Ortakëria e shtetit me kompaninë mashtruese të fluturimeve

717
Sigal

SKANDALI I BELLE AIR-it/ Shteti ka braktisur qytetarët, opozita është me pushime, ndaj nuk interesohet

180 turistët shqiptarë që janë braktisur në Egjipt nga kompania Pasha Holiday, akoma nuk po mundësohen që ata të kthehen në Atdhe. Edhe pse ka ditë që turistët bëjnë apele shtetit që të ndihmohen të rikthehen në Atdhe, askush nuk shqetësohet, ndërsa pronarja e kompanisë Pasha Holiday, Arselina Kerthoci,  lindur në Tropojë e banuese në Tiranë, është lënë e lirë nga policia, pas deponimeve që dha. Sikur të mos mjaftonte “Albanian AirLines”, e cila falimentoi muaj më parë, pasi pronari i saj, shtetas turk, u arrestua nëMadridme akuza të rënda për pastrim parash që vinin nga veprimtari kriminale, skandali i këtyre dtëve ka përfshirë edhe kompaninë “Belle Air”. Kjo kompani, sikurse dhe Albanian Airlines është me flamur shqiptar, dhe ka braktisur prej pesë ditësh  në Sharm El Sheik në Egjipt 180 turistë shqiptarë. Këto kompani janë liçensuar nga shteti e kanë detyrim ndaj shtetit dhe qytetarëve klientë, por këto detyrime nuk i respektojnë. Shteti duhet të zbatojë ligjin, mirëpo në këtë skandal të “Belle Air”, shteti i lë në hetim të lirë shkaktarët e skandalit, të cilët thjesht deklarojnë: “Kompania falimentoi”. Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, i pyetur nga “Telegraf”, tha se pak informacion ka përse ndodhi që turistët janë braktisur në Egjipt, dhe nesër (sot), pritet që pasagjerët të rikthehen në atdhe me lekët e tyre me çarter. Më vonë ne do të nxjerrim përgjegjësinë e skandalit, tha Bumçi. Lind një pyetje: Derisa turistët i bëjnë apel shtetit të ndihmohen, se ndihen të braktisur kaq ditë, përse shteti-sikurse e pohoi ministri Bumçi në “Telegraf”, pret kompaninë “ Belle Air”, në ditën që ajo e shikon të arsyeshme, t’i sjellë? Ndërsa deputetët e opozitës, Valendina Leskaj dhe Eglantina Gjermeni, deklaruan në “Telegraf”, se ndodhen me pushime, nuk kanë asnjë informacion dhe nuk mund të bëjnë asnjë prononcim. “Telegraf”, u interesua te deputetet e PS-së, se mos ishin edhe ato turiste të braktisura në Egjipt, me qëllim të ndërhynin për të ndihmuar, por… shyqyr zotit, asnjë prej tyre nuk është, ndër 180 turistët shqiptarë të braktisur. Në qoftëse ky skandal do të ndodhte në ndonjë shtet tjetër, turistët e braktisur, do të ishin kthyer brenda ditës, me përkujdesin shtetëror. Shteti shqiptar nuk interesohet fare për qytetarët e vet, përgjegjësit e skandalit i lë të lirë, ndërsa opozita është me pushime dhe nuk ka asnjë interes  e përgjegjësi qytetare, humane, politike, për jetën e qytetarëve shqiptarë, që janë braktisur në Egjipt. Më e pakta që duhet të ndodhë me ndërhyrjen e shoqërisë civile dhe në bazë të ankimimeve të qytetarëve të dëmtuar që këto kompani mashtruese me raste të përsritura, të paditen në gjykatë dhe të ndëshkohen për grabitje nëpërmjet mashtrimit, ndërsa shteti urgjentisht duhet të rishqyrtojë licensat që u ka lëshuar deri në anulim të tyre. Kështu nuk mund të ecet më tej.

Flasin për “Telegraf”

Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi: “ Unë pak informacion kam, nuk e di si ndodhi. Të hënën kompania :Belle Air” do të sjellë me çarter gjithë turistët shqiptarë. Sot nuk mundemi të themi asgjë për përgjegjësitë dhe përgjegjësit, por në të ardhmen, shteti do të verë shkaktarët përpara ligjit”.

Deputetja e PS-së, Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit parlamentar të Edukimit: “ Unë jam me pushime, nuk kam asnjë informacion. As për përgjegjësitë e përgjegjësit nuk mund të flas dot”.

Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni: “ Në këtë orë dhe meqë jam me pushime, nuk mund të flas dot asnjë fjalë për asgjë”.

 Kompania turistike braktis 180 shqiptarë në Egjipt, përpjekje të sillen në atdhe

180 turistët shqiptarë që janë braktisur në Egjipt nga kompania Pasha Holiday nuk u kthyen as  dje në atdhe. Drejtues të kompanisë Belle Air bëjnë të ditur se pavarësisht përpjekjeve, nuk është mundësuar as dje  dërgimi i një avioni për të marrë turistët shqiptare në Sharm el Sheik. Turistët, mes të cilëve, dhe shumë të mitur, po presin në aeroport dhe janë munduar të sistemohen në Egjipt me shpenzimet e tyre.Ndërkohë, Policia e Tiranesnisprocedimin penal ndaj Agjencisë Turistike Pasha Holiday, nën akuzën e mashtrimit. Në polici u shoqërua pronarja e kësaj agjencie Arselina Kerthoci, e cila do të japë deklarime lidhur me këtë çështje. Pronarja e agjencisë Arselina Kërthoci, e cila është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Tiranës, u ka thënë hetuesve se ka shpallur falimentin, ndaj për këtë shkak nuk siguronte dot kthimin e turistëve në Shqipëri. Ajo po hetohet në gjendje të lirë. Ishin turistët e bllokuar, të cilët sinjalizuan policinë për mashtrimin që u ishte bërë nga agjencia në fjalë, e cila i kishte lënë në mëshirë të fatit në Egjipt, edhe pse kishin paguar të plotë paketën turistike

Pronarja e agjencisë: Shpallëm falimentin
Braktisja” e 180 turistëve shqiptarë në Sharm El Sheik në Egjipt ka dërguar para hetuesve pronaren e agjencisë turistike “Pasha Holiday”, Arselina Kërthoci. Ishin turistët e bllokuar të cilët sinjalizuan policinë për mashtrimin që u ishte bërë nga agjencia në fjalë, e cila i kishte lënë në mëshirë të fatit në Egjipt edhe pse kishin paguar të plotë paketën turistike. Pas marrjes së këtij denoncimi, Drejtoria Kundër Krimit Ekonomik Financiar në Policinë e Shtetit nisi hetimin për rastin në fjalë, për të verifikuar nëse turistët ishin mashtruar nga pronarja e kompanisë në fjalë, e cila kryesisht operon si nënkontraktore dhe 180 turistët i kishte “harruar” në Sharm El Sheik, duke mos u siguruar rikthimin për në Shqipëri. Pronarja e agjencisë Arselina Kërthoci, u ka thënë hetuesve se ka shpallur falimentin, ndaj për këtë shkak nuk siguronte dot kthimin e turistëve në Shqipëri. Zyrtarë të policisë thanë se Kërthoci në asnjë moment nuk ka pranuar të ketë kryer mashtrim ndaj turistëve.

Turistët: Kthimi në atdhe të bëhet pa para

 Turistët shqiptarë të bllokuar në Sharm el Sheik kërkojnë që kthimi i tyre në Shqipëri të kryhet pa asnjë pagesë dhe në rast të kundër kompensimi të bëhet nga shteti. Eno Roshi, një prej turistëve të mbetur në Egjipt bëri të ditur se shteti duhet të kishte ndërhyrë për zgjidhjen e situatës së tyre të krijuar nga skema e mashtrimit të kompanisë turistike. Sipas Roshit, turistëve iu komunikua se të hënën do të bëhet nisja e tyre nga Egjipti drejt Shqipërisë, por nevojitet pagesa me 250 euro për person. Sipas Roshit, kjo nuk ka kuptim, sepse përvec zhvatjes që iu bëri kompania, ata nuk kanë këto para për kthimin e tyre në atdhe. “Situata këtu është shumë e tensionuar. Na komunikuan që nesër në orën21:00të mbrëmjes niset avioni, por duhet të paguajmë nga 250 euro. Nga kontaktet me hotelet e tjera asnjëri prej turisteve nuk e disponon këtë shumë parash. Si do bëhet? Ju lutemi na duhet një zgjidhje. Këtu janë familjarë me nga 6 veta që nuk kanë mundësi të paguajnë atë shumë lekësh. Ne prandaj kërkuam ndihmën e shtetit, se te ishte për pagesë do të kishim ardhur vetë me transit”, shprehet Roshi . Charteri nga Tirana është porositur nga vetë turistët dhe do të veprojë vetëm kundrejt një pagese.

Skandali, pushuesit ‘harrohen’ në Egjipt, prenotimet në Pasha Holiday vijonin

Thellohet skandali i kompanisë Pasha Holiday. Përvec turistëve që kanë mbetur në Egjipt, një grup tjetër kishin prenotuar për t’u nisur ditën e nesërme drejt të njëjtit destinacion. Ata kërkojnë kthimin e parave. Zonja Adela Halili një prej personave që ka prenotuar në këtë kompani tha se priste që të hënën, pra në 13 gusht të nisje në Egjipt. Sipas saj, janë shumë persona që si ajo kanë prenotuar. “Përveç personave që kanë mbetur në Egjipt, kontingjenti që përfundon pushimet në datën 13 gusht, është dhe kontingjenti tjetër që niset nga data 13 deri në datën 23. Është një kontingjent i madh që ndodheshin dje para agjencisë dhe që nuk dinin çfarë të bënin, sepse kishin paguar për udhëtimin. Ne jemi të shqetësuar se përveç faktit që ka ndodhur si skandal. Jemi një grup prej 5 vetash dhe janë dhënë 3 mijë euro. Kjo paketë përfshin udhëtimin, ushqimin dhe mëngjesin e dhe darkën”. Sipas Halilit, qytetarët si ajo duhet të denoncojnë për kompaninë. “Po bëj apel që të gjithë ata pushues që kanë paguar në të njëjtën mënyrë të bëjnë dhe denoncimin në polici”.