të bërë në favor të filialit të katërt “Sagem”, por krimin që kjo kompani po vazhdon të bëjë me prodhim pasaportash e kartash të pa sigurta dhe me abuzim financiar në tregtimin e tyre, duke i zhvatur shtetit shqiptar me fatura e kuponë fals afro 5 miliardë lekë taksë 20% TVSH. Sot po ndalemi në një fakt tjetër, që provon denoncimet që ka bërë gazeta “Telegraf”, lidhur me “profilin” ligjor e publik të filialit “Sagem” si firmë që edhe veprimtarinë e saj e ka të mbushur me krime e mashtrime dhe fshehje ët dhënash personale, si një filial që ka abuzuar edhe në vende të tjera të pa zhvilluara jo anëtare të BE e vende të Botës së Tretë. 
Lajmi/“Sagem” në vitin 2005 është ndëshkuar në Nigeri për “krim” me koncesionin e prodhimit të letërnjoftimeve
Një lajm i publikuar nga “BBC” në datën 6 shtator 2012, njofton kështu: “Një kompani e mbrojtjes franceze, pjesërisht në pronësi të shtetit është gjobitur nga një gjykatë franceze me akuzën se ka paguar ryshfet për të siguruar marrjen e biznesit në Nigeri. Kompania “Safran” e njohur si “Sagem” deri sa u bashkua me konkurrenten “SNECMA” në vitin 2005, ka marrë një gjobë prej 500,000 euro për mbasi ka paguar ryshfet. Një gjykatë në Paris, ka vërtetuar se “Sagem” miratuar ryshfet midis 22.000 dhe 36.000 euro në mes të 2000 dhe 2003.
Ai gjeti se Sagem ka paguar ryshfet për zyrtarët nigerianë për të siguruar një kontratë me vlerë 214 milionë dollarë për të prodhuar kartat e identitetit kombëtar. Por gjykata liroi dy ish-drejtuesit e “SAGEM” Jean-Pierre Delarue, një menaxher i shitjes me kompaninë në Nigeri në atë kohë, dhe Francois PERRACHON, i cili ishte drejtor i saj për sistemet e identifikimit me bazë në Paris. Cila ëshët e vëretat e këtij lajmi që lidhet me filialin “Sagem” i cili është kapur në flagrancë me prova dhe ëshët dnëshkuar nga drejtësia franceze, se ka marrë me ryshfet koncesionin e pasaportave në Nigeri dhe ka abuzuar me sigurinë e prodhimit të tyre? Siç dihet, “Sagem” e cila ka shkaktuar skandal qeveritar në Nigeri, ka shkaktuar skandal shtetëror edhe në Shqipëri po me aferë për koncesionin pasaportave dhe kartave të Identitetit, duke “futur në thes” kupolën e Ministrisë së Brendshme e cila e shaplli fitues me letra e prova false! 
——————————————-
“PAMECA” në korrik 2007/ Koncesioni i pasaportave të mos i jepet “Sagem”, sepse ajo kontrollon edhe rrjetin informatik të Ministrisë së Brendshme
Sipas një raporti sekret të muajit korrik 2007, të hartuar e paraqitur prej Misionit Europian “PAMECA”, mësohet se firma ”Sagem” nuk duhet të pranohet në tenderin e koncesionit të prodhimit e shpërndarjes së pasaportave dhe kartave si të për krijimin e serverit të të dhënave, mbasi “Sagem” që prej vitit 2005 kontrollon 100% rrjetin e brendshëm konfidencial kompjuterik të Ministrisë së Brendshme, deri tek të dhënat që kanë lidhje me informacione të sigurisë kombëtare! Sipas raportit të PAMECA të korrikut të vitit 2007, zbulohet skandali “krim shtetëror kundër sigurisë kombëtare”, që specialistët e ”Sagem” dhe ata të Ministrisë së Brendshme, kryejnë së bashku dhe kontrollet në “pika të dhënash sekrete” që janë “mision i posaçëm” vetëm i një ekipi të përzgjedhur të Ministrisë Brendshme. Në maj të vitit 2007, firma “Sagem&Page Europa”, kryen një inspektim pikash në bashkëpunim me një specialist të Policisë shqiptare. Një raport i sondazhit është kryer në qershor 2007 kundrejt përfituesit dhe “DKE”, saktësohet në raportin e PAMECA-s. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të vitit 2008, nuk e kishin kontaktin e parë me firmën ”Sagem” si “konkurrente” në tenderin pasaportave, por e kanë pasur kliente që në muajin nëntor 2005, kur e kanë bërë pjesë të sekreteve shtetërore të kësaj ministrie. Në një vendim qeverie të fillim-vitit vitit 2006, “Sagem” është kontaktuar paraprakisht në mënyrë ilegale prej Ministrisë së Brendshme, si firma e paracaktuar klienteliste që do të përcaktonte parametrat e kartës së identitetit. Duke përdorur procedurën e prokurimit të drejtpërdrejtë, qeveria, më datë 12. 04. 2006 vendosi: Lejimin e Ministrisë së Brendshme, që për fondin limit prej 4 milionë lekë, miratuar në buxhetin e vitit 2006, të përdorte procedurën “prokurim i drejtpërdrejtë”, me shoqërinë “Smart Card Integrators, Inc”, për prokurimin e shërbimit “Konsulencë në procesin e përgatitjes së specifikimeve, teknike, përfundimtare, të kartës së identitetit”. Por sikurse rezultoi më vonë, firma “Smart Card Integrators, Inc” e përzgjedhur ilegalisht nga qeveria, kishte si nënkontraktore për këtë shërbim firmën “Sagem”, sipas kontratës së firmosur në 11 nëntor të vitit 2001. Ky nënkontarktim që po bëhej ën vitin 2006 në Shqipëri, u zbulua nga prokurorët se ishte zbuluar si e aplikuar edhe në Nigeri, ku sipas dosjes së hetimit, ishte provuar se ”Sagem” ishte favorizuar nëpërmjet bashkëpunimit të kurdisur me ”prokurim të drejtpërdrejtë”, nëpërmjet shtetit nigerian dhe firmës firma “Smart Card Integrators, Inc”.
——————————————
Sipas burimeve të shtypit shqiptar e atij ndërkombëtar, rezulton se tenderi i pasaportave dhe kartave të identitetit i vitit 2008 në Shqipëri, ka klasifikuar si “fitues” firmën franceze ”Sagem”, firmë e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë “personazh” i mirënjohur i disa skandaleve ndërkombëtare, që lidhen pikërisht me abuzimet në prodhimin dhe shpërndarjen pasaportave e kartave të identitetit në disa vende si Shqipëria, ku shteti blihet lehtë me “thasë dollarësh”. Sipas medieve ndërkombëtare e atyre shqiptare, rasti më flagrant ka lidhje me Nigerinë, ku në vitin 2005, si pasojë e skandal krimit financiar me koncesionin e kartave e pasaportave, u arrestuan 3 ministra dhe 2 zyrtarë të lartë shteti në Nigeri, publikuar si lajm në BBC, Reuters, CNN etj. Skandali i “Sagem” në Nigeri është i njëjtë dhe i plotë me skandalin e “Sagem” në Shqipëri, ku sipas raportimit të BBC, skandali ka lidhje me dy probleme themelore, që ishin karakteristike edhe për Shqipërinë e vitit 2008, kur 4 vite pas skandalit në Nigeri, “Sagem”-it iu dha koncesioni i pasaportave edhe në Shqipëri. Në vitin 2005 kur “Sagem” morri koncesionin e pasaportave e kartave, shteti Nigerian nuk kishte regjistër themeltar të popullsisë të përditësuar, fakt ky që ndikonte shumë në rregullsinë e zgjedhjeve të këtij vendi. Edhe Shqipëria në vitin 2008 kur “Sagem” morri koncesionin e pasaportave e kartave, nuk kishte regjistër popullsie dhe kjo ishte si kusht nga BE për realizim përpara zgjedhjeve të vitit 2009. Ashtu si në Nigeri në vitin 2005 edhe në Shqipëri në vitin 2009, rezulton të jetë firma ”Sagem” ajo që do të krijonte regjistrin e përditësuar themeltar, paçka se shteti shqiptar e dinte mirë dhe kishte në dosje informacionin e drejtësisë nigeriane e franceze, që “Sagem” nuk e kishte krijuar regjistrin e popullsisë nigeriane, ashtu siç detyrohej nga kontrata 214 milionë dollarë! Këtë gjë “Sagem” ka bërë edhe me regjistrin e gjendjes civile në Shqipëri të cilin nuk e ka të plotësuar e të përditësuar. Në Nigeri u akuzuan 2 ministra dhe u arrestuan 3 ministra e 2 zyrtarë të lartë të shtetit, për lidhje me këtë aferë me “Sagem” dhe 2 drejtues të lartë të “Sagem”. Në Shqipëri është akuzuar 1 ish-Ministër i Brendshëm që sot është kryetar shteti dhe 1 ish-Zv/Ministër i Brendshëm i cili 1 muaj pasi u thirr nga prokuroria për të zbardhur aferën me “Sagem”, befasisht humbi jetën nga infarkti në një vizitë private në Kosovë, por deri sot nuk është arrestuar askush, madje dosja duket e “mbyllur” dhe e “konservuar” në arkiv pas ndarjes nga jeta të ish-zv/Ministrit të Brendshëm, i cili zhvilloi “live” në televizione tenderin e pasaportave dhe kartave, duke ia dhënë hapur koncesionin firmës “Sagem” me procedura abuzive e dosje të falsifikuar! 
——————————————————————
“Sagem” prodhon si Nigeri/ Pasaporta e karta me 1 “mikropçip”, kur duhen me 2, siguria si karta telefoni
Pasaportat dhe kartat, sipas specifikimeve të kontratës duhet të prodhohen me 2 “mikroçipe” në kartë dhe 2 mikroçipe ne pasaportë, me qëllim që siguria të jetë e plotë dhe e pa falsifikueshme, por edhe që të dhënat të jenë të identifikueshme lehtësisht e të ruhen në server. Por, ato vazhdojnë të prodhohen vetëm me 1 “mikropçip”, si model dhe siguri kartash telefoni, të cilët janë prodhim jashtë standardi e me teknologji që nuk lejohet të përdoren në dokumente identifikimi individuale, mbasi janë të pa sigurta e jo potenciale për të seruar të dhëna të plota. Duke u krijaur me pasaporta e karta me nga 1 “mikroçip”, ky server që përdor edhe sot “Sagem” nuk është i sigurt, mbasi është ngritur dhe funksionon mbi një teknologji të viteve 50-të. Ky server që grumbullon, përpunon dhe ruan të dhënat e shqiptarëve, jo vetëm është i pa sigurt, por është edhe lehtësisht i manipulueshëm. Të dhënat që depozitohen në këtë server janë jashtë çdo kontrolli, jashtë çdo saktësie, jashtë çdo sigurie, tamam si të dhënat e regjistrave të notave që kanë sekretaritë e shkollave në fshatrat perifierikë shqiptarë. Kushdo mund të futet lehtësisht në këto të dhëna, të zhduk, të modifikoj, të përpunoj e të ndryshoj totalisht të dhënat dhe pamjet që i interesojnë. Shteti e di këtë fakt skandaloz që ka lidhje me një server i cili është “portë e shqyer” për abuzime, për përfitime prej atyre që janë nën vrojtimin dhe ndjekjen e drejtësisë brenda e jashtë Shqipërisë e për të dhëna të tjera që kanë lidhje me të dhëna aktiviteti shërbimesh të sigurisë kombëtare. Por ndoshta nuk di faktin dhe fatin e një serveri modern, që duhet të ishte në aktivitetin pasaportave e kartave shqiptare prej firmës “Sagem”. Çfarë ka ndodhur?
————————————
Një denoncim i ardhur në “Telegraf” lidhur me aferën korruptive dhe abuzimet e firmës “Sagem” me prodhimin dhe shitjen e pasaportave në Shqipëri
Në këto kohë të trazuara nuk është problemi vetëm tek trafikantët apo kriminelët ordinerë. Sot Kalifati Islamik, ndonëse i bombarduar fuqishëm nga ajri dhe i goditur nga kurdët, irakianët, turqit dhe pasdaranët iranianë në tokë, përsëri mbetet në ofensivë dhe i rrezikshëm. Atentatet terroriste me inspirim nga ky kalifat në jo pak raste kanë shkaktuar viktima në Europë, por edhe në SHBA (rasti i çeçenëve të maratonës). Do të ishte një goditje e rëndë për prestigjin e Shqipërisë, nëse Zoti mos e dhëntë, ndonjë nga këta kasapë të na pajiset me pasaporta biometrike false shqiptare për të bredhur e bërë terror në vendet e zonës Shengen. Le të shpresojmë, që z. ministër Tahiri të verë dorë në plagën e pasaportave biometrike shqiptare për të bllokuar falsitetin dhe zhvatjen e shqiptarëve me çmime nga më të lartat ne Europë e SHBA, por edhe për të mbrojtur prestigjin e Shqipërisë. Një arab, apo çeçen me pasaportë biometrike shqiptare të prodhuar false nga sistemi “Aleat” do të shkaktonte tërmet në qeverinë shqiptare. Në këtë rast, pak rëndësi ka se kush do ishte fajtori: “kapteri” i policisë apo punonjësi i gjendjes civile në vartësi të ministrit Tahiri apo nëpunësi i koncesionarit Aleat SHPK. Ka ardhur koha, që të kuptohet se siguria kombëtare nuk ka brirë, ndaj pikërisht kjo meseleja e pasaportave biometrike, ndër të tjera ndikon edhe në sigurinë tonë kombëtare. Fillimi i pajisjes së shtetasve shqiptarë me Karta Identiteti dhe Pasaporta Biometrike në vitin 2009, u konsiderua nga Qeveria “Berisha” një sukses i jashtëzakonshëm. Ky operacion eliminonte dhe pengesën e fundit teknike për heqjen e vizave për shqiptarët. Faktikisht përveç progresit të pakundërshtueshëm në “inventarizimin” e shqiptarëve ky proces u shoqërua me të meta, abuzime dhe hajdutëri që në disa raste cenonte edhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Procesi i prodhimit të Kartave të Identitetit dhe Pasaportave, i ishte dhënë me koncesion kompanisë Aleat SHPK, që ishte një filial i kompanisë franceze Morpho S.A., e cila edhe vetë ishte filial i kompanisë Safran, një nga kompanitë përbërëse të kompleksit industrial-ushtarak francez, që nuk lufton, por shpesh bashkëpunon me terroristët dhe shtetet që bëjnë gjenocid, si rasti i Serbisë ndaj Kosovës. Në Shqipëri firma më shumë njihet si Aleat-Safran-Sagem.
Problemet e koncesionit të Pasaportave Biometrike
Nëpërmjet këtij koncesioni alla Berishë shteti shqiptar humbte 235 milionë euro, që shkonin në xhepat e koncesionarit, në vend që të përfundonin në arkën e shtetit. Kujtojmë se gjatë qeverive të majta, për një të presupozuar dëm prej 4 milionë USD, shkaktuar shtetit shqiptar për prodhimin e pasaportave shqiptare nga kompania gjermane Bundes Druckerei përfunduan në burg zv/ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë me gradën e atëhershme “Kolonel”. Kompania koncesionare dhe “hyzmeqarët” e saj shqiptarë nuk u mjaftuan me dhjetëra milionë euro të fituara “qyl” nga klauzolat disavantazhuese për shtetin shqiptar, që përmbante koncesioni, por duke ua nxirë jetën shqiptarëve me vonesa dhe radhë të gjata përfituan të tjera miliona. Që në postë, ku bliheshin kuponët e aplikimit, kishte radhë të llahtarshme vetëm e vetëm për t’ua plasur buzën shqiptarëve e për t’i detyruar t’i blinin kuponët me të shtrenjtë. Më pas ishte kalvari i aplikimit në zyrat e Aleat SHPK-së, ku njerëzit nga halli për të mbaruar shpejt në vend të kuponëve 6 000 lekësh ishin të detyruar të blinin kuponë 15 000 lekësh, me anë të të cilave pajiseshin me pasaportë brenda 3 ditëve. Në këtë mënyrë kompania siguroi të tjera miliona euro shtesë. Problemi më i madh me Pasaportat Biometrike ishte siguria e tyre. Megjithëse u trumbetua nga vetë ish – kryeministri Berisha se këto pasaporta janë tepër të sigurta, shumë hajdutë e vrasës, persona në kërkim në Europë e në Shqipëri arritën të pajisen me pasaportë biometrike të falsifikuara nga sistemi. Të tillë njerëzve, të hurit e të litarit u jepej një identitet i ri dhe një mundësi e re për të vazhduar biznesin kriminal pa u rënë në sy agjencive ligj-zbatuese shqiptare dhe europiane.

Jemenasi i bërë shqiptar me emrin “Ermal” me pasaportë të prodhimit “Sagem” 

Në ndonjë rast kishte edhe rekordmenë, si Ndriçim Sadushi i bandës “Kateshi” të Elbasanit, i cili në periudhën 2000-2011, kur strehohej ilegalisht në Londër dhe Merseyside, kishte përdorur 6 emra të rremë dhe 6 pasaporta false përfshirë edhe Pasaportën Biometrike me demek krejt të sigurtë të prodhuar nga “Sagem”. Sadushi, sipas Pëllumb Seferit, ish – shef i Interpol Tiranës ishte nr. 1 në listën e shqiptarëve në kërkim ndërkombëtar. Qarkullonte si barsoletë në policitë kufitare evropiane, rasti i një personai nga Jemeni të lindur në Guvernatoriatin e Mukallës, që ishte pajisur me Pasaportë Biometrike shqiptare nga këto të sigurtat që prodhon “Sagem”, i cili na ishte “pagëzuar” edhe me emrin shqiptar “Ermal” dhe na rezultonte rezident në Kamzë! Pra, krahas kriminelëve ordinerë Pasaportat Biometrike të sigurta të kohës së Salës mund të kenë përfunduar edhe në duart e terroristëve të atëhershëm të Al-Kaedës. Eksponentë të rëndësishëm të PS-së në opozitë, nga deputeti Braçe deri te vetë kryetari Rama, publikisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për problematikën e Pasaportave Biometrike, qoftë në kohën e “Jarit ministër”, qoftë në kohën e “Mulit ministër”. Me ardhjen në pushtet të PS-së pretendimet në opozitë u harruan. Kompania Aleat SHPK vazhdoi të përfitojë nga koncesioni problematik (sipas PS-së në opozitë). Fatkeqësisht për shtetasit shqiptarë u shtuan bidatet edhe më shumë. Për të rritur sigurinë e Kartave të Identitetit dhe Pasaportave Biometrike, të cilat edhe më parë reklamoheshin si super të sigurta, u shtuan disa elementë sigurie si p.sh. Kapaciteti i cipit elektronik nga 72 Kb shkoi në 100 Kb etj. Ky shtim i elementëve të sigurisë, u tha se u reflektua në rritjen e çmimit të pasaportave dhe kartave. Nga 1 janari 2015, ne gjynahqarët shqiptarë filluam të paguajmë 7500 lekë në vend të 6000 lekëve për kuponin e aplikimit për pasaporta biometrike. Për kartat e identitetit, çmimi kërceu nga 1200 lekë në 1500 lekë. Për shqiptarët, që pajisen me të tilla dokumente në ambasadat tona çmimi u rrit nga 108 në 135 euro për pasaporta biometrike dhe nga 10 në 12,5 euro për kartat e identitetit. Kuptohet, u rrit edhe çmimi për pasaportat me afat nxjerrje të përshpejtuar. Nga halli më shumë se 10.000 shqiptarë kryesisht emigrantë blenë me radhë dhe ryshfet kuponët për procedurë të përshpejtuar (me çmim të ngritur) për pajisjen me pasaportë. Fatkeqësisht punët ishin më zi, se në kohën e Berishës. Shqiptarët ditën dhe natën mbetën nëpër radha madje edhe pasi blinin me radhë të gjatë e me bakshish kuponët e shtrenjtë prej 18.000 lekësh. Përfaqësues të koncesionarit me cinizëm shpreheshin se me blerjen e kuponit 18.000 lekësh kompania e pajis shtetasin brenda 3 ditëve punë, pasi ai ka aplikuar në sportelin e kompanisë. Fatkeqësisht, Drejtoria e Gjendjes Civile e Ministrisë së Brendshme, e cila ka për detyrë ligjore të mbikëqyrë koncesionin, i ka lënë shqiptarët në kthetrat e Aleat SHPK. Ministri Tahiri që e ka nën varësi drejtorinë në fjalë, nuk u pa të ndërhynte për të lehtësuar sadopak vuajtjet e shtetasve të tij.
Sigal