Nxirrnin inerte pa asnjë dokument, arrestohet administratori i një guroreje në Krujë

90
Sigal

Në Krujë vijojnë aksionet për të goditur rastet e shkatërrimet të mjedisit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të guroreve.

Kështu, një tjetër administrator kompanie është vënë në pranga, pasi gjatë verifikimit ka rezultuar se subjekti që ai përfaqëson nuk ka dokumentacionin përkatës për të kryer këtë aktivitet në Krujë.

Ky është rasti i tretë në pak ditë nga aksioni i Policisë në këtë zonë, ndërsa deri tani në total janë arrestuar dy administratorë, janë proceduar penalisht gjashtë qytetarë dhe po aq administratorë për shkatërrim mjedisi. Sipas Policisë, i arrestuari është shtetasi Durim Priska.

Njoftimi i Policisë: 

Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Mjedisi”, për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në drejtim të përdorimit dhe shfrytëzimit të guroreve, shkak për ndotje të mjedisit dhe për shpërdorim të tokës.

Arrestohet në flagrancë administratori i një guroreje, pasi ushtronte aktivitetin e nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte dhe gurore, pa asnjë dokumentacion. Më herët, gjatë fazës së parë dhe të dytë të këtij operacioni, nga kontrolli i ushtruar në territor, është arrestuar në flagrancë administratori i një guroreje që nuk dispononte asnjë dokument, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, administratorë të 6 guroreve, për mungesë dokumentacioni, ndotje ajri dhe shpërdorim toke.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, mbështetur dhe nga FNSH Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar për evidentimin dhe ndëshkimin e subjekteve gurore që ushtrojnë këtë veprimtari, në kundërshtim me ligjin, duke ndotur ajrin dhe duke shpërdoruar tokën, kanë organizuar dhe zhvilluar fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Mjedisi”.

Në kuadër të fazës së tretë të operacionit, në datën 26.01.2023, u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin gurore që ai administronte, u konstatua se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte e gurore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“, “Transportimi i mbetjeve toksike” dhe “Prerja e drurëve dekorativë e frutorë”.

Operacioni vijon deri në përfundimin e kontrollit të plotë të territorit, për të verifikuar dhe për të kontrolluar të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitetet e nxjerrjes dhe të përpunimit të materialeve inerte dhe gurore.