“Rruga për ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e imunitetit është e hapur”

446
Sigal

INTERVISTA/ Arjan Starova, Kryetari i PBLD-së: “Opozita me referendumin dhe imunitetin, bën politikë zgjedhore”

Kryetari i partisë të Bashkimit Liberal Demokrat, zoti Arjan Starova, në intervistën për “Telegraf” argumenton përse referendumi i Kryeministrit mbështetet në Kushtetutë. Ndërsa për emërimin e zotit Lika në krye të SHISH-it, zoti Starova pohon që gjithçka është bërë konform ligjit.

– Zoti Starova, sipas jush, a qëndron kritika se Kryeministri me emërimin e zotit Leka në krye të SHISH-it, po gjunjëzon të gjitha pushtetet, duke emëruar në krye të institucioneve të pavarura njerëzit e vet?

– “Qëndrimi i opozitës në lidhje me emërimin e Zotit Lika në krye të SHISH-it është nga më të mirët që është bërë ndonjë herë. Këtu kam parasysh aftësitë profesionale dhe integritetin moral e njerëzor të zotit Lika. Këto që them, nuk janë thjesht për të mbajtur anën e politikës, që përfaqësoj, por e njoh personalisht prej shumë vitesh zotin Lika dhe gjërat në këtë rast i them me bindje të plotë. Përsa u përket komenteve opozitare, për rrëmbim të të gjithë pushteteve nga Kryeministri, më vjen vetëm për të qeshur, kur mendoj se gjithçka ka qenë në përputhje me ligjin. Me këtë emërim, mori fund përdorimi i këtij shërbimi për interesa të vjetra ashtu si edhe shndërrimi i tij i gjatë në strehë mbrojtëse për njerëz që nuk duhej të ishin më brenda tij.

– Si  ju duket ideja e Kryeministrit për referendumin? Shumë konstitucionalë e kanë vlerësuar si “paradoks”, duke iu referuar nenit 177 të Kushtetutës.

Rrethet viciozë që krijohen në politikë ose vendimmarrje të rëndësishme ligjore, për shkak të kontradiktave, ndërmjet forcave politike, mund të zgjidhen vetëm me referendum popullor. Arsyeja është fare e thjeshtë: përderisa  përfaqësuesit e popullit e kanë të pamundur të vendosin për një çështje, e cila është shumë e rëndësishme, atëherë thirret populli që ta marrë këtë vendim. Neni 150 / 1 i Kushtetutës thotë: “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”. Për ta ushtruar këtë të drejtë, Gjykata Kushtetuese duhet të shqyrtojë, nëse është apo jo e ligjshme kjo kërkesë për referendum, sipas nenit 152 / 1 që thotë: “Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht  kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 … , brenda 60 ditëve”. Meqenëse për të hequr imunitetin duhen bërë ndryshime apo amendamente kushtetuese atëherë krijohet një problem që rrjedh prej nenit 177 / 4 i cili thotë: “Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend”. Problemi i vërtetë në këtë rast është se Kuvendi, sipas nenit 177, ka të drejtën e nismës për të ndryshuar kushtetutën, kurse populli, sipas nenit 150 ka të drejtën e referendumit, për një çështje të një rëndësie të veçantë dhe sipas nenit 177 / 5 ka të drejtën e referendumit për miratimin e amendamentit kushtetues. Në thelb, apo në frymë, nuk ka problem, sepse çështje e rëndësie të veçantë për një referendum mund të quhet edhe një amendament kushtetues; problemi qëndron vetëm në formë, sepse nuk është përmendur konkretisht amendamenti që mund të jetë ndër çështjet e rëndësisë së veçantë për referendum. Në këtë rast, duhet t’u kthehemi parimeve të përgjithshme të së drejtës dhe sipas njërit prej tyre, ajo që nuk është e ndaluar e ka hapësirën ligjore për t’u lejuar. Më thjesht, referendumi do të duhej të kalonte nëpër këto shkallë: (1) përgatitja e projektligjit që përmban amendamentin kushtetues për heqjen e imunitetit, (2) dërgimi i projektligjit në Gjykatën Kushtetuese, (3) marrja e 50 mijë firmave nga populli, (4) dërgimi i kërkesës për referendum në Presidencë për miratim, (5) zhvillimi i referendumit,(6) shpallja e ligjit të miratuar me referendum nga Presidenti i Republikës.    

Pra, sipas meje, nuk ka asnjë paradoks. Rruga për ndryshimin e Kushtetutës, për çështjen e imunitetit, është e hapur. Më duket është krejt e qartë se heqja e imunitetit është çështje e rëndësisë së veçantë për referendum, e cila lidhet me kandidaturën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian dhe me mbështetjen e fortë ndërkombëtare.

– Drafti që u paraqit në Parlament për reformën e heqje/kufizimin e imunitetit, a është i mjaftueshëm  për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar?

Do të ishte naive të pranoje se heqja e imunitetit është e vetmja armë në luftën kundër korrupsionit. Janë një tërësi mjetesh, të cilat duhen bashkuar me vullnetet politikë dhe shumë mjete të tjera të larmishme. Megjithatë, arsyetimi sipas të cilit, meqenëse vetëm heqja e imunitetit nuk mjafton, atëherë të mos merremi me të, nuk mund të pranohet për një mendje normale, thjesht sepse është përpjekje për mosveprim dhe mungesë përgjegjësie e politikës kundrejt misionit të saj ndaj shoqërisë.

-Sipas jush, përse opozita nuk e miratoi në Parlament draftin e përbashkët, edhe pse në parim PS-ja e kishte miratuar?

–  Opozita, duke ndjerë njëkohësisht se statusi i BE-së mund të merret, mban qëndrim të dyfishtë duke e pranuar në parim heqjen e imunitetit por duke e mos e votuar praktikisht ligjin për të. Dhe, nesër, cilido qoftë fati i kandidaturës së Shqipërisë për në BE, të jetë disi e përligjur në qëndrimin e saj. Nëse Shqipëria pranohet, të thotë se ishte në mbështetje të heqjes së imunitetit në parim, nëse jo të thotë se ajo ka bërë përpjekjet e saj, porse qeveria e kishte fajin. Siç shihet është qëndrim tipik i llojit të vjetër, sipas të cilit opozita vetëm duhet të thotë jo edhe duke u sforcuar.

Cilat ishin arsyet e vërteta që Opozita nuk e votoi  në 6 gusht ligjin për heqjen e imunitetit?

– Arsyet e vërteta i dinë vetë krerët socialistë, por ajo që duket publikisht është në dëm të tyre, sepse Opozita nga njëra anë thërret me të madhe për korrupsion e luftë kundër tij, nga ana tjetër nuk bën as një hap për të ndihmuar në këtë luftë siç ishte heqja e imunitetit. Në këto rrethana, rriten mundësitë e një fitoreje të tretë zgjedhore të koalicionit qeveritar të qendrës së djathtë në vitin 2013.

– Ju si do t’i cilësonit katër kërkesat e opozitës, që të mbështetë referendumin?

– Është qëndrim i pakuptimtë. Sidoqoftë, është përpjekje për të gjetur një alibi për mosvotimin e heqjes së imunitetit për arsyet që i di vetë elita politike socialiste. Megjithatë, dua ta theksoj se, kjo është përpjekje shumë e dobët dhe e lexueshme për alibi, e cila për fatin e keq të tyre përsëritet herë pas here pa sukses. Mbetet fare i dukshëm, si nën dritën e diellit, fakti që opozita socialiste nuk e do heqjen e imunitetit

– A mund të ketë efikasitet një reformë e tillë e heqjes/ kufizimit të imunitetit, kur akoma organet e Akuzës dhe të Gjyqësorit janë të politizuara dhe emërohen vetëm nga maxhoranca?

 Shumica parlamentare dhe qeverisëse e ka bërë shumë të qartë dhe shumë herë se në drejtësi ka nevojë për reformë rrënjësore, por logjika opozitare, sipas së cilës “noti duhet mësuar para se të hysh në ujë”, është shterpë. Sipas kësaj logjike, meqenëse fusha e drejtësisë ka probleme, më mirë të mos çajmë kokë as për heqjen e imunitetit (!) Nga ana tjetër, shprehja e përsëritur shpesh, se prokuroria dhe gjykata janë të politizuara, më duket tejet e fryrë dhe e pambështetur në fakte të plota. Institucionet e drejtësisë kanë shumë probleme me njerëzit, ligjet përkatës dhe organizimin e tyre, por ata funksionojnë dhe kanë si suksese ashtu edhe dështime, ndonëse përpjesëtimi ndërmjet suksesit e dështimit është shqetësues dhe nën vëmendje serioze ndërkombëtare.

Politika nuk tregon asnjë vullnet që të zhvishet nga imuniteti politik. Atëherë, sa i besueshëm mund të bëhet kjo nismë politike e heqje/ kufizimit të imunitetit juridik?

Natyrisht, mirë do të ishte që heqja e imunitetit për politikanët t’i paraprinte heqjes së imunitetit për gjyqtarët dhe prokurorët.

– Faleminderit!

Somario

Imuniteti  dhe opozita

Opozita sipas meje përpiqet të bëjë politikë zgjedhore rreth çdo problemi që shtrohet dhe, nga këndvështrimi im kjo nuk është politikë e zgjuar. Ajo po përpiqet t’i mëshojë fort idesë se koalicioni qeveritar kërkon të gjejë një përligjje të mosmarrjes së statusin të vendit kandidat të BE-së në vjeshtën që vjen.

– Statusi i kandidatit  në tetor

–     Shqipëria do ta marrë, padiskutim, statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian në vjeshtë. Këtë e them me bindje të thellë. Do të ishte mirë dhe shpresoj që me këtë bindje të bashkohej edhe Opozita e të bëhej pjesë e suksesit të   mbarë shqiptarëve.

–     Ecuria e reformave të tjera

–     Përgjithësisht është ecur shumë në krahasim me një vit më parë. Edhe shtatori do të sjellë të tjera arritje, edhe me ndihmën e Opozitës, besoj. Në ecurinë e gjërave nuk ka asnjëherë përsosuri. Madje, kjo është e vërtetë edhe për vende të vjetër anëtarë të Bashkimit Europian. Pra, përgjithësisht të 12 përparësitë kanë shënuar arritje të rëndësishme.

– A ka dështuar reforma e imunitetit?

Gjërat për mua nuk janë kaq bardhë e zi. Vlerësim i nga ana e BE-së është shumë cilësor dhe kryhet nga shumë ekspertë e politikëbërës. Besoj se ata nuk janë aq naivë sa ta lenë fatin e Shqipërisë në vrullet rastësore të politikëbërjes shqiptare. Ata do të dinë të venë në peshoren e duhur arritjet e mëdha të Shqipërisë dhe problemet që mbeten. Dhe, vonesa e mundshme në heqjen e imunitetit është e pakrahasueshme në lidhje me arritjet e deritanishme të Shqipërisë.