Ilir Bejtja: “Berisha pinjolli i fundit i Enver Hoxhës”

628
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Bejtja: “E majta do të marr 9 mandate në Elbasan”

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, deputeti i PS-së Ilir Bejtja ka dhënë vlerësimin e tij për koalicionin PS-LSI, ka komenton situatën e krijuar në KQZ dhe ndarjen e mandateve në Qarkun e Elbasanit.

Z. Bejtja si e vlerësoni koalicionin PS-LSI?

Një lëvizje të natyrshme dhe kthim në familjen e saj natyrale. Gjithashtu, me këtë lëvizje i’u ka kthyer dinjitetin zgjedhësve të saj.

Ç’do të thotë për PS-në ardhja e LSI në opozitë?

Një forcë e rëndësishme e shtuar në betejën zgjedhore për të larguar përgjithmonë Berishën nga pushteti dhe për t’i hequr mundësinë që t’iu bëjë keq shqiptarëve.

Si do ta komentoni shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, të propozuar nga LSI dhe kaosi që është krijuar në KQZ?

Veprim prej Jude ndaj organeve të pavarura të këtij shteti. Anëtari i KQZ është i depolitizuar si individ dhe kjo është gjëja e parë që ne vlerësojmë të paktën në letra. E majta ka patur tre anëtarë të propozuar prej saj në KQZ nga të cilët është pretenduar gjithmonë integritet dhe profesionalizëm, si edhe respektim i kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Nuk mund të them se të njëjtën gjë e ka bërë PD në gjithë këto vite, ku kemi parë lloj- lloj mënyrash nga ana e anëtarëve të KQZ të propozuar prej saj. Por PD gjithnjë ka pretenduar se ata veprojnë në zbatim të Kushtetutës e të Kodit Zgjedhor, pa patur asnjë ndikim partiak. Pikërisht, kjo që ndodhi vërtetoi plotësisht se anëtaret e propozuar nga PD janë tërësisht të varur nga Berisha dhe ky është i vetmi stil që Berisha ka për të synuar fitoren në zgjedhje. Ne nuk kemi patur asnjë ide se, LSI do të kalonte në opozitë, pra asnjë ide për të garantuar një maxhorancë të majtë në KQZ. E vetmja gjë që na erdhi për mbarë ishte se do të ishte shumë më e vështirë të shikonim skenat e dikurshme në KQZ. Në Parlament u soll si argument i rëndësishëm balancimi i forcave dhe u paraqit si arritje e madhe që sot përfaqësimi në zgjedhjen e anëtarëve të KQZ është 4/3. Por me thoni, çfarë ndryshimi sjell në votim nëse rezultati është 7-0 apo 4-3? Zgjedhjet nuk janë ndeshje futbolli, ku ka rëndësi golavarazhi. Ky është një sulm i turpshëm ndaj demokracisë dhe ca më shumë në dritë të diellit e pa patur aspak turp për gjithë sa ka ndodhur. Pavarësisht kësaj, ne zgjedhjet do i fitojmë. Votat i kemi lumë kundër Berishës dhe oborrit të tij dhe pak rëndësi ka nëse ai ka shumicën në KQZ. E gjithë beteja e sotme ka të bëjë me mos lejimin e shtrembërimit apo asgjësimit të institucioneve më të rëndësishme të vendit.

Maxhoranca e akuzon opozitën se do të shtyjë zgjedhjet duke bërë dorëheqjen e anëtarëve të KQZ që përfaqësojnë opozitën. Cili është mendimi juaj për këtë akuzë?

Veprimi i anëtareve të KQZ është legjitim dhe në vullnetin e tyre të plotë. Ne si PS nuk kemi patur asnjë ndikim në këto veprime. Por kjo tregon edhe një herë se sa demokratike është KQZ e Lefteri Lleshit, shoqes së ngushtë të Jozefinës. Sa për faktin që ne duam të shtyhen zgjedhjet, kjo nuk është aspak e vërtetë. Vera përpara nuk na favorizon. Por edhe presioni mbi opozitën dhe mbështetësit e saj mund të vijë duke u rritur nga makina diktatoriale e Berishës. Kështu që, janë vetëm hamendje të orës 12:00 të natës të Berishës.

Zoti Bejtja së fundmi sipas mendimit tuaj duke qenë deputet në Qarkun e Elbasanit si do të ndahen mandatet në këtë qark?

Më e keqja e rezultateve është 8-6 për PS dhe të majtën dhe me e mundshmja dhe realja 9-5 për PS dhe të majtën. Ky është objektivi ynë i panegociueshëm, 9-5 për PS dhe të majtën, për Rilindjen Shqiptare.

Zgjedhje brenda standardeve

Ne si opozitë do të garantojmë zgjedhje të lira e demokratike. Do t’i mbrojmë votat me jetën tonë dhe nuk do lejojmë asnjë manipulim. Do rrisim cilësinë e organizimit tonë dhe do rrisim akoma më shumë edhe aleancat. Luftojmë kundër Berishës që është pinjolli i fundit i Enver Hoxhës dhe nuk i ka haberin çfarë d.m.th demokraci, me mjete demokratike, pra me vota. Prandaj do kërkojmë votë masive ndër qytetarët shqiptarë dhe jemi të sigurt që Berisha do marrë atë që i takon si para zgjedhjeve edhe pas tyre.