Evis Allushi:“Nga censusi ka rezultuar se ekzistojnë votat që PS e Vlorës, të fitojë më shumë se 6 deputetë nga sa fitoi në 2009

600
Sigal

Flet për “Telegraf”, sekretarja për Burimet Njerëzore e Marrëdhëniet me Mediat në PS-në e Vlorës, Evis Allushi

“Në shumicën e qendrave të votimit ka rezultuar se, ka ende shumë votues të PS, të cilët nuk kanë votuar në zgjedhjet e kaluara thjesht dhe vetëm, sepse nuk e kanë gjetur emrin në listën e votimit, në tjetër vend jetojnë e në tjetër vend kanë emrin për të votuar, jetojnë në qytet dhe e kanë emrin për të votuar në fshat dhe problematikë të ngjashme si këto”, kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Evis Allushi, sekretare për Burimet Njerëzore e Marrëdhëniet me Mediat në PS e Vlorës.

Cila është situata sot në PS e Vlorës?

PS e Vlorës, ka përfunduar fazën e parë të censusit në të gjitha rajonet e qytetit, por edhe fshatrave të rrethit të Vlorës. Përkushtimi dhe përgjegjësia e të gjitha strukturave të përfshira në census ka qenë maksimale, tregues ky i frymës pozitive që ekziston në PS të Vlorës për të arritur një fitore të thellë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Nga censusi ka rezultuar se ekzistojnë votat që PS e Vlorës, të fitojë më shumë se 6 deputet që fitoi në 2009. Në shumicën e qendrave të votimit ka rezultuar se ka ende shumë votues të PS, të cilët nuk kanë votuar në zgjedhjet e kaluara thjesht dhe vetëm, sepse nuk e kanë gjetur emrin në listën e votimit, në tjetër vend jetojnë e në tjetër vend kanë emrin për të votuar, jetojnë në qytet dhe e kanë emrin për të votuar në fshat dhe problematikë të ngjashme si këto. I gjithë materiali i censusit është duke u përpunuar dhe shifrat përfundimtare do të tregojnë se në çdo qendër votimi, në qytet dhe në fshatra ekzistojnë votat që PS të fitojë më shumë deputet se në vitin 2009. Pas kësaj është detyra e të gjithëve ne për t’i menaxhuar këto vota e për t’i çuar në kutitë e votimit.

Cila është pritshmëria në PS-në e Vlorës, në lidhje me kandidatët për deputet?

Është një pritshmëri normale sa herë që afron koha e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Shqiptarët për nga natyra janë pak kuriozë dhe të paduruar, por në këto zgjedhje, pritet më shumë përgjegjshmëri për përzgjedhjen e kandidaturave, ndikuar dhe nga fakti që PS është e gatshme për të ardhur në pushtet, do të vij në pushtet dhe do të ndërmarrë procesin e Rilindjes së Shqipërisë. Përfliten shumë emra kandidatësh, si deputetët aktual, të cilët kanë qenë korrekt në të gjitha zhvillimet e PS e të politikës në 8 vite opozitë ashtu edhe emra që ndoshta do të përfshihen për herë të parë në listën për deputet. E rëndësishme është të fitojë PS dhe të gjithë njerëzit e forcat progresiste të këtij vendi, të cilët realisht mendojnë dhe duan ndryshimin real të situatës. Nga karakteri i tyre, vlonjatët janë ndoshta pak më shumë se të tjerët lokalist dhe si të tillë do të donin më shumë emra nga Vlora, për të patur një arsye edhe më shumë për t’i mbështetur, në masivizimin e votave.

Si komentohen në PS e Vlorës përplasjet e fundit të kryetarit Rama në disa takime të fundit me socialist, në qytete të ndryshme?

Reagimet e ndodhura nuk janë reagime të strukturave të mirëfillta të PS në ato qytete, ku kanë ndodhur, por të ndonjë individi apo grupi njerëzish të shtyrë nga këta individë. Askush nuk e ka vendin e deputetit me tapi dhe askush nuk është më i mirë se sa të tjerët që militojnë vullnetarisht në PS. Në PS janë me dhjetëra e qindra njerëzit që kanë kontribute prej vitesh në parti dhe mendoni për një çast sikur të gjithë të kërkonin të bëheshin deputet! Nervozizmi dhe padurimi që ka kapur disa deputet aktual në disa zona të ndryshme të Shqipërisë, tregon se sa i drejtë ka qenë apo do të jetë vendimi për mospërfshirjen e tyre në listat për deputet, por që nga ana tjetër edhe duhet të sqarohen për vendimet që ndërmerren, vendime, të cilat i shërbejnë fitores të të gjithëve dhe jo vetëm të disa individëve. Në PS e Vlorës, nga bisedat e ndryshme që zhvillojmë përditë me anëtarë e simpatizantë të PS, ekziston fryma e bashkëpunimit, e mirëkuptimit dhe e respektimit të vendimeve, të cilat do të jenë edhe më efikase nëse alternohen edhe me tërheqjen e mendimit të bazës. Socialistët e Vlorës kanë besim tek program i PSSH për Rilindjen Kombëtare dhe tek zbatimi që do të gjej ky program nga Kryetari Edi Rama, kur në zgjedhjet e 23 Qershorit të jetë Kryeministër i të gjithë shqiptarëve.

Cila është situata në qytetin e Vlorës në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit?

Situata është shumë kritike. Vlora është realisht e izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe këtë e konstaton çdo vlonjat që lëviz jashtë Vlorës apo çdo qytetar i Shqipërisë që lëviz për në Vlorë. Rrugët në hyrje e dalje të Vlorës janë krejtësisht të dëmtuara dhe në disa vende gati të pakalueshme, duke përfshirë edhe rrugën kombëtare Vlorë-Sarandë, në zonën e Llogarasë, ku rruga ka shkarë në disa vende dhe shumë shpejt rrezikon të bëhet krejtësisht e pakalueshme. Të izoluar jemi edhe nga deti, për shkak të numrit të vogël të anijeve e trageteve që përpunohen në port, të të ardhurave të pakta që mblidhen në doganë. Edhe pse moratoriumit të mjeteve lundruese i mbaroi afati dhe kjo u trumbetua si një arritje e madhe, përsëri deti ka mbetur një “mollë e ndaluar”për vlonjatët përsa i përket lundrimit në të. Për 7 vjet, mjetet lundruese të vlonjatëve kanë dal jashtë përdorimit në garazhet, ku ata i mbanin, anijet e peshkimit në këto 7 vite falimentuan njëra pas tjetrës, por edhe ato që mbijetuan e kanë të vështirë për shkak të çmimit të naftës e peshkut të pakët në det. Deti është si puna e tokës, që po nuk e punove nuk të jep prodhim. Vlora vuan nga papunësia, nga listat e shumta për të blerë ushqim, nga kreditë e këqija, nga sektori i ndërtimit i bllokuar nga mos shitja e apartamenteve, por edhe nga dërgesat gjithnjë e më të pakta të emigrantëve. Përveç këtyre edhe Bashkia e Vlorës ka këtë vit më pak fonde nga qeveria, që së bashku me disa ndërhyrje në kompetenca nga ana e qeverisë, ka ndikuar ndjeshëm në uljen drastike të buxhetit të bashkisë, që do të thotë më pak investime për qytetarët e Vlorës.