Oran Frashëri:Përkujtohet 69-vjetori i formimit të Brigadës së 7 Sulmuese

1299
Sigal

Flet për “Telegraf”, Oran Frashëri, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Qarkut Berat

Përkujtohet nga veteranët dhe familjarët e dëshmorëve në shtëpinë e ish-ushtarakëve 69-vjetori i formimit të Brigadës së 7-të Sulmuese. Është krenari e ligjshme të kujtosh e të nderosh përvjetorin e krijimit të kësaj brigade heroike të luftës Nacionale Çlirimtare. Brigada e 7-të Sulmuese u krijua më 17 mars 1944 në malet kreshnike të Skraparit, në fshatin Vlushë. Ajo u formua me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm UNÇL. Efektivi i Brigadës përbëhej nga patriotët që vinin nga rrethet Skrapar, Berat, Fier, Lushnje, Gjirokastër e Devoll. Në fillim u rreshtuan rreth 450 partizanë. Brigada u drejtua nga 37 kuadër, komandantë e komisarë. Në formacionin e Brigadës së 7-të Sulmuese u radhitën edhe 43 shoqe partizane nga këto 6 kryenin detyrën e komisareve. Në formimin e Brigadës, ishin në përurim e saj dhe përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm si Haxhi Lleshi, Mendar Shtylla, Ymer Dishnica, Bedri Spahiu si dhe përfaqësues të Qarkut të Beratit. Komandanti i saj u zgjedh Gjin Marku, komisar Kadri Hoxha, zv/komandant Nesht Hysi, Adil Çarcani. Brigada që në krijimin e saj filloi aktivitetin luftarak kundër pushtuesve nazist dhe tradhtarëve të vendit. Me urdhër të Komandanti të Përgjithshëm, Enver Hoxha kjo brigadë u caktua për të mbrojtur punimet e Kongresit të Përmetit. Në këto luftim spikati trimëria dhe guximi partizan, por dhe mbetën në fushë të betejës shumë dëshmorë duke vaditur këtë tokë me gjakun e tyre. Oran Frashëri, Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Qarkut Berat, tregon: “Brigada e 7-të Sulmuese pasi realizon me sukses detyrën për sigurimin e punimeve të Kongresit të Përmetit, vazhdoi luftën në kuadrin e operacionit të Qershorit 1944… Luftimet treguan më së miri se kjo brigadë ka bërë të mundur që më 13 shtator 1944 të çlirohej qyteti i Beratit. Me luftimet e ashpra prej tre ditësh, nazistët e ballistët u larguan nga qyteti dhe ai ngeli në duart e partizanëve. Në çlirimin e Beratit, armiku la të vrarë 200 ushtarë ndërsa partizanët që humbën jetën në fushën e betejës, 23 dëshmorë. Në betejën për çlirimin e Beratit dhanë jetën Thoma Abëri, Abedin Qafoku, Nexhip Xhelali, Samir Behari, Qazim Kuçi etj.. Më pas Brigada mori urdhër nga Komandanti, Enver Hoxha që të marshonte drejt veriut. Pas luftimeve të gjata u çlirua qyteti i Mirditës. Brigada e 7-të Sulmuese e mori drejtimin për çlirimin e Shkodrës, ku luftimet u zhvilluan nga data 25- 29 nëntor 1944. Me çlirimin e Shkodrës kjo brigadë mori detyrën për të çliruar Malin e Zi si dhe Kosovën. Në luftimet e zhvilluara jashtë kufirit janë vrarë 90 partizanë. Në historikun e kësaj Brigade nga krijimi i saj dhe deri në vitin 1945 rruga e saj luftarake numëron 120 beteja, ka çliruar 16 qytete, 187 fshatra, ka përshkruar 3200 kilometra marshim dhe ka lënë në fushën e betejës 302 dëshmorë”, -tha Frashëri.